Prishtinë, 31 maj

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ndarë një donacion prej 1,5 milionë dollarësh amerikanë, në mbështetje të projekteve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore, në të cilat vendin dominant e zënë kishat serbe. Ky donacion i është dorëzuar Ministrisë së Kulturës në Kosovë, nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili këtë ngjarje e ka cilësuar si ndihmë Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë dhe kulturën e saj. Ndërkaq, zyrtarët e Ambasadës Amerikane në bashkëpunim me Ministrin e Kulturës kanë përzgjedhur projektet të cilat do të përfitojnë nga ky donacion. Sipas Krasniqit fusha e trashëgimisë kulturore është njëra nga prioritete kryesore të kësaj Ministrie, duke pasur parasysh se nevojat për të investuar dhe për të adresuar gjithë këtë fushë, dhe po ashtu monumentet e caktuara në Kosovë janë të mëdha, andaj ky është një donacion shumë i vlefshëm dhe shumë i mirëseardhur u shpreh ai. Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell tha se Kosova gëzon një trashëgimi të mrekullueshme dhe të shumëllojshme kulturore, që prej gërmadhave ilirike dhe romake, e deri tek kishat dhe manastiret mesjetare serbe, e shtëpitë e bukura në Prizren dhe gjetkë të shekullit XIX, ka thënë ambasadori Dell. Ai më tej tha se trashëgimia kulturore, nuk është pjesë e rëndësishme vetëm e së kaluarës së Kosovës, por edhe e së ardhmes së saj.

Projektet e përzgjedhura në një konkurrim të hapur e që do të përfitojnë nga ky donacion janë, restaurimi i Kalasë së Vushtrrisë, i Hidrocentralit të vjetër në Prizren, restaurimi i një kishe në Prizren, një kishe tjetër në fshatin Hoçë e Madhe, Shtëpia e Shehzades në Prizren dhe projekti i fundit ka të bëjë me digjitalizimin e afreskave në Manastirin e Graçanicës.

SHPËRNDAJE