Zëvendësndihmësi amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, deklaroi sonte se SHBA-ja pret që EULEX-it të nisë një hetim serioz lidhur me pohimet e raportuesit të Parlamentit Evropian, Dick Marty, me bashkëpunim të plotë të Prishtinës, Tiranës dhe Beogradit.

“Raportin e kemi kuptuar shumë seriozisht dhe ai paraqet sfidë të madhe për stabilitetin e tërë rajonit. Presim që të gjitha palët të tregojnë se dëshirojnë sundimin e ligjit, e jo qasje politike”, tha Countryman për mediat serbe.

Ai lavdëroi Serbinë dhe Kroacinë për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe tha se në Kosovë nuk janë të zhvilluara në masë të mjaftueshme kapacitetet për zhvillimin e një lufte të tilla.

Sipas mendimit të këtij zyrtari amerikan, raporti i Martyt nuk duhet të ndikojë në fillimin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

“Qëndrimi i presidentit serb Tadiq është real, kur thotë që nëse Thaçi nuk është akuzuar, derisa të mos ketë dëshmi të forta, ai do të jetë partner i duhur i Serbisë në ato negociata”, vlerësoi Countryman.

Po ashtu, ai theksoi se nuk është çështje se a do të fitojë veriu i Kosovës status special, por të krijohet status i tillë që do të garantonte të drejtat e njeriut dhe ato politike të çdo nacionaliteti.

SHPËRNDAJE