Musa LAMALLARI
(Tim Shkupi)
Në tymin e nargjiles…

Një kohë pata shkruar se politikën shqiptare në Maqedoni mund ta sjellin në binar vetëm femrat shqiptare. Në faqen time ëëë.musalamallari.com nxora dhe një poster me mbishkrim “Urime 2012 Ndalë! Vetëmashtrimit të burrave!” Kush ka vizituar veb faqen time dhe profilin në FB ka pasur mundësi ta shoh. Shkrimi i atëhershëm titullin e ka pasur “Mashtrimi, Vetëmashtrimi dhe Fashizmi” në Maqedoni. Në fund të shkrimit si zgjidhje pata dhënë emra të femrave shqiptare të dy partive që mund ta na nxjerrin nga kjo luftë e pakuptimtë e dosjeve serbe të Menduh Thaçit dhe kallashëve enverist të Ali Ahmetit. Thirrja ime ka qenë për një opozitë shqiptare të përbashkët kundër Gruevskit. Pata kërkuar që edhe Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të largohen nga skena politike dhe, në vend të tyre, të vijnë në shprehje dy femra shqiptare nga partitë e këtyre dyve. Ky ka qenë një propozim shumë i sinqertë dhe pa djallëzira. Gjithashtu pata paralajmëruar për rrezikun nga koncepti fashist që kishte filluar me të madhe të shfaqeshte rrugëve të Shkupit nga e djathta ekstreme e Gruevskit, por edhe çfarëdo fashizmi tjetër, “qoftë edhe si ky vehabit, nëse del në sipërfaqe”.

 
Ky shkrim ka qenë botuar në dhjetor të vitit 2011 pas shkrimit “Ali Ahmeti, po qeshet embel”. Un shkruaj rrallë, por kur shkruaj dhe përmendi emrat e njerëzve në politikë, drejtorët matrapazë të disa gazetave në Maqedoni, nuk e kam për kaprroçat e mia personale, por e kam nga shqetësimi, sikur çdo shqiptar tjetër në diasporë, për fatin e njerëzve dhe shqiptarëve që janë gjaku jonë atje, që janë zënë peng i unitarizmit të sistemit unitar të kontrolluara nga një grup njerëzish me shkolla ruso-serbe. A kam pasur unë të drejtë atëherë! Mbetet lexuesit shqiptar ta vlerësojnë, në veçanti njerëzit e racës sime dhe ata që nuk vrapojnë pas kolltukut të turpit!

Nga atëherë kemi shumë vlime politike, mbi të gjitha kemi revoltën popullore kundër operacionit policor të koduar “Monstrum” sipas modeleve serbe që praktikon kreu i policisë së Shkupit. Në këtë revoltë, për herë të parë, me tekbir u tha zëshëm: Alija dhe Menduhi jashtë politikës së shqiptarëve të Maqedonisë. Tjetra që tronditi establishmentin e kaurëve shqipfolës dhe shkijet ishte bashkimi i turqve, boshnjakëve, torbeshëve me shqiptarët, që janë shumicë në Shkup, kundër putave të pansllavizmit, (edhe këtë e kam paralajmëruar në intervistën time para dy vjetëve në Radio Zërin e Kosovës në Kopenhagë). Kurse tjetra, më e rëndësishme, që ndodhi pas kësaj revolte, ishte dekonspirimi i ca fashistëve të vegjël, të cilët, pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, u patën imponuar ndër shqiptarët mysliman të luajnë në kartën e vehabizmit dhe radikalizmit me pro dhe contra. Të krijohet përshtypja se vetëm Menduhi do të mund t’i rrijë përballë vehabizmit radikal, në njërën anë, kurse ish-imami pa dekret i Isa Beut, do të bëhet dolëzotësi i vehabizmit inekzistent në Maqedoni. Edhe i pari, edhe i dyti, kanë përgjegjësi politike dhe fetare dhe duhet të japin llogari nesër. Kurse, për incidentin e krijuar në xhamin e Isa Beut, ish-imami pa dekret duhet të jetë në burg dhe jo në ekranet mediatike. A je gjallë, o Kim Mehmeti!
Në shkrimet e mia, përveç kundërshtimit të politikës infantile të Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, unë kam venduar shigjetën edhe te Arben Xhaferi, që për mua është një islamofob me parametra të njëjtë sikurse Kastriot Islami, e ca të tjerë në Tiranë dhe Prishtinë, që haptazi kanë shfaqur mendimet e tyre islamofobe, mendime këto që janë të njëjta me platformën e psikopatit Breivik nga Norvegjia, për deislamizimin dhe shfarosjen e shqiptarëve mysliman nga tokat e Ilirisë.
Ajo çka është më trishtuese, edhe e frikshme, janë kërkesat e tyre për ndihmë drejtuar nacionalizmit kishtar serb kundër “islamit radikal” të shqiptarëve në Europën e tyre të krishtere.
Por, për fat të keq të tyre, nacionalizmi kishtar serb, pas gjithë asaj çka ka ndodhur, duke aplikuar politika gjenocidale mbi popujt e tjerë, sidomos mbi shqiptarët, nuk i ka mbetur guxim që të lidhet hapur në ndonjë aleancë me këta psikopatë, por këtyre, si duket, ua ka dhënë detyrën prej mercenarëve, njëjtë sikur në kohën e Ali Pashë Tepelenës, kur agjentët ruso-serb shfrytëzuan mirësinë e tij për të përhapur idetë pansllave në Greqi dhe gjithandej në Ballkan për të dalur në detrat e ngrohtë të Mesdheut.

I frikësohen pranverës shqiptare

Një mik i imi nga Kanada më dërgoj një link të lexoj turpësirat e Arben Xhaferit te gazeta – “Shqip” e Tiranës, që udhëhiqet dhe është nën ndikim të kaurëve të majtë shqipfolës atje. Sa herë që ndodh diçka në Maqedoni, Arben Xhaferin, e konceptit të djathtë politik, “mikun” e dikurshëm të Sali Berishës, e gjejmë te shtypi i majtë në Tiranë, duke na shitur mend për “islamin radikal”. Ka frikë të përmendë emrat tonë, eskivon në mënyrë skolastike, i përgjithëson problemet dhe kërkesat e popujve të disa shteteve arabe për liri i quan kërkesa selefiste në nivel global dhe thotë se “aktivitetin e tyre proselitist (ky është gabim i gazetës, pasi lidhje s’kanë atje në Tiranë me shkollat islame, ndaj gabimet drejtshkrimore janë evidente, duhet të jetë proselefist) këto qarqe e zhvillojnë në tërë rruzullin tokësor, prej SHBA-ve e deri në Maqedoni”. Këtu Xhaferi ynë, ylli i mendimit për kaurllëk, mbrojtësi i kishës serbe, bëhet edhe më qesharak, pasi ka problem edhe me demokracinë amerikane si funksionon ajo në SHBA, pasi ai me partiakun e tij Menduh Thaçin, në emër të nacionalizmit destruktiv, duke shkelur të gjitha rregullat demokratike, me ndihmën e shkive dhe të Tiranës së atëhershme zyrtare, na sollën përçarjet në Maqedoni, duke mbjellur frikë, duke kontrolluar çdo gjë prej krimit dhe deri në media, duke përdorur dosjet serbe si kamxhik kundër të gjithë atyre, që do të ishin të padëgjueshëm. Ngufatja e këtillë, pasurimi i tij dhe i partiakut të tij, Menduh Thaçi, vetvetiu i hapi rrugë Ali Ahmetit të lëshohet në aventurë në vitin 2001 për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që përfundon me Vetëmashtrim në Marrëveshjen e Ohrit. Të keqin, çdoherë e heq qafës i keqi më i madh. Kurse sundimin e të poshtërve me të gjitha të këqijat mund ta largon vetëm vetëdija shoqërore e njerëzve për revolucion.
Kur Ylli Pata e pyet Arben Xhaferin “mos është mbyllur epoka e dy partive shqiptare në Maqedoni dhe duhet një sistem tjetër?” Xhaferi, e hedh gurin te SHBA-ja, preferon model perëndimor të sjelljes politike, por edhe modelin e disa shteteve europiane, flet për gazetari të pavarur, duke i ikur pyetjes, pasi rezerva e tij për monolitizmin politik është se tradhtia mund të jetë nesër monolitet totalitar.
Nuk e di se a ka tradhti më të madhe se futja e Arben Xhaferit në qeverinë e Lubços në vitin 1998 me më pak deputetë se partia tjetër shqiptare? Nuk e di se a ka koalicion më molisës se koalicionet e partisë së tij me VMRO-n 1998 dhe 2006? Nuk e di, sa ka qenë Arben Xhaferi në sistemin unitar, se kush prej shqiptarëve i ka penguar atij dhe partisë së tij të mos ndërtojnë institucione të forta, pavarësi të pushteteve, gazetari të pavarur, etj. Duhet t’ia kujtoj Xhaferit reagimin e Emin Azemit “FAKTI ka kushtuar 5 milionë euro, Menduhi nuk ti jep as 5 banka”. Si duket, dardhat e skadume Arben Xhaferi mund t’i shes vetëm në Tiranë, por kurrsesi në Shkup, pasi moti ka çuar duar nga ky qytet i lashtë i Ilirisë, vetëm pse shqiptarët aty e kanë të theksuar dinin islam dhe jo kaurllëkun e tij.
Në fakt, strategjia e tij dhe partiakut të tij, Menduh Thaçi, është të respektohen normat demokratike, që do të thotë: të mos rrënohet sistemi unitar, por të mbetet kështu si është. I kanë frikë pranverës shqiptare, revoltës dhe revolucionit, që është forma më e mirë dhe e vetme për përmbysjen e regjimeve dhe elitave të poshtra politike, të atyre që manipulojnë, vjedhin në kurriz të popullit dhe zgërdhihen, kur bashibozukët e tyre, kërcënojnë, frikësojnë dhe rrahin ose përgjakin ndonjë bashkëpartiak të tyre.
Pyetja e fundit e Ylli Patës për Xhaferin, për të cilën edhe është intervistuar, ishte “Shqipëria tani zgjedh presidentin dhe shumë po kërkojnë një president që të jetë me integritet dhe njeri me autoritet që të ketë ndikim edhe në trevat shqiptare… keni ju një propozim?” Xhaferi nuk ka propozim konkret, as nuk ja ka pi sorra mend të mos e pranon se çfarë presidenti kërkojnë trevat shqiptare, por vetëm në mënyrë të sofistikuar na frikëson dhe thotë: “ata që kanë ndikim, kërkojnë të kundërtën: një president-pulë, që nuk e turbullon ujin. Kjo situatë është e njëjtë sidomos në shtetet ish-komuniste. Shikoni se çfarë farse krijohet në Rusi, ose në Serbi”.
Kur një yll i mendimit filozofik, siç donë ta quajnë disa Arben Xhaferin, nuk ka guxim të thotë një emër, qoftë edhe të sojit të tij prej kaurllëku, si Ismail Kadare, atëherë mua si shqiptar, me din të theksuar, më jepet e drejta të shkruaj se çka shoh rreth tymit të nargjilesë time në Edëar Road të Londrës: Nëse baca Salë, nuk propozon Jozefinën dhe nuk e përkrah kandidaturën e saj për Presidente, pranvera shqiptare do të transferohet prej Shkupit në Tiranë!?

Pse?
Jozefina Topalli, në mars të këtij viti ishte në Shkup, pata qëlluar edhe unë rastësisht, gjithashtu edhe në vjeshtë të vitit të kaluar, kur Sali Berisha ishte për vizitë në Shkup, pata qëlluar atje. Nuk e di pse, ama pata qëlluar: koinçindencë!
Shqiptarët e Shkupit, në vjeshtë të vitit të kaluar, mbetën jashtë agjendës së Kryeministrit, Sali Berisha, kurse në agjendën e Jozefina Topallit, njëshit të Kuvendit të Shqipërisë, shqiptarët e Shkupit ishin përfshirë aty.
Ajo nuk ishte as me ferexhe, as e mbuluar si nënë Tereza, pasi shqiptarët e Shkupit me din dhe iman nuk i përzihen askujt në veshje, në privatësinë e dikujt, por dolën e pritën si e kërkojnë traditat shqiptare.
Ajo do të mbetet e vetmja shqiptare, si politikane, nga një post shumë i rëndësishëm, pa kalkulime, pa hezitim se çka mund të flitet pastaj për deklaratat e saj, haptazi, pa dorëza, me një tonë të urtë si mbretëreshë, mu përpara putave falco të Gruevskit, tha: “Këtë vit ne shqiptarët festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 100-vjetorin e flamurit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim kontributin që dha popullsia e kësaj treve në çlirimin nga sundimi osman. Ishte pikërisht këtu kur në shkurt 1844, 10.000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës, çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë nga qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar”. Kjo nuk ndodhi me mesfushorin e futbollit Bamir Topi, kur vizitoi Shkupin!
A mund kush të më sjell një fjalim të tillë, të çfarëdo politikani deri më sot, që ka pasur këtë guxim dhe kurajo aq troç ta thotë se çka mendon për Shkupin, pas atij fjalimi retorik të diktatorit shqiptar nga Tirana “që nga Shkupi dhe Kaçaniku”. Mua, Jozefina më del më burrë se burrecat tjerë, që vijnë e na thonë “ruani qetësinë, durimin, vijnë të legjitimojnë politikanët dështakë të Maqedonisë”.
Ose tjetra, fjalimi i Jozefinës të mbajtur në Universitetin Bedr në Tiranë, “Modeli shqiptar i harmonisë ndërfetare është rasti unik në të gjithë botën. Ky model është një tregues i qytetërimit dhe humanizmit të kombit tonë, është një model inspirues dhe vlerë e jashtëzakonshme e kohërave moderne”
Nëse bëhet një anketë në Shkup, shqiptarët e Shkupit, që protestuan me 11 Maj, me tekbir Allahu Ekber, do të thonë, duamë Jozefinën për Presidente të Shqipërisë. Një kërkesë e njëjtë vjen edhe nga shqiptarët e diasporës. Jozefina nuk i trembet as rebelimit të Ilir Metës kur kërcen mbi tavolina të Kuvendit, as bashibozukëve tjerë, por kur thyenin rregullat parlamentare, thoshte: “nxirreni jashtë këtë vagabondë, mbyllet seanca”. Jozefinën sot e njeh Perëndimi dhe Lindja, karizma dhe sharmi i saj, është fascinues për çdo diplomatë të huaj. Ajo ka guxim të ju thotë edhe diplomatëve turq, “keni gjak shqiptari”.
Mbi të gjitha, në tymin e nargjilesë sime në Londër, mua Jozefina nuk më del se mund të jetë pulë, siç deklaron për gazetën – shqip Arben Xhaferi për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë. As nuk mund të jetë kandidatura e saj politike, ose e një partie, nëse propozohet nga PD-ja e Sali Berishës. A e din pse, ngase Arben Xhaferi e thirri Mirushe Hoxhën, e mashtroi, komprometoi dhe, në fund, fatin e saj e la në duar të destruktivit politik Menduh Thaçi. Nëse nuk është kështu, sillmani një argument se nuk është, jo veç shpifje dhe muhabete. Në sheriat duhet katër dëshmitar!
Pra, Mirushe Hoxha ka qenë e mashtruar nga Arben Xhaferi, qëllimi i tij ka qenë që ajo të përdoret për një taktikë të mbijetesës politike, pastaj të amortizohet, të etiketohet në mënyrë të pamëshirshme, pasi ajo rrjedh nga një familje me tradita fetare dhe kombëtare, ka një background të madh shkollimi, ku ne si shqiptarë nga Maqedonia mund vetëm të krenohemi me Mirushe Hoxhën. Të lutem, baca Salë, mos u bë si Arben Xhaferi!
Ndaj, unë kam propozim që Jozefina Topalli të jetë kandidate dhe të fitojë konsensusin e krejt shqiptarëve, të bëhet Presidente. Jozefina nuk është pulë, është femër shqiptare, shkodrane, motër e jona, e shqiptarëve pa dallim feje dhe ideologjie. Le të ndodh për herë të parë në historinë e re të Shqipërisë një femër në krye të vendit. Le të bëhet ky vullneti i gjithë shqiptarëve, ta imponojmë Jozefinën Presidente!
Nëse Atifete Jahjagën na imponuan me zarf, pse ne shqiptarët jashtë këtij procesi të kandidimit të mos e imponojmë përmes FB Jozefina Topallin si Presidente!
Çka fitohet me Jozefina Topallin? Fitojmë shumë si shqiptar, kthehemi në rrënjët tona, te kënga e shpirtit tonë, “jem ilira jem teuta” . Çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ka një mungesë në shpirt, s’di askush ta shpjegojë, as unë s’di mirë ta kapi në tymin e nargjilesë, por e ndjej në shpirt, e ajo më duket se është mungesa e mbretërisë së ilirëve, që na e copëtuan romakët, pastaj sllavët.
Prej Londre: Shkupi ka çu fjalë, Jozefina Kryetar!

SHPËRNDAJE