Diaspora shqiptare ka qenë dhe është një faktor i rëndësishëm i mirëqenies së shqiptarëve në Medvegjë. Ata, të organizuar rreth shoqatës humanitare bamirëse “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, po bëjnë çmos për t’i ndihmuar shqiptarët e paktë të mbetur në këto troje të Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, njofton portali informativ i këtij qyteti shqiptarë “Medvegja.net”.

 “Ne jemi shumë të kënaqur dhe krenarë që po arrijmë sadopak t’i ndihmojmë vendlindjes sonë. Ky donacion është vazhdimësi e ndihmave disavjeçare, që si shoqatë kemi dhuruar në Medvegjë”, deklaroi për “Zërin e Medvegjës” Zenel Neziri, kryetar i SHHB “Medvegja” në Zvicër.

 

Përveç ndihmave të shumta humanitare, ata po vazhdojnë ta financojnë edhe udhëtimin e nxënësve dhe studentëve në shkollën e mesme, respektivisht në dy fakultetet ekzistuese në Medvegjë.

Kështu, ditë më parë, shoqata “Medvegja” nga Zvicra ndau një shumë prej 7 000 eurosh për mbulimin e shpenzimeve të transportit të nxënësve dhe studentëve për vitin 2011, të cilët studiojnë dhe mësojnë brenda territorit të komunës sonë.

 

Ai u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve, e në veçanti bashkëvendësve në diasporë, që të bashkohen me shoqatën “Medvegja” dhe të ndihmojnë në kthimin e popullsisë shqiptare në Medvegjë. “Duke i ndihmuar ata që kanë nevojë, ne po kontribuojmë që ta ruajmë vendlindjen tonë”, tha ndër të tjera zotëri Neziri.

SHPËRNDAJE