Shqipëria, aleate besnike e SHBA-ve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi priti të shtunën në zyrën e tij kongresmenin amerikan Stiv Çebot dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Në këtë takim pune, presidenti Topi shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur që nga njohja e shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, kur mbështetja dhe angazhimi i tyre e vazhdueshme për thellimin e gjithanshëm të proceseve demokratike janë të spikatura dhe të shtrira në të gjitha hallkat më të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve shqiptare.

“Ne e konsiderojmë përkrahjen e vendit të vlerave të demokracisë më të madhe në botë një nder, inkurajim e përgjegjësi, për vazhdimësinë e reformave drejt demokratizimit të plotë e funksional të Shqipërisë”, vuri në dukje presidenti Topi, duke u ndalur në veçanti në ndihmesën e gjithanshme amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plotë në Aleancën më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, në NATO.

Në vijim të këtij takimi, presidenti i Republikës bëri një panoramë të përmbledhur të zhvillimeve politike në vend, ku nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional të klasës politike shqiptare, nën një kulturë bashkëkohore komunikimi, si element i domosdoshëm i demokracisë dhe një parakusht për realizimin e reformave dhe proceseve të rëndësishme integruese të vendit tonë, sidomos i reformës në drejtësi.

Duke sjellë në vëmendje gjatë bisedës situatën në rajonin ballkanik, Presidenti Topi ritheksoi mirënjohjen e Shqipërisë ndaj Sheteve të Bashkuara të Amerikës për qëndrimin ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe ndaj Kosovës, në veçanti. Kryetari i Shtetit nënvizoi rolin moderator të Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan.

“Shqipëria ndjek një politikë konstruktive dhe bashkëpunimi me fqinjët, pasi ne besojmë se nëpërmjet angazhimit dhe synimeve të përbashkëta, mund të kapërcehen sfidat politike, çka i hap rrugë zhvillimit dhe integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh presidenti Topi.

Kongresmeni amerikan Stiv Çebot, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kreun e Shtetit shqiptar, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona, duke vënë në dukje veçanërisht kontributin e Shqipërisë si një aleate e sprovuar dhe besnike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në misionet për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Irak e në Afganistan. Gjithashtu Kongresmeni Çebot theksoi rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë, të funksionimit normal të institucioneve të pavarura dhe domosdoshmërinë e kryerjes së reformave të nevojshme në Shqipëri.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni