Shpallet logoja fituese e100-vjetorit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha rikonfirmoi idenë e shpallur më parë për ndërtimin e një monumenti madhor me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në mbledhjen e Komisionit Ndërministror për pavarësinë, gjatë së cilës u përzgjodh edhe logoja zyrtare e kremtimeve. Logoja fituese është punuar prej artistit nga Kosova, Zeni Ballazhi.
Në hapjen e fjalës së tij, Berisha theksoi se monumenti që do të përkujtojë 100-vjetorin duhet të ngrihet, ndërsa Ministria ka shpallur konkursin për të përzgjedhur projektin fitues.

Më parë, një ide e tillë është kundërshtuar fuqimisht nga Aleanca Kuq e Zi dhe banorët e Vlorës, të cilët theksojnë se nuk ka nevojë për një monument të dytë pavarësie, pas atij që prej dekadash qëndron në hyrje të Vlorës.

Ndërkohë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, shpalli logon fituese.

“Midis 24 artistëve, komisioni ka arritur të përzgjedhë punimin më të mirë, atë të artistit kosovar, Zeni Ballazhi. Punimi fitues stilizon shqiponjën në formën e një flake jubilare dhe i përngjan një trofeu. Ai është një simbol festiv dhe nuk sfidon simbolet zyrtare të Shqipërisë”, tha ai.

Në Këshillin Ndërministror, u diskutua vetëm mbi disa detaje të logos, si shkrimi që do të vendoset nën të.

Kryeministri Berisha sugjeroi ndërrimin e shkrimit 100 vjet shtet shqiptar, me argumentin se shtet shqiptar ka patur edhe më parë gjatë historisë, si shteti i Skëndërbeut, i Arbrit, etj. Ai sugjeroi që të vendoset vetëm 100-vjet pavarësi ose 100-vjet Shqipëri.

“100-vjetori duhet t’u shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten dhe vendin e tyre”, shtoi Berisha, i cili iu rikthye nevojës së rishikimit të historisë. “Të vërtetat historike duhet të shprehen qartë dhe të shihen në dritën e aktualitetit të sotëm. Është e rëndësishme që ata miq të paktë që kemi patur t’i nderojmë në këtë 100-vjetor”, ka thënë Berisha.

Kryeministri theksoi gjatë mbledhjes së zhvilluar pasditen e se enjtes, se është e domosdoshme që kremtimet të kenë një karakter mbarëkombëtar.

“Është e domosdoshme një përballje mbarëkombëtare, pasi pavarësia ishte një përpjekje gjithëshqiptare. Në të gjitha rrethet e vendit duhet të parashikohen ngjarje dhe kremtime. E gjithë bota shqiptare duhet të bashkohet, edhe në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Pavarësia nisi me Lidhjen e Prizrenit, në 1878 dhe përfundoi në 2008, me pavarësinë e Kosovës. Pa të, flamuri shqiptar në rastin e 100-vjetorit do të ishte në gjysmështizë”


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni