Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin aspiratat euro-atlantike të rajonit dhe vlerësojnë si pozitive zhvillimet e fundit, përfshirë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë dhe hapjen e studimit të fizibiletit për marrëveshjen e stabilizim-asociimit për Kosovën.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për orientimin evropian të Kosovës dhe përforcon perspektivën evropiane të vendit. Ne besojmë që nga këto hapa përfitojnë jo vetëm këto vende, Serbia dhe Kosova por i gjithë rajoni”.

Reeker tha se mes reformave që duhet të përmbushë Serbia është edhe vazhdimi i dialogut me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), përfshirë rrugët për të përmirësuar jetën e qytetarëve të dy vendeve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se ka ardhur koha për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të vazhdojë të mbështesin këto përpjekje, dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE). Përpjekjet tona kanë si synim të ndihmojnë për të çuar përpara reformat dhe për të gjetur zgjidhje paqësore që të kontribuojnë në stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e gjithë njerëzve në rajon”.

Reeker tha se një nga marrëveshjet që duhet vënë në zbatim është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit. Ai theksoi nevojën e lëvizjes së lirë për EULEX-in dhe KFOR-in në gjithë Kosovën. Reeker u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, në veriun e Kosovës.

“E kemi shprehur shumë qartë dhe OKB-ja e ka bërë gjithashtu të qartë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë jo nën juridiksionin e Kosovës do të nxirrte përfaqësues që nuk do të kishin autoritet”.

Në planin e përgjithshëm për veprim, tha ai parashikohet mbajtja e zgjedhjeve në kuadrin ligjor të Kosovës. Reeker tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për shtimin e njohjeve dhe i inkurajojnë në këtë drejtim udhëheqësit e huaj të vendeve që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Vendet që nuk e njohin Kosovën duhet ta bëjnë një gjë të tillë sepse ne mendojmë se është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe është shumë e qartë siç e bëri të qartë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) që deklarata e pavarësisë ishte në përputhje me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Reeker tha se Uashingtoni i nxit ta bëjnë një gjë të tillë edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe theksoi se Këshilli Evropian mori një hap të rëndësishëm me studimin e fizibilitetit dhe se e gjithë ideja e integrimit të Ballkanit Perëndimor është që këto vende të përfshihen në familjen evropiane.

SHPËRNDAJE