Shkupi,protesta të tensionuara

 

Maqedonia është përfshirë nga protestat dhe tensionet politike pas vrasjes së një të riu maqedonas nga një pjesëtar policie si dhe pas arrestimit të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski.

Protestat për vrasjen e 22 vjeçarit Martin Neshkovski përveç Shkupit, tanimë po zhvillohen edhe në disa qytete tjera me moton “Stop brutalitetit policor”. Mijëra të rinjë kanë dalur në rrugë për të protestuar mbi këtë vrasje të dhunshme që ishte ekzekutuar në natën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve nga ana e një pjesëtari të njësitit policor “Tigrat”, për të cilin u nxorrën fakte se ka qenë pjesë e truprojeve të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, protesta kanë nisur edhe kundër arrestimit të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski. Ithtarë dhe anëtarët e Boshkovskit, ish-ministrit të brendshëm, u përplasën dje me njësitet policore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Boshkovskit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një proces të montuar politik. Kjo parti ka paralajmëruar se do të vazhdojë protestat deri në lirimin e liderit të tyre. Lube Boshkovski u arrestua disa ditë më parë nga policia, pasi që tek ai u gjetë një sasi parash ilegale, për të cilat u hodhën dyshime se ato ishin përdorur për financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore të partisë së tij. Ish-ministri i brendshëm Boshkovski një vit më parë u la i lirë nga Tribunali i Hagës për krime lufte, pasi që nuk u siguruan prova mbi akuzat ndaj tij për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në konfliktin e vitit 2001, raporton INA.

Protestat dhe tensionet politike në spektrin politik maqedonas po zhvillohen në prag të inaugurimit të përbërjes së re parlamentare dhe formimit të Qeverisë nga zgjedhjet e 5 qershorit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni