Futbollisti i kombëtares holandeze, Uesli Shnajder u ka kërkuar ndjesë publike tifozëve portokallinj, pasi skuadra e tij është shumë afër eliminimit nga Euro 2012 që në fazën e grupeve.

Në fakt, “Tulipanët” e kanë nisur në mënyrën më të keqe Evropianin në Poloni e Ukrainë, duke pësuar dy humbje në ndeshjet e para kundër Danimarkës dhe Gjermanisë. I vetëdijshëm se kombëtarja e tij do ta ketë tepër të vështirë kualifikimin në fazën e ardhshme të garave, Shnajder u ka kërkuar ndjesë tifozëve për paraqitjet e dobëta në dy ndeshjet e para. “Sinqerisht u kërkoj falje për gjithçka. Po përjetojmë një periudhë shumë të vështirë. Askush nuk e ka pritur një ecuri të tillë. Ne do të bëjmë çmos për të fituar në ndeshjen e fundit në grup. Ende kemi gjasa, prandaj nuk guxojmë t’i humbim shpresat deri në fund”, ka thënë Shnajder, edhe pse fati i skuadrës së tij nuk është plotësisht në duart e tyre, ngase për kualifikim në çerekfinale krahas fitores me dy gola epërsi kundër Portugalisë, duhet të shpresojnë edhe në fitoren e gjermanëve kundër danezëve.

SHPËRNDAJE