Sharje mes Bllacës dhe Rrecajt në gjykatë

Nazim Bllaca, dëshmitari bashkëpunues, është pyetur për veprimtarinë e SHIK’ut, lidhjeve të tij me këtë shërbim, biznesin e pasluftës dhe shumëçka tjetër. Seanca e së martës është karakterizuar me ngritje nervash, tonesh e gati deri në ofendime, ndërmjet Bllacës dhe avokatit Tahir Rrecaj.
Se kujt i ka raportuar Shërbimi Informativ i Kosovës, duhet të pyetet Hashim Thaçi.
Kështu është përgjigjur Nazim Bllaca, të martën, në seancën gjyqësore, ku është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

Avokati i të akuzuarit Fahredin Gashi, Tahir Rrecaj, e ka pyetur Bllacën se kujt i ka raportuar SHIK-u, anëtar i të cilit Bllaca pretendon se ka qenë.

“Shko pyete Hashimin”, është përgjigjur Bllaca.

“Unë ty po të pyes”, ka përsëritur avokati Rrecaj.

“I vogël jam unë me t’u përgjigj në këto pyetje”, ka deklaruar Bllaca.

Këso konfrontimesh ndërmjet avokatit Rrecaj dhe Nazim Bllacës, ka pasur shpesh gjatë seancës gjyqësore të së martës.

Në një moment, Bllaca u bë shumë nervoz, kur avokati e ka pyetur në lidhje me pseudonimin e tij, SEIKO, dhe të të tjerëve.

Avokati Rrecaj ka ndërhyrë në përgjigjet e tërthorta të Bllacës, duke i kërkuar dëshmi se ai ka qenë në këtë shërbim.

“Mshele gojën, edhe unë jam dikush”, i ka thënë Bllaca avokatit Rrecaj.

“Nuk ke hekë ti nga SHIK-u se nuk kishe folë kështu”, i tha Bllaca, avokatit Rrecaj. Por, i nervozuar, avokati i tha Bllacës se duhet të përgjigjet drejt dhe mos të mundohet të filozofojë.

“Mos u mundo me na shitë përralla këtu. Përgjigju në pyetje. Edhe unë kam të vrarë dhe të zhdukur në luftë, rrjedh prej një familjeje patriotike dhe s’kam pasë nevojë me u rujtë nga bashkëvendësit e mi, prandaj mos ofendo”, i tha Rrecaj, dëshmitarit bashkëpunues.

Në lidhje me këtë, Nazim Bllacës ia ka tërhequr vërejtjen edhe gjyqtari kryesor i trupit gjykues.

Megjithatë, Nazim Bllaca tha se për shifrën që ka pasur, ka vendosur vetë, ndërsa për këtë e kanë ditur edhe njerëzit në qendër.

Bllaca tha se nga njerëzit e SHIK-ut e ka njohur Kadri Veselin, Fatmir Xhelilin dhe Ferat Shalën.

Me këta të fundit, ai tha se është takuar dhe ka folur ndërsa me Veselin, jo.

Por Bllaca nuk ka ditur të tregojë për organizimin e SHIK-ut.

Sa i përket grupit që ai e quan kriminal, detyra e tyre, sipas Bllacës, ka qenë që nga mëngjesi ta përcjellin njeriun, e deri në vrasjen e tij.

Avokati Rrecaj e ka pyetur Nazim Bllacën edhe në lidhje me një vrasje për të cilën ai e kishte akuzuar Fahredin Gashin.

Dëshmitari Bllaca tha se ende qëndron prapa asaj se Fahredin Gashi dhe Sadik Abazi e kanë vrarë Adem Lahun nga Kraishta.

“Fahredin Gashi dhe Sadik Abazi janë ata që e dinë edhe se si e kanë lënë kufomën e Adem Lahut”, tha Bllaca.

Por sipas tij, të gjithë në sallë e kanë ditur për këtë vrasje, sepse siç tha ai, Shpresim Uka dhe Shaban Syla kanë dhënë deklarata të rrejshme në polici.

Avokati Rrecaj ia rikujtoi Bllacës se në lidhje me këtë rast, kanë pushuar hetimet, sepse nuk janë gjetur prova se Gashi ka gisht në vrasjen e Lahut.

Avokatit i ka interesuar edhe rreth shoqërisë së tij me Fahredinin dhe punën e bizneseve me të.

Bllaca tha se ka dëgjuar se Fahredini është përfolur si bashkëpunëtor i serbëve dhe se ka qenë i arrestuar gjatë luftës në burgun e UÇK-së në Llapushnik.

Avokati Rrecaj e ka pyetur Bllacën se pse ishte shoqëruar me të, pasi që kishte dëgjuar se ishte bashkëpunëtor i serbëve.

Bllaca tha se nga burgu i Llapushnikut, Gashin e kishte liruar Azem Syla, andaj duke menduar se Azemi nuk gabon në këso raste, është shoqëruar me të.

Bllaca ka folur edhe rreth bizneseve që ka pasur me Gashin, e që këto kanë filluar në vitin 2002-2003 dhe se gjatë kësaj kohe, kanë bërë rreth dy mijë biznese.

Avokati edhe për këtë veprimtari i ka kërkuar dëshmi Bllacës, por në mungesë të tyre, ai ka ironizuar me pyetjet e avokatit.

“Unë nuk kam mujtë me ba kontratë edhe kur kam shitur ndonjë lopë”, tha Bllaca.

Pas fillimit të problemeve ndërmjet vete, Bllaca tha se është dashur ndërmjetësimi fillimisht i Shpresim Ukës, e më vonë edhe i Azem Sylës.

“I erdh kësmeti me dalë senet nëpër fushë”, tha Bllaca.

Marrja në pyetje e Nazim Bllacës nga ana e avokatit Tahir Rrecaj do të vazhdojë edhe të mërkurën.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni