Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënon thirrjet ekstremiste të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. “Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet kontruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”, theksohet në një reagim të sotëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (MPJSH).

Përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo patriotike, vazhdon reagimi, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Evropian, dhe nuk ndihmojnë në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës. Në fund të reagimit, MPJSH shpreh besimin dhe porosit që energjitë e forcave politike të fokusohen në procesin e reformave të brendshme që çojnë në konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, të integrimit të gjithë komuniteteve, dhe të marrëdhënieve të hapura bazuar në respektin reciprok midis shteteve të pavarura e sovrane.

SHPËRNDAJE