Shkollat fillore në Luginën e Preshevës mësojnë me Abetare nga Shqipëria

Nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës sivjet punojnë me një abetare nga Shqipëria. Ato kanë nevojë për asistencë profesionale, presin që ne t’u lehtësojmë punën pedagogjike mësuesve. Jo vetëm kaq, mësuesit e Luginës së Preshevës kanë nevojë për zhvillimin e tyre profesional, për përditësim në fushën e mësimdhënies.

Tiranë, 19 dhjetor / AIK-Presheva Jonë

Për mua dhe dy koleget e tjera, Eridën dhe Anilën, është hera e parë që vizitojmë Luginën e Preshevës. Shkojmë atje për trajnimin e mësuesve të klasave I-IV. Kemi hartuar një program, sipas një kërkese që Këshilli Kombëtar Shqiptar i ka bërë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por askush prej nesh nuk e fsheh dot “sikletin” e brendshëm. Nuk e dimë sa të zotë do të jemi për të përmbushur misionin, për t’u ardhur në ndihmë kolegëve tanë. Shkollat fillore të Luginës së Preshevës sivjet punojnë me një abetare nga Shqipëria. Ato kanë nevojë për asistencë profesionale, presin që ne t’u lehtësojmë punën pedagogjike mësuesve. Jo vetëm kaq, mësuesit e Luginës së Preshevës kanë nevojë për zhvillimin e tyre profesional, për përditësim në fushën e mësimdhënies. Padyshim, atyre nuk u mungon kualifikimi dhe njohja në pedagogji e didaktikë, por interesohen për metodat dhe teknikat bashkëkohore, dhe kjo është e domosdoshme për ta, pasi në shumë lëndë janë të detyruar të bëjnë përshtatje të teksteve shkollore me programet mësimore. Atyre u duhen rrugë e forma efikase jo vetëm në punën e drejtpërdrejtë me nxënësit në klasë, por edhe në aspektin e planifikimit vjetor dhe atë të parapërgatitjes ditore. Këto të fundit guxoj t’i them tani, pas kthimit tonë nga Bujanoci, pas kontaktit me mësimdhënës e drejtues shkollash atje, pas shkëmbimit të përvojave me ta…

Lugina e Preshevës ndodhet në lindje të Kosovës dhe përfshin Preshevën në jug, Bujanocin në mes dhe Medvegjën në veri. Lugina e Preshevës administrativisht është ndarë nga Kosova në vitin 1945. Ka pozitë shumë të përshtatshme gjeografike, pasi ajo shtrihet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe laget nga Morava e Vardari. Lugina paraqet korridorin më të rëndësishëm dhe më të shkurtër të daljes së shteteve të Europës në Detin Egje. Presheva dhe Bujanoci gjenden në rrugën kryesore të Moravës, ndërsa Medvegja gjendet në rrjedhën e lumit Jabllanicë (degë e Moravës Jugore) dhe ka pozitë periferike më të pavolitshme gjeografike. Lugina ka reliev kodrinor malor në të dyja anët e lumit Morava, kurse në mes shtrihet fushëgropa e Bujanocit dhe Preshevës. Në perëndim, Luginën e Preshevës e mbyllin malet e Karadakut, ndërsa në lindje mali Rujen. Lumenjtë, duke rrjedhur nga malet e larta, kanë krijuar luginat e veta të thella dhe të ngushta e kështu kanë formuar reliev mjaft të copëtuar, por të shumëllojshëm. Fushëgropa e Bujanocit dhe Preshevës ka prejardhje tektonike.

Lugina e Preshevës ka potenciale natyrore të kufizuara. Bujqësia është degë kryesore e ekonomisë. Afër 70% e popullsisë merret me bujqësi. Kulturat kryesore që kultivohen janë drithërat, ndërsa prej bimëve industriale duhani, kultivimi i të cilit më parë zinte sipërfaqe të mëdha, sepse ishte me leverdi të madhe ekonomike, kurse kohët e fundit janë zvogëluar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë. Presheva (me 7 mijë banorë) është qendra më e rëndësishme e Luginës, e njohur për industrinë e materialeve të ndërtimit, industrinë e përpunimit të duhanit dhe të lëngjeve joalkoolike.

…Në buzëmbrëmje arrijmë në Bujanoc, që ndodhet në veri të Preshevës. Bujanoci (me 7500 banorë), është qendër komunale me industrinë ushqimore dhe të ujit mineral. Qyteti ndodhet në qendër të drejtimeve komunikuese, shumë afër autostradës ndërkombëtare E – 10: Beograd – Shkup – Selanik – Athinë. Na bën për vete qetësia, ajri i pastër, ndërtesat karakteristike. Nuk të zë syri pallate mbi 5 kate. Qendra ka një shesh dhe lulishte, rrugët janë të asfaltuara. Për ne është pak e çuditshme që uji i zakonshëm nuk tregtohet thuajse fare, në shitore gjen vetëm ujë të gazuar. Mësojmë se uji natyral është ujë i pijshëm dhe e gjen në çezma në çdo kohë.

Kontaktin e parë e marrim me zotin Agim Hasani, drejtor për arsimin në Komunën e Bujanocit, me zotin Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe me zonjushën Arbnora Ahmedi, sekretare e këtij këshilli. Mikpritja e tyre nis me një ftesë surprizë: Në mbrëmje, në sallën e shtëpisë së kulturës jepet një koncert artistik. Edhe pse të lodhur nga udhëtimi i gjatë, nuk mund ta refuzojmë shansin për të ndjekur atë aktivitet, që realizohej nën kujdesin e zotit Shaip Kamberi, kryetar i komunës. Ndërtesa e komunës ndodhet në qendër të Bujanocit. Po kështu edhe shtëpia e kulturës. Salla e shfaqjeve u mbush plot e përplot me artdashës të të gjitha moshave. Prezantuesja, mësuese e klasës së tretë fillore, por edhe gazetare e medias lokale, njofton edhe praninë tonë në sallë. Ne emocionohemi, sidomos nga interpretimi plot elegancë e virtuozitet i valleve prej djemve e vajzave amatore (të gjithë të veshur me kostume kombëtare), që kryesisht janë nxënës të shkollës së mesme, por anëtarë të rregullt të shoqërive kulturore artistike). Shoqëritë kulturore artistike mbajnë gjallë trashëgiminë folklorike dhe etnografike. Ato pasurojnë jetën shpirtërore të shqiptarëve të Luginës, brenda kufijve shtetërorë të Serbisë. Përveç valleve, edhe këngët patriotike dhe pjesët humoristike shoqërohen nga duartrokitjet e vazhdueshme të sallës. Se pse më lind një ndjenjë admirimi për këtë jetë të gjallë artistike. Ndoshta gaboj, por kam përshtypjen se ne këtu, në Shqipëri, e kemi pak të zbehur e të vakët aktivitetin e grupeve artistike, e kemi lënë si mënjanë, në harresë, i aktivizojmë ato vetëm për raste festivalesh dhe vetëm në festivale. Shtëpia e kulturës në Bujanoc ka kthyer në traditë të përvitshme: javën “Svetosavska”; ekspozitën e punëve të parashkollorëve, të shkollave fillore dhe të mesme; verën kulturore dhe ditën e Shtëpisë së Kulturës. Bujanoci është qytet i rinisë dhe i sportit. Që në vitin 2000, këtu është ndërtuar edhe qendra sportive. Mësojmë se Shtëpia e Kulturës ka bibliotekë të pasur, por një pjesë e mjediseve janë lëshuar për t’u shfrytëzuar përkohësisht nga Fakulteti i Ekonomisë që sapo është hapur në Bujanoc.

Detaje

Lugina e Preshevës ka 1249 km2 me 111 000 banorë, dendësi 76 banorë për km2 dhe me 62% shqiptarë, është ndër rajonet me dendësi të madhe të popullsisë dhe karakterizohet nga shkalla e lartë e lindshmërisë. Komuna e Preshevës ka 264 km2 me 40 000 banorë, dendësi 129 banorë për km2 dhe me 95% shqiptarë. Komuna e Bujanocit ka 461 km2 me 50 000 banorë, dendësi 95 banorë për km2 dhe me 60% shqiptarë. Komuna e Medvegjës ka 524 km2, me 21 000 banorë, dendësi 33 banorë për km2 dhe me 32% shqiptarë. Numrin më të madh të popullsisë e ka Komuna e Bujanocit, ndërsa dendësi më të madhe ka Komuna e Preshevës. Sipas dy regjistrimeve të fundit, komunat e Preshevës dhe Bujanocit tregojnë rritje të popullsisë, ndërsa ajo e Medvegjës tregon ulje për 400 ose rreth 20%. (Gazeta SHQIP)

SHPËRNDAJE