Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) të shtunën nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me New London College nga India, me ç’rast u tha se tash e tutje do të jetë një mundësi më e madhe sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë, arsimit dhe bujqësisë.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini ka thënë se AKB-ja është e përkushtuar të promovojë shtetin tonë në tërë globin dhe kjo është një punë e vogël që po bëjnë në krahasim me atë që duhet bërë për shtetin e ri të Kosovës.

“Ne bashkërisht me miqtë nga India sot do të nënshkruajmë një marrëveshje në sferën e teknologjisë, arsimit, bujqësisë për të cilët këta kanë gjetur një interesim për të ardhur në Kosovë, por njëkohësisht edhe në sferat e arsimit për të dërguar edhe ne studentë në këtë shtet, por edhe studentët e tyre për të ardhur për të studiuar në Kosovë”, ka thënë Shahini.

Ai ka shtuar se Kosova tërheqjen e investimeve të reja mund ta bëjë vetëm përmes promovimit të politikave të mira. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë edhe më shumë hapa konkret në reformimin e tërë politikave ekonomike.

Ndërkaq, Anil Mishra nga New London College nga India ka potencuar se me nënshkrimin e memorandumit të sotëm bizneset e të dyja vendeve do të kenë më tepër mundësi bashkëpunimi.

“Në jemi këtu për të investuar në drejtimin e edukimit në universitet që të sjellim një përvojë nga universiteti jonë edhe në Kosovë. Kur kemi ardhur në Kosovë e kemi kuptuar se ka shumë punë për t’u bërë, por jam shumë i sigurt që në të ardhmen Kosova do të zhvillohet dhe për këtë edhe ne duhet të jemi pjesë e këtij zhvillimi, duke menduar për këtë kemi vendosur që të fillojmë dhe të lansojmë një konsultë të bizneseve indiane”, ka thënë Mishra.

Ndërkaq, Neshat Hasani, kryetar i Shoqatës se eksportuesve të Kosovës e sheh si një mundësi të mirë bashkëpunimin në sferën ekonomike me shtetin e Indisë, dhe beson se tash e tutje ky bashkëpunim do të konkretizohet.

“Zoti Anili është më shumë se një muaj në Kosovë dhe i ka bërë të gjitha analizat në sferën e bashkëpunimit dhe mendoj se është duke u kthyer në Londër përkatësisht në Indi me mendimet më të mira për investime të mirëfillta në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ideja për investime është në fushën e teknologjisë informative.

SHPËRNDAJE