Shaqiri: Jam kërcënuar nga tifozët shqiptarë, por unë nuk jam tradhtar!

Zvicra është kundërshtari i Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2014. Pesë futbollistët me origjinë shqiptare të kësaj skuadre tashmë kanë filluar të mendojnë për atmosferën që do t′i presë në “Qemal Stafa”.

Bëhet fjalë për Xherdan Shaqiri, Granit Xhakën, Valon Behrami, Blerim Xhemajli dhe Admir Mehmedi, të cilët me shumë gjasa do të duhet të luajnë kundër Shqipërisë.

Përballja e parë eliminatore e kuqezinjve të De Biazit me helvetikët do të luhet më 11 shtator në Zvicër, vetëm 4 ditë pas debutimit me Qipron në shtëpi. Sipas kalendarit, takimi i kthimit do të luhet më 11 tetor 2013, në Shqipëri.

Kësaj sfide i trembet Xherdan Shaqiri, që shfaqet i shqetësuar për mënyrën sesi do të pritet nga tifozët shqiptarë. Mbështetësit e Kombëtares kuqezi vazhdojnë ta cilësojnë tradhti aktivizimin e Shaqirit, por edhe katër yjeve të tjerë shqiptarë me Zvicrën.

“Duhet ta shikojmë mirë, nuk e di sa e rrezikshme do të jetë në Shqipëri”, – tha ylli i Bazelit, që prej sezonit të ardhshëm do të luajë me Bajernin e Mynihut. “Kam dëgjuar se tifozët janë të rrezikshëm. Mua personalisht në ′Facebook′, më kanë shkruar shumë gjëra, më kanë thënë se jam tradhtar, gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk jam thirrur nga Shqipëria. Për këtë arsye, nuk e di si do të jetë atmosfera në Shqipëri. Por, në Zvicër besoj se do të kalojmë më mirë”, – nënvizoi Shaqiri.

————————————————————————–

.

SHPËRNDAJE