Prof.Dr. Shefqet KRASNIQI

Kosova, jo rastësisht është thënë se është kampione, por vetëm atëherë kur fjalët thurën në kontekst me problemet e shumta me të cilat ballafaqohet shoqëria. Është e pamundur të zhvillosh ndonjë ndejë apo takim e të mos zihen në gojë këto probleme. Kështu e ka jeta. Njerëzit interesohen për gjërat që preokupojnë ata. Para pak ditësh, më rastisi, që në një takim të diskutojë me një qytetar nga Drenica, i cili në luftë kishte humbur djalin, dy vëllezër dhe shumë të afërm tjerë. Nuk ngurronte të shprehte indinjatën e thellë dhe zhgënjimin me realitetin e krijuar pas lufte: ‘Kemi shpresuar shumë se pas lufte do të jemi të bashkuar, do të punojmë të gjithë për fe e atdhe, veç të çlirohemi, edhe nëse hamë bukë e kripë nuk do jetë aspak problem.’ Një tjetër, e që në fakt ishte arsimtar, rrëfen po kështu për përvojën e tij. Thotë se pas lufte kishte takuar një shok të tij, i cili kishte qenë një ish i burgosur politik, dhe në bisedë e sipër, kishin diskutuar edhe për degjenerimin dhe braktisjen e vlerave të mirëfillta. ‘Luftën e planifikojnë të mençurit, e bëjnë trimat, e pastaj dilinxhitë (lapërdharët) e hanë lirinë” –tha plaku si vërtetim të atyre fjalëve.

Njerëzit qeshën, por unë nuk qesha, ngase mu dukën fjalë me vend. Të hidhura, por të vërteta. dikush ka dhënë shumë për këtë luftë, e pak ia ka pa hairin, derisa të tjerë, janë futur nëpër skuta apo kanë ikur fare, janë ndër më të privilegjuarit. Kosova vend paradoksesh!…

U çlirua vendi, u largua okupatori, e shpallëm edhe Pavarësinë, por njerëzit nuk realizuan atë që synuan, apo atë për të cilën patën menduar se po sakrifikojnë. Thënë të vërtetën, Kosova nuk ka kapacitete që të bëjë mrekulli, por kjo nuk do të duhej të merrej për arsyetim për të mos bërë asgjë për të, e aq më pak për ta vënë atë pas interesit personal. Politikanët tanë do të duhej të ishin më të përkushtuar për çështjen e atdheut. Preokupimi i tyre, ditën dhe natën, do të duhej të ishte halli i qytetarit: si t’i dilet në ndihmë atij dhe çfarë mund të bëjnë ata për të! Misioni i tyre është përtej çdo interesi material. Ata janë caktuar për të qenë në shërbim të popullit, për të punuar për mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] në lidhje me këtë thotë: “Prijësit (udhëheqësit) më të mirë janë ata të cilit i doni dhe ju donë juve, luteni për ta dhe lutën për ju. Ndërsa prijësit më të këqij janë ata që i urreni dhe ju urrejnë, luteni kundër tyre dhe lutën kundër jush”.

Bie pyetja, cilit grup i takojnë prijësit tanë?! Përgjigjen jepeni vet.

Karriga është aq e rëndësishme për ta saqë nuk e japin atë, edhe nëse një pjesë e shtetit jepet, apo edhe vet shteti.

Ju lutem, kuptomëni, nuk flas nga urrejtja personale ndaj dikujt, por kam frikën se Kosova është shndërruar në gjësend tregtie, dhe duke krahasuar veprimet e politikanëve tanë me ata të mëhershmit, vërtetë nuk po mund të gjejë shumë dallime. Jam tepër i shqetësuar që tani, pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, për fatin e veriut. A thua me ç’pretekst do t’ falet Serbisë? Se miqtë tanë ndërkombëtarë po e kërkojnë një gjë të tillë?! Kosova nuk është e miqve, ajo është e jona. Iu jemi shumë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen, por Kosovën për askënd nuk mund ta japim.

Sinqerisht, kam edhe një brengë tjetër. Nuk di se herën tjetër kur ndoshta në treg do të hidhet veriu çfarë problemi artificial do të krijohet. Deri më tani prijësit tanë nuk janë treguar fare të suksesshëm në qeverisjen e vendit. Këtë gjë ata e kanë kuptuar shumë mirë, bile janë ekspertë ndoshta vetëm në këtë lëmi, ngase sa herë iu paraqiten probleme të mëdha, dinë t’i kalojnë me ‘gjeturi brilante’, duke krijuar probleme të paqena, vetëm e vetëm për ta zhvendos vëmendjen e popullit nga rrjedhat e rrezikshme nëpër të cilat po kalon vendi. Ata i hedhin popullit hi syve. Në vitin e kaluar ministri i arsimit pati deklaruar se nuk do të ketë problem për shaminë dhe se çdo kosovareje do t’i garantohej e drejta e arsimit, por në kohën kur Kosova po hynte në bisedime dhe populli ishte në huti se çfarë po ndodhte, ata iu qasën të drejtave islame, jo vetëm duke i mohuar, por edhe duke i ekzagjeruar aq shumë saqë i çuan edhe në parlament, gjëra që nuk kanë qenë fare për parlament. Shpikën fantazmën e gjoja ekstremizmit islame, në kohën kur vendi mburrej me tolerancën, dhe këtë duke iu detyruar vetëm shumicës absolute myslimane në Kosovë. Skenari, siç duket, u përsërit edhe tash me këtë fusnotën, që deri para pak kohe ishin në ankth nga fantazma e saj. Për të zhvendosur vëmendjen, krijuan një problem përkitazi me shaminë e vajzave të reja që shkojnë në shkolla fillore dhe të mesme, atje ku në fakt nuk do të duhej të kishim fare probleme të brendshme, ngase kemi problemin më madhor dhe më të vështirin për ta zgjidhur. Mirë pati deklaruar një politikan i opozitës se qeveria po krijon probleme të karakterit islam, për t’i ikur realitetit të hidhur në veri të vendit. Të drejtat islame jo vetëm që shpërfillen dhe në kontekst me to Kushtetutës i jepen komentime vend e pavend, porse është bërë pothuaj një lloj karremi, me të cilin tërhiqet vëmendja e opinionit sa herë që pushteti e sheh të nevojshme.

Në Kosovë myslimanët janë shumicë absolute, por për çudi kërkesat tona asnjë nuk na u përmbushën. Nuk di përse këto qëndrime kaq të ftohta karshi nesh, por nuk di edhe sa do të mund ta durojmë këtë gjendje?!

E përshëndesim vendimin e KK-Mitrovicë për kthimin mbrapsht të vendimit që ndalonte pjesëmarrjen e nxënëseve me shamia në shkolla, sikur që falënderojmë shumë shokët dhe shoqet e tyre që iu dolën në përkrahje në momentet më të vështira!

E lus Zotin që këtij populli të përvuajtur ndër shekuj, ta ndihmojë dhe begatojë me prijës dhe liderë të drejtë, të cilët nuk do t’ia shkelin të drejtën askujt!

Dashtë Zoti e liderët tanë përmirësohen!

Sërish takohemi javën tjetër –inshaAllah!

Deri atëherë, Selam alejkum!

SHPËRNDAJE