Një grua doli në tribunë dhe bëri të ditur që, personi për të cilin po prisnim, ishte i gatshëm të fillonte me ligjëratën e tij. “Zonja dhe zotërinj, kritiku i shquar dhe profesori i letërsisë në Universitetin e Oxford-it, John Carey. Ju faleminderit për praninë tuaj”, tha ajo dhe u largua nga foltorja. Profesor Carey pyeti nëse zëri i tij ishte mjaftueshëm kumbues deri në fund të sallës dhe nisi fjalimin mbi biografinë që po promovohej: “William Golding: Njeriu që shkroi ‘Zoti i Mizave’”. Autori i biografisë Carey dha një leksion të mrekullueshëm për peripecitë, krijimtarinë dhe gjithë jetën e novelistit Golding. Kur kreu Carey -si e do zakoni nëpër kësi lloj takimesh- u ul në tryezën skaj foltores për të nënshkruar librat e blerë. Rreshti ishte i gjatë dhe pas nja një çerek ore më erdhi radha edhe mua ta përshëndesja dhe të merrja firmën e tij. Duke parë kolonën pas meje, shtrëngova dorën e kritikut shpejt e shpejt dhe i thashë që meritonte lëvdata ngase nuk kishte asnjë jetëshkrim për nobelistin Golding. Tek po bëhesha gati të shkëpusja dorën time nga e tija dhe të merrja librin e firmosur, profesori ngriti shikimin dhe më pyeti nga isha me origjinë, ngaqë anglishtja ime kishte aksent europian. “Jam shqiptar”, ju përgjigja shkurt. Befas dhe ende duke tundur dorën time, Carey u ngrit nga karrigia dhe filloi të fliste për shkrimtarin Ismail Kadare. Mandej, vazhdoi të më bombardonte me pyetje, në e kisha lexuar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, …, “Vajza e Agamemnonit”?! Thënë të vërteten, nga një anë po më pëlqente që midis Upper East Side, në njërën ndër pjesët më të pasura dhe sofistikuara të New-York City-t, një autoritet letrar si John Carey po fliste në superlativ për një shkrimtar nga atdheu im origjinal. Por, nga ana tjetër, zura të sikletohem në mos njerëzit që po prisnin në rresht do të zemëroheshin që po ja çonim pakëz si gjatë. Sidoqoftë, qenë pikërisht disa prej pritësve që gjetën zgjidhjen optimale, pasi që na u afruan profesorit dhe mua dhe lutën Careyn t’u tregonte se si ishte emri i autorit për të cilin po fliste aq me miradi. “Ai quhet Ismail Kadare. Magjistar i fjalëve dhe një shkrimtar brilant. Kam qenë në jurinë e “Man Booker International Prize”, kur ju dha çmimi Kadaresë në vitin 2005. Absolutisht magjik; shkrimtar i shkëlqyeshëm!”, iu drejtua ai atyre që ishin përreth tij.. Ishte 8 qershor 2010. Përjashta, në Rrugën 86 dhe Avenynë Lexington, New-York City i gjallë, i ndezur dhe i bukur po lahej nga rreze të forta të diellit…… Kështu ndodhi edhe në shtator 2010, kur mora avionin përmes Gjermanisë prapa për New-York.

Personi afër meje ishte pjesa mashkullore e çiftit që më kishin pyetur nëse e kishin shkruar drejtë emrin e Ismail Kadaresë në librin e John Careyt mbi William Goldingun, para gati gjashtë muajsh. E ftova burrin të më bashkëngjitej dhe ai u ul në ndenjësen përskaj. Për pak më shumë se një orë, bashkëbiseduesi im ndau me mua me entuziazëm shumë gjëra që kishte mësuar për Kadarenë dhe shqiptarët si dhe gjashtë librat që ai dhe gruaja e tij kishin lexuar prej autorit nga Gjirokastra. Në çdo intermexo, kur ndalej të fliste për skena nga novelat e Kadaresë, zotëria shtynte revistën “The New Yorker” te ana ime e tavolinës dhe lexonte sa një paragraf sa një tjetër. “Ja këtu për shembull:…Kadare pashmangshmërisht krahasohet me Orwellin dhe Kunderan, por ai është një ironist shumë më i thellë se i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti… ose këtu…ai nganjëherë i shëmbëllen Jose Saramagos, një tjetër tradicionalisti postmodern…ose ja këtu nën portretin e tij… Kadare shkruan kthjellshëm për të patejdukshmen dhe të padepërtueshmen…”, bënte me gisht burri nëpër faqet e shkrimit mbi Kadarenë. Kur erdhi koha të ngrihesha, i kërkova falje zotërisë dhe shtova se unë mendoja që libri më i mirë i Kadaresë ishte “Kronikë në gur”. Ai u çua në këmbë dhe, duke marrë pozën e njeriut që di për çfarë flet, tha: “Edhe unë edhe gruaja e kemi lexuar “Kronikën” dhe kemi pasur diskutim se cili është libri më i mirë i Kadaresë. Sido që të jetë, të dy jemi pajtuar që “Pallati i ëndrrave” është numër një”. Qesha me gjithë zemër dhe në të kthyer kah dera, burri më kapi për krahu dhe foli për herë të fundit: “Kadare është vërtetë magjistar i fjalëve. Gruaja ime dhe unë kemi bërë plan të vizitojmë vendin e Kadaresë vitin që vjen, në maj”. I urova udhëtim të mbarë atij dhe bashkëshortes së tij dhe i lashë lamtumirën dashamirit….. Biseda për magjinë e Kadaresë na kishte habitur të dyve. Por, e mira e së mirës, së pakut tash e dija çfarë do t’i blija nuses sime si dhuratë për festën: një libër të ri të magjistarit të fjalëve, Ismail Kadare.

SHPËRNDAJE