Reagim i ashpër nga Teherani. Kërkohet falje publike nga Amerika dhe dënimi i autorit

 

Një pastor evangjelistë nga Florida ka djegur disa kopje të Kuranit dhe një foto të profetit Muhamed në shenjë proteste kundër arrestimit të një besimtari kristianë në Iran. Dhjetëra persona kanë asistuar në momentin kur pastori u vuri flakën objekteve të kultit të besimit myslimanë, ndërkohë që një video është transmetuar në Youtube nga pasuesit e pastorit Terry Jones.

Sipas gazetës “The Gainsville Sun”, Pentagoni është përpjekur disa herë, po nuk ka mundur të ndalojë pastorin të ndërmarrë veprimin ekstrem. Mësohet se pastori Terry Jones ka kërkuar lirimin e Youcef Nadarkhani 1, një pastor kristian i burgosur në Iran. Youcef Nadarkhani është arrestuar në tetor të vitit 2009, sepse në moshën 19-vjeçare është konvertuar në kristian. Ai u dënua me vdekje në shtator të 2010, por Gjykata e Lartë e anuloi dënimin me vdekje në korrik të vitit 2011 dhe e ka çuar çështjen sërish për gjykim në gjykatën e Rasht, në provincën e Gilan, që është vendi i origjinës së të dënuarit. Procesi i dytë ka nisur në shtator të vitit 2011, por vendimi nuk është bërë ende publik. Sot Nadarkhani është 34 vjeç dhe është pastori i një komuniteti të vogël evangjelistë i quajtur “Kisha e Iranit”.

Ndërkaq veprimi i Jones është dënuar nga Teherani. Ministria e Jashtme iraniane ka dënuar gjestin e pastorit amerikan duke nënvizuar se veprimi është në vazhdën e “projektit të dështuar të Islamofobisë”. Ndërkaq autoritetet e Teheranit kanë deklaruar se janë në pritje të reagimit të SHBA-së dhe kërkimit të faljes publike për fyerjen që i është bërë botës së Islamit, si dhe dënimit të merituar të autorëve të ngjarjes. (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE