SHAIP KAMBERI: AUTONOMI PËR MEDVEGJË, BUJANOC DHE PRESHEVË

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të zgjidhet në korrelacion me atë të serbëve të veriut, dhe për këtë çështje ai kërkon ndihmën edhe të Prishtinës por edhe të Tiranës. Nëse ndërmjet shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës, krijohen standarde të dyfishta, Kamberi thotë se konfliktet dhe trazirat në Ballkan nuk do të përfundojnë kurrë.

“Pra, nëse aplikohen standardet e dyfishta, atëherë kjo do të jetë një burim i vazhdueshëm i konflikteve në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë se vlerat e caktuara të Planit të presidentit Ahtisari të cilat paraqesin standarde më të larta se ato që i ka Këshilli i Evropës, sa u përket të drejtave të komuniteteve, duhet të jenë të respektueshme edhe në Luginë të Preshevës”, thotë Kamberi në një intervistë për “Zëri”.

Kryetari i Bujanocit dhe ish-anëtari i grupit negociator gjatë konfliktit në Luginë… e ndien veten të izoluar nga marrëveshjet e bisedimeve Kosovë-Serbi. Ai thotë se janë shqiptarët e Luginës ata që po e paguajnë “haraçin” e negociatave të Brukselit. Sipas Kamberit, është edhe Qeveria e Kosovës ajo që po i kontribuuan këtij izolimi, sepse me një vendim të veçantë ajo mund t’i heqë tarifat doganore.

Prefekti i Bujanocit gjithashtu i konsideron të panevojshme dhe provokuese zgjedhjet e serbëve në Kosovë, ndërsa e konsideron rrezik permanent që në zgjedhjet lokale shqiptarët të humbasin komunën e Bujanocit.

Zëri: Cila është pozita aktuale e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në çfarë gjendje janë shqiptarët atje, a kanë të drejta, sa respektohen ato?

Kamberi: Në përgjithësi shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të kyçur në një proces politik prej vitit 2001, do të thotë prej momentit të përfundimit të konfliktit të armatosur në kuadër të UÇPMB-së. Dhe në ato momente Serbia e kishte hartuar një program qeveritar që zgjidhjen e krizës në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkohë që ishte nënshkruar edhe marrëveshja e Konçulit, e cila parasheh realizimin e disa objektivave të përbashkëta për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Përveç projekteve fillestare të rëndësisë primare, projektit të rëndësisë multientike dhe vazhdimit të projekteve të përmirësimit të infrastrukturës, edhe ky program qeveritar të cilin Qeveria e Serbisë është zotuar se do ta zbatojë para faktorit ndërkombëtar, ka mangësi dhe ka pengesa në realizim.

Posaçërisht ka pengesa në integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe në tërësi në realizimin e të drejtave të karakterit kolektiv që i përkasin shqiptarëve, përdorimi i simboleve kombëtare, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, mungesa e teksteve shkollore…, dhe mund të them prezenca e vazhdueshme e forcave militare serbe, njësive speciale, xhandarmërisë, ndërtimi i bazës në Cepotin, posaçërisht e krijon imazhin e ekzistimit të një lufte të pashpallur të jashtëzakonshme, e cila sipas mendimit tonë, paraqet edhe një pengesë dhe element frikësimi të investitorëve potencialë për të investuar në atë rajon.

Kjo jo vetëm investitorëve ndërkombëtarë, por paraqet frikësim edhe investitorëve potencialë nga diaspora jonë. E kemi një diasporë me 11 mijë banor në vendet e Evropës Perëndimore, të cilët në periudhën tridhjetëvjeçare apo më tepër sa kanë punuar e kanë kapitalin e vet, i kanë idetë e veta, por megjithatë kjo pasiguri politike, pasiguria në përgjithësi, i pengon ata që të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë.

Zëri: A jeni në kontakt me bashkësinë ndërkombëtare, që ata të ndikojnë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve…?

Kamberi: Kontaktet e tona me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me institucionin e OSBE-së në Bujanoc, me delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, me ambasadat kryesore të vendeve perëndimore, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, të Britanisë së Madhe të Gjermanisë, të Francës dhe Italisë, kohët e fundit edhe të Turqisë, janë të vazhdueshme.

Megjithatë, të duket se bashkësia ndërkombëtare po vepron sipas prioriteteve të caktuara, në këto momente prioritet i bashkësisë ndërkombëtare është dialogu Prishtinë-Beograd, jo çështja e Luginës së Preshevës…

Zëri: Në Kosovë sipas Pakos së Ahtisarit serbët kanë të drejta marramendëse nga ato që i kanë në Luginë të Preshevës. A do të kërkoni që të drejtat e juaja të shkojnë në korrelacion me këto të serbëve në veri?

Kamberi: Po pikërisht ky është problemi, i cili ne mendojmë se ekziston dhe do të ekzistojë nëse krijohen standarde të dyfishta në realizimin apo respektimin e të drejtave të komuniteteve. Pra, nëse aplikohen standardet e dyfishta, atëherë kjo do të jetë një burim i vazhdueshëm i konflikteve në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor.

Ne mendojmë se vlerat e caktuara të Planit të presidentit Ahtisari, të cilat paraqesin standarde më të larta se ato që i ka Këshilli i Evropës sa u përket të drejtave të komuniteteve, duhet të jenë të respektueshme edhe në Luginë të Preshevës. Dhe me të drejtë kërkojmë që të aprovohet parimi i reciprocitetit Prishtinë-Beograd, Kosovë-Serbi në aspektin e respektimit të të drejtave individuale dhe kolektive të komuniteteve.

Nëse serbët kanë të drejtë të kenë gjykatat e veta, në anën tjetër një proces, i cili është zhvilluar dy vjet më herët tek ne ka ndikuar që edhe Presheva edhe Bujanoci të humbin Gjykatën Komunale. Pra, kërkesa jonë ka të bëjë me aprovimin e parimit të reciprocitetit dhe krijimit të standardeve unike për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Ballkan.

Ekzistimi i një pakice të privilegjuar, që është në këtë rast pakica serbe në Kosovë, mendojmë se paraqet një burim të vazhdueshëm të konflikteve dhe tensioneve edhe mes dy shteteve, por në tërësi në rajon.

Zëri: Nëse veriu i Kosovës, në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, fiton një status special, cilat janë kërkesat e Luginës së Preshevës?

Kamberi: Ne e kemi të qartë qëndrimin tonë. Deklaratën politike të fundit që e aprovuam, por që buron nga platforma politike e vitit 2006, qëndrimi ynë është shprehur qartë, ne nuk jemi për ndryshim të kufijve, ne respektojmë parimet apo Planin e presidentit Ahtisari, ne respektojmë qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por deri në masën kur bashkësia ndërkombëtare nuk ndërron qëndrim në aspekt të respektimit të integritetit territorial të Kosovës.

Po qe se krijohen këso rrethanash dhe serbëve të veriut do t’iu lejohet kjo mundësi, ne me automatizëm do të kërkojmë që e njëjta mundësi të jetë e aplikueshme edhe në Luginë të Preshevës.

Zëri: Nuk ka ndryshim të kufijve, por mund të ketë status special për serbët e veriut?

Kamberi: Nëse sistemi aktual i Serbisë, përkundër faktit që po zhvillohet një proces politik qe dhjetë vjet me radhë, nuk po jep garanci dhe nuk po jep hapësirë që të realizohen të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, atëherë ne mendojmë që e vetmja mundësi e krijimit të garancive institucionale për mbrojtjen e të drejtave shqiptarëve dhe avancimin e tyre është një lloj autonomie, autonomi politiko-territoriale, atë që e kemi quajtur ne, apo një status special çfarë e kërkojnë edhe serbët e Kosovës. Në këtë aspekt, unë mendoj se duhet të kemi përkrahjen e Prishtinës dhe duhet të kemi edhe përkrahjen e Tiranës zyrtare?

Zëri: A e keni pasur përkrahjen e Prishtinës dhe Tiranës?

Kamberi: Ne vazhdimisht kemi konsulta me autoritetet në Tiranë, kemi pasur edhe me autoritete në Prishtinë për proceset e caktuara, dhe në tërë kohën me kërkesat e tona politike jemi munduar që mos të dëmtojmë procesin politik që po zhvillohet në Kosovë.

Në këtë aspekt është e qartë publikisht edhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare edhe i Tiranës zyrtare për mosndryshimin e kufijve, por sikur kërkesa jonë për ndryshim të reciprocitetit, parimit të reciprocitetit në aspektin e të drejtave të komunitetit besoi që do të hasë në mirëkuptim në tri qendrat kryesore të vendosjes së politikës shqiptare.

Zëri: A është dashtë që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd?

Kamberi: Ka pasur iniciativa të tilla nga Lugina e Preshevës që ne të jemi pjesë e dialogut, mirëpo pas takimeve që kemi pasur me autoritet qeveritare në Prishtinë, na është sqaruar se çfarëdo implikimi i Luginës së Preshevës implikon edhe ndryshimin, parimin e ndryshimit të kufijve.

Kështu që me sqarimet plotësuese që kemi marrë nga autoritete qeveritare është parë e rrugës që ne të qëndrojmë në pozitën tonë për mosndryshime kufijsh, por është e drejtë e jona që të kërkojmë që të jenë të garantuara dhe të jenë unike standardet e mbrojtjes së komuniteteve në Ballkan.

Zëri: A ndjehet e tradhtuar Lugina e Preshevës me këto tarifat doganore që kanë nisur?

Kamberi: Ndoshta do të ishte fjalë e rëndë e tradhtuar, megjithatë e izoluar ndjehet. Lugina e Preshevës është pjesë e një etnikumi kombëtar shqiptar pavarësisht se administrohet nga Serbia. Lugina e Preshevës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset politike në Kosovë prej vitit 1990, posaçërisht me aksionet e ndihmave humanitare, në këtë aspekt mendojë se marrëveshja aktuale, respektivisht modalitetet e saj, të respektimit të saj sa i përket Luginës së Preshevës, për momentin janë duke e dëmtuar vetëm popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, sepse, sipas asaj që po ndodh në praktikë, jemi vetëm ne që paguam tarifa 60 euro për 15 ditë për të hyrë në Kosovë.

Duke pasur parasysh faktin se shqiptarët e Luginës së Preshevës tradicionalisht edhe familjarisht edhe kombtarisht janë të lidhur me Prishtinën, me Kosovën, sepse prej themelimit të Universitetit të Prishtinës, të rinjtë shqiptarë janë shkolluar këtu, se ne nuk kemi hapësirë politike, nuk kemi situatë të volitshme të qarkullimit në drejtim të Serbisë, nuk ka ndonjë raport specifik të komunikimit me Maqedoninë, vlera e vetme e qarkullimit dhe komunikimit tonë me Kosovën mos të them është mbyllur, por sigurisht se është vështirësuar për të kaluar, sepse jo çdo qytetar ka mundësi t’i paguajë tarifat dhe të vijë në Kosovë në rast të gëzimit, qoftë të pikëllimit, sepse trashëgimitë familjare janë shumë të zhvilluara.

Zëri: Ju keni pasur takime me përfaqësuesit e Prishtinë, ju është premtuar por nuk janë hequr tarifat?

Kamberi: Edhe me shkrime iu kemi drejtuar autoriteteve në Kosovë, por kemi pasur takim edhe me zonjën Tahiri (Edita) dhe kemi shprehur shqetësimet e tona, posaçërisht me këtë. Në bisedat që kemi pasur hasim në mirëkuptim, mirëpo arsyet janë se pala serbe ishte ajo që ka insistuar në vendosjen e tarifave.

Megjithatë, në praktikë edhe më tej është vazhduar përdorimi i tabelave të vjetra, ata lirohen nga pagesat. Pra, në praktikë të vetmit jemi ne që paguajmë taksa dhe që pengojmë qarkullimin e lirë.

Zëri: Cili do të jetë veprimi nëse nuk gjendet një kompromis për heqjen e këtyre policave?

Kamberi: Ne do të tentojmë që të kemi takimet e radhës me autoritete qeveritare, deri te kryeministri, me presidenten e Kosovës, të sqarojmë gjendjen, të japim informacione plotësuese, se ka nevojë që ato të modifikohen, të hiqen në të vërtetë, sepse edhe një euro po të jetë ajo tarifë, do të jetë vështirësim i qarkullimit të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Në këtë fakt mendojë se vitet e kaluara Shqipëria ka qenë vend ku janë paguar vizat, dhe me një dekret të qeverisë shqiptarët ishin të përjashtuar nga ajo taksë. Në këtë formë mundet Qeveria e Kosovës ta gjejë një zgjidhje dhe të stimulojë qoftë vetëm dy komunat, qoftë apostafat vetëm për shqiptarët, të stimulojë qarkullimin e lirë të shqiptarëve në drejtim të Kosovës.

Zëri: A po shkakton kjo masë dëme edhe ekonomisë së Kosovës, pasi që shumica e tregtisë është zhvilluar me Kosovën, konkretisht me Gjilanin?

Kamberi: Po mund të thuhet se një përqindje mjaft e madhe e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, qoftë edhe për ato materialet më të nevojshme familjare, kanë ardhur dhe janë furnizuar në Gjilan, në marketet e rrethinës.

Prandaj, në këtë aspekt sigurisht që ndikon në ekonominë e Kosovës, ndikon në ekonominë tonë, sepse veç pagesave të taksave duhet qytetarët tanë të blejnë mallin serb që është dukshëm më i shtrenjtë sesa malli që është në Kosovë, pra në shumë aspekte negative ndikon te qytetarët e Luginës.

Zëri: Tash janë zgjedhjet në Luginën e Preshevës. A rrezikohet Bujanoci që do ta humbin shqiptarët për shkak të divergjencave?

Kamberi: Po thjesht trupi votues në Bujanoc sa u përket shqiptarëve përbëhet nga rreth 24 mijë votues, 11 mijë votues janë serbë. Dhe në aspekt të ekzistimit të shifrave nuk ka kurrfarë pengese, por duke pasur parasysh faktin se një pjesë e madhe e popullatës gjendet në diasporë dhe zgjedhjet do të mbahen më 6 maj, kur një numër i madh i tyre nuk do të kenë mundësi të vijnë dhe të votojnë, ekziston një rrezik që thyerjet e balancave etnike në këtë aspekt.

Fakti tjetër që ka disa parti shqiptare që do të garojnë mes vete, sepse, trupi votues është i ndarë dhe partitë serbe votojnë për elektoratin serb, ne garojmë për elektoratin shqiptar. Në këtë aspekt ekziston një rrezik.

Është abstrakt mund të thuhet, por megjithatë rreziku si rrezik ekziston po qe se shqiptarët në një veprim të pamatur mund të sjellin situatë që elektorati ynë të mos paraqitet në maksimum në zgjedhje. Pra e jona është që së pari të motivojmë elektoratin tonë për pjesëmarrje në zgjedhje, dhe çështja e rëndësisë së dytë mandej duhet të jetë se për cilën parti duhet të votojnë.

Zëri: E zgjedhjet presidenciale a do t’i votoni?

Kamberi: Në zgjedhjet parlamentare ne jemi duke zhvilluar biseda për ta ruajtur koalicionin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar, dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, me gjasë që këtij koalicioni t’i bashkëngjitet edhe Bashkimi Demokratik i Luginës.

Siç dihet Partia Demokratike Shqiptare është deklaruar kundër këtyre zgjedhjeve dhe nëse ky koalicion, kjo marrëveshje e koalicionit arrihet deri në fillimin e javës tjetër ne mund të futemi në procese zgjedhore me gjasën maksimale që të fitojmë një ulëse në Parlamentin e Serbisë.

Zëri: Serbia ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Si e komentoni ju këtë?

Kamberi: Absolutisht është një provokim. Ne mendojmë se është një provokim i radhës i Serbisë edhe pse shumëkush këtë e cilëson si një veprim politik të serbëve, i qeverisë serbe aktuale dhe partisë kryesore në Serbi, për një konsum të brendshëm, për t’u arsyetuar se ne arritëm ta mbajmë politikën edhe Evropa edhe Kosova.

Megjithatë, nuk mendojmë se ato zgjedhje do të kenë peshë në proceset që po zhvillohen në Kosovë, por sido që të jetë, është një provokim posaçërisht i këtyre marrëveshjeve të fundit të cilat janë arritur duke iu falënderuar edhe vullnetit politik të mirë që ka treguar Kosova.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni