Shefi i OKB-së për “Presheva Jonë”: Ban Ki-Moon: Bllokimi i kufijve, i papranueshëm

NEFAIL MALIQI ME SHEFIN E OKB-së BAN KI-MOON

 


Njeriu numër një i OKB-së z. Ban Ki-Moon në një intervistë ekskluzive për agjencisë informative “Presheva jonë”  ka deklauar se *misioni i komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe UNMIK-un, nuk ka mbaruar: Pra, duhet bërë më shumë për të ndërtuar një besim më të madh, për të nxitur pajtimin dhe për të inkurajuar vendimin e dallimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërmjet komuniteteve në vend, në mënyrë që të mbështesin dialogun e filluar në Bruksel dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik dhe prosperitetin e rajonit…”

 

Gjenvë/UNO,dhjetor/ AIK-Presheva Jonë

Situata në Kosovë, roli i OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar në rajon, zhvillimet e fundit në Veri, Mitrovica dhe barrikadat serbe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, raporti i Dick Marty në sytë e OKB-së… këto janë vetëm disa pyetje të cilave sekretari gjeneral i OKB-së Ban Ki-Moon u përgjigjet në intervistën e dhënë për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë”.

Presheva Jonë: Zoti sekretar i përgjithshëm, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka 10 vjet që ekziston. A mendoni se i ka arritur objektivat e tij për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon? Pas 10 viteve të prezencës ndërkombëtare (përmes UNMIK-ut, EULEX-it dhe KFOR-it) në Kosovë, cili është vlerësimi juaj për situatën në rajon?

SEC.GEN.KI-MOON:Që nga vendosja e tij në 1999-n, roli i UNMIK-ut ka qenë kyç për nxitjen e demokracisë dhe pajtimit, si dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Me përjashtime të kufizuara, dhe pavarësisht sfidave të rëndësishme, situata në vend ka qenë e qetë. Gjatë periudhës si një administratë e përkohshme, por edhe pas rikonfigurimit të tij, UNMIK-u ka krijuar kushte për njerëzit në vend, që të jetojnë një jetë normale dhe të fillojnë ndërtimin e një të ardhme më të mirë për veten. Megjithatë, puna e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë UNMIK-un, nuk ka mbaruar: duhet bërë më shumë për të ndërtuar një besim më të madh, të nxitur pajtimin dhe për të inkurajuar vendimin e dallimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe ndërmjet komuniteteve në vend, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin afatgjatëekonomik dhe prosperitetin e rajonit.

Presheva Jonë: Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga 86 shtete, përfshirë SHBA-në, shumicën e anëtarëve të BE-së dhe Zvicrën. A mendoni se së shpejti do të bëhet një anëtare e Kombeve të Bashkuara?

SEC.GEN.KI-MOON:Kjo është një pyetje që duhet t’ju bëhet shteteve anëtare të OKB-së.

Presheva Jone: A mendoni se “bisedimet teknike” në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë të frytshme?

SEC.GEN.KI-MOON:Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së ka dhënë tashmë frytet, duke sjellë arritjen e marrëveshjeve në fusha të karakterizuara nga mosmarrëveshjet e gjata, si për shembull vulat e doganave, certifikimi i diplomave dhe çështjet e gjendjes civile. Është e rëndësishme që palët vazhdojnë të tregojnë besim në dialog dhe që angazhohen me mirëbesim, në mënyrë që marrëveshjet e mëtejshme të arrihen dhe përparim është bërë edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të krijuar kushte të përshtatshme për rifillimin e këtij procesi dialogu, i cili, sipas zhvillimeve të fundit në Kosovën Veriore, duket se është bllokuar.

Presheva Jonë: Problemi i veriut të Mitrovicës mbetet shqetësues. A kane Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar një strategji për zgjidhjen e problemit të këtij qyteti, i cili nuk është as plotësisht në paqe e as në luftë?

SEC.GEN.KI-MOON:Çështjet e vjetra, që lidhen jo vetëm me Mitrovicën Veriore, por edhe me gjithë pjesën veriore të Kosovës, ndoshta përbëjnë sfidat më të ndjeshme me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar sot në Kosovë. Megjithatë, ata nuk mund të shikohen apo të zgjidhen jashtë kontekstit të çështjeve të tjera që lidhen me Kosovën dhe rajonin. Duke pasur parasysh pikëpamjet e komuniteteve në vend, unë kam theksuar se këto çështje të ndjeshme mund të zgjidhen vetëm në mënyrë paqësore. Ndërsa ndarjet në komunitetin ndërkombëtar në lidhje me çështjen e statusit të Kosovës vazhdojnë të ndikojnë në përpjekjet e bëra nga Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të inkurajuar të gjitha palët të tregojnë durim dhe të angazhohen në dialog, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të përshtatshme që mund të sigurojnë paqe të qëndrueshme në rajon. Çështja e veriut është një konflikt shumëvjeçar, çështje politike historike, por ata duhet të diskutojnë nëpërmjet dialogut. Prandaj, ftoj që Serbia dhe Kosova, që ta zgjidhin mospajtimin kufitar dhe theksoj se kufijtë e bllokuar janë të papranueshëm. Kërkoj nga ata që t’i zgjidhin të gjitha çështjet, që janë në pritje dhe është e papranueshme që kufijtë janë të bllokuar.

Presheva Jonë: Cilat janë pikëpamjet tuaja mbi raportin e Dick Marty, i cili akuzon autoritetet e Kosovës për “trafikim organesh” ?

SEC.GEN.KI-MOON:Unë kam shprehur mbështetjen për hetim të plotë, të paanshëm dhe të pavarur në akuzat e rënda e trajtimit çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore të përfshira në këtë raport.