Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se tre ushtarë të saj dhe tre marinsa kanë marrë dënime administrative për shkak të dy incidenteve, që kanë provokuar dhunë në Afganistan.

Njëri incident bën fjalë për një video, të publikuar në muajin janar, ku marinsat shfaqen duke urinuar mbi trupat e pajetë të luftëtarëve talebanë. Incidenti tjetër përfshin djegien e 100 kopjeve të Kuranit nga ushtarët, në muajin shkurt.

Dënimet e sakta nuk janë bërë publike, por ato mund të përfshijnë zvogëlimin e gradës dhe humbjen e pagesës. Po ashtu, dënimi mund të ndalojë avancimin e mëtejshëm ushtarak të marinsave.

Megjithatë, dënimet në fjalë nuk parashohin ndjekjen penale dhe është e paqartë nëse me këto dënime do të plotësohen kërkesat e afganëve për drejtësi.

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën në trazirat që kanë përfshirë Afganistanin pas djegies së Kuranit, ndërsa dy oficerë amerikanë janë qëlluar për vdekje./ (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE