Shefko e Edini u sulmuan pas konfrontimit me UNMIK-un

Vrasja e Shefko Sallkoviqit në veri, familjarët dyshojnë se sulmi ka të bëjë me vizitën e përfaqësueses së UNMIK-ut për Leposaviq, rusen Lilia Galieva.

Shtëpia e Shefko Sallkoviqit ka mbetur shkret pa asnjë njeri, që nga dita e mërkurë, kur i zoti i shtëpisë u vra dhe u plagos komshiu i tij, Edin Islamoviq, që të dytë të angazhuar nga KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve në disa fshatra në veri të vendit. Familjarët e tyre dyshojnë se sulmi ka të bëjë me vizitën e përfaqësueses së UNMIK-ut për Leposaviq, rusen Lilia Galieva. Njëri nga familjarët e Shefkos ka treguar me kusht anonimiteti rrjedhën e incidentit me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të OSBE-së, që i kishin shkuar në shtëpi, dhe sipas tyre ua kishin tërhequr vërejtjen se pse po ndihmojnë mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shefko ishte tek ne duke ndenjur kur papritmas këtu erdhi një makinë e UNMIK-ut në të cilën kishte qenë administratorja e Leposaviqit, Lilia Galieva, e cila e kërkonte Shefkon. Në makinë ishte shoferi dhe një person rreth 25-vjeçar, i cili nuk fliste dhe ishte ulur mbrapa dhe nuk doli nga makina, por vetëm shikonte”, ka treguar ai. Shefko nuk kishte dashur që t’i takonte. “Shefko nuk doli nga shtëpia që të bisedonte me administratoren. Ajo u interesua rreth zgjedhjeve, duke na pyetur se për çka po doni të dilni në zgjedhje”, ka thënë ai. Sipas këtij familjari, që thotë se ka biseduar me përfaqësuesen e UNMIK-ut, ajo i kishte kritikuar Shefkon dhe Edinin, madje duke hedhur akuza se këta dy persona po merrnin para nga Prishtina. “Këta që janë të angazhuar (Shefko dhe Edini v.j) në organizimin e zgjedhjeve kanë marrë para të majme nga Prishtina e ju nuk keni marrë asgjë, na tha administratorja. Pas kësaj bisede ata shkuan, por kur dolën në fund të rrugës u kthyen për në shtëpinë e Shefkos, me këtë rast Shefko ka dalë dhe se bashku me Edini dhe unë kemi shkuar tek makina e UNMIK-ut ku i kemi takuar rreth 20 metra larg shtëpisë mu aty ku është lëndina”, ka thënë ai, duke treguar hapësirën ku ishte ndalur vetura e UNMIK-ut.

“Me këtë rast Shefko iu ka drejtuar administratores së UNMIK-ut me fjalët se çka jeni duke dashur këtu në Rvatska, ju e dini që jeni të padëshiruar, ikni nga këtu, nuk dua më t’ju shoh këtu”. E tëra kjo, sipas këtij të afërmi të viktimës, ka ndodhur rreth orës 13:30. “Makina e UNMIK-ut ka filluar të shkojë për në Leposaviq dhe pas 15 minutave në atë drejtim janë nisur edhe Shefko me Edinin. Derisa unë u ktheva në shtëpi, në kohë diku rreth 5 minuta më kanë thirrur në telefon dhe më kanë thënë se në urën mbi Ibër, në fshatin Podstenje është një makinë me targa KS dhe ka një person të vrarë”, ka treguar ai. “E kam ditur se ishte Shefko”, ka deklaruar me dëshpërim i afërmi i Shefkos. “Ne dyshojmë se personi në makinë ka qenë ai që ka dhënë informacione për vrasësit”, ka deklaruar ai.

Sallkoviqët theksojnë se prita ishte organizuar në cepin lindor të urës, e kur makina ka arritur në fund të urës, vrasësi apo vrasësit kanë dalë dhe kanë qëlluar shoferin, që në atë rast ishte Edini, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Makina ishte ndalur, ndërsa Shefko dhe Edini, të paarmatosur, kanë filluar që të fshiheshin duke u zvarritur poshtë urës në lumin Ibër, dhe nga aty janë qëlluar në gjakftohtësi. Në këtë fatkeqësi rastësisht ishte paraqitur edhe nëna e Shefkos, mirëpo ishte shumë vonë për t’i ardhur në ndihmë. “Shefkon e ka nxjerrë nga uji nëna e tij, e cila ishte duke shkuar tek një i afërm i saj në fshatin Leshak”, ka thënë më tutje ky i afërm.

Në anën tjetër UNMIK-u edhe gjatë ditës së enjte, ashtu sikur edhe të mërkurën, ka refuzuar të komentonte se cila ka qenë arsyeja e acarimit të situatës me viktimat e sulmit. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Oliver Salgado, ka deklaruar shkurt se “nuk i di detajet e bisedës”.

“Në lidhje me pretendimet e juaja për natyrën e bisedës në mes të stafit të UNMIK-ut dhe viktimës për incidentin e djeshëm, informacioni ynë është që biseda në mes të stafit të UNMIK-ut dhe grupit të banorëve, duke përfshirë edhe viktimën, nuk ka pasur diçka të pazakontë, dhe bisedat kanë qenë në lidhje me çështjet e projekteve të infrastrukturës, subvencionet dhe zgjedhjet”, ka thënë Salgado, duke mohuar se aty ka pasur acarim të situatës.

Ndërkohë, zëdhënësja e OSBE-së, Edita Buçaj, ka deklaruar se punëtori i OSBE-së, i cili kishte qenë bashkë me pjesëtarët e UNMIK-ut, ka qenë në një udhëtim rutinë në atë zonë, si pjesë e vizitave të rregullta të misionit në pjesët e Kosovës ku ka komunitete. Sipas saj, ky punëtor i OSBE-së nuk është pjesë e divizionit të OSBE-së për zgjedhjet. Ajo ka thënë se OSBE-ja në zgjedhjet e 12 dhjetorit ofron këshilla teknike dhe përkrahje për KQZ-në në përgatitjen e zgjedhjeve.

Shefko Sallkoviq ishte zgjedhur lider i 5 fshatrave boshnjake të Leposaviqit. Ai është vrarë, ndërsa Edin Islami është plagosur rëndë në një sulm të armatosur nga persona ende të panjohur, të mërkurën, rreth orës 14:00. Sulmi ka ndodhur në Leposaviq, në një pritë që u është organizuar viktimave në fshatin Podstinje, pikërisht në urën që lidh këtë fshat me magjistralen e Ibrit. Megjithëse policia ende nuk i ka bërë të ditura motivet e këtij akti të rëndë kriminal, burime brenda policisë i kanë thënë gazetës se sulmi është i lidhur drejtpërsëdrejti me mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit, ngase Sallkoviq ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më të devotshëm të institucioneve të vendit në veri. Shefko Sallkoviq ka qenë i angazhuar si trajner në Komisionin komunal të zgjedhjeve në Leposaviq, ndërsa i plagosuri Islamoviq ka qenë anëtar i Komisionit dhe në momentin e sulmit ata kanë qenë në orar të punës me veturë zyrtare. Islamoviq të mërkurën rreth orës 23:00, për shkaqe sigurie, është transferuar nga spitali i Mitrovicës në veri në Qendrën Klinike Universitare, ku është duke u trajtuar në klinikën e kujdesit intensiv dhe mjekët shpresojnë që ai shumë shpejt do ta marrë veten.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni