Kreu i Alenacës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, është kundër embargos me Serbinë. Sipas tij, qytetarët janë ata që duhet të vetëdijesohen dhe të blejnë produkte vendore.

Në një intervistë për gazetën ”Zëri” ai ka thënë se nuk duhet vepruar si Serbia. Edhe pse bizneset që përfaqësohen nga Shahini, janë ankuar Serbia është duke iu nxjerrë probleme me eksportin e mallrave vendore.

Zëri: A duhet të ketë embargo me Serbinë?

Shahini: Kosova tashmë ka nënshkruar disa marrëveshje me shtetin serb, dhe këto marrëveshje nuk kanë qenë të gjitha të mirëpritura nga popullata kosovare, por të imponuara dhe të servuara nga faktori ndërkombëtar dhe ato janë shkruar dhe ne duhet të presim që ato marrëveshje a do të respektohen apo jo.

Nëse Serbia vazhdon të mos i respektojë ato marrëveshje, nëse vazhdon që t’i injorojë produktet e Kosovës, nëpër Serbi, nëse edhe më tutje Serbia pengon pjesëmarrjen e vendit në takime të tjera, atëherë Kosovës i jepet e drejta që të sillet në formë reciprociteti. Nëse ne nuk konsumojmë produkte të tyre, ne institucioneve vendore ua kemi kryer punën, por nëse bëjmë embargo, këtë të drejtë nuk e ka asnjëra palë që të marrë një vendim të njëanshëm, dhe ne nuk duhet të barazohemi me politikat e shtetit serb për bllokada.

Ne duhet të mbrojmë produktet e Kosovës. Kur kemi ne hiperprodukt nuk duhet të lejojmë import, dhe kjo rregullohet me anë të marrëveshjes së CEFTA-s, sepse ne marrëveshjen e CEFTA-s e kemi të nënshkruar shabllon pa asnjë ndalesë.

Ne kemi të drejtë që në komitetin e CEFTA-s ta ndryshojmë këtë marrëveshje, që ne të mund t’i mbrojmë produktet tona.

Zëri: Edhe sa duhet të pritet, sipas jush?

Shahini: Nuk është dashtë që të pritet shumë, por duhet të jepet kohë aq sa të ndryshojë infrastruktura ligjore e Serbisë, që ende Kosovën e ka si pjesë të saj në kushtetutën e saj, ende i trajton kufijtë e Kosovës dhe të Serbisë si kufij administrativë edhe në këto do të ndikojë automatikisht që të eliminohen pengesat.

Zëri: Si janë raportet tregtare me Serbinë tani, sipas jush?

Shahini: Raportet tregtare Kosovë -Serbi ende mbeten sfidë, ndërsa ato Serbi-Kosovë, janë shumë të mira.

Ne kemi import shumë të madh të produkteve serbe, ndërsa eksporti i produkteve kosovare drejt Serbisë, është më i vështirësuar, është jo i pranuar mirë nga konsumatorët, është vështirë të gjejmë treg në atë vend. Dhe kjo jo që nuk janë kualitet produktet tona, por që produktet tona janë në gjuhën shqipe dhe atje ndikon nacionalizmi shumë i madhe politik dhe ekonomik, gjë që ka diskriminim të produkteve, jo vetëm të Kosovës por edhe të tjera të shkruara në gjuhën shqipe.

Për këtë arsye ne kemi marrë një projekt “Javët e Biznesit Kombëtar”, që synon të marrë mbi 10 milionë konsumatorë, që synon të rritë investimet, sepse nuk është njësoj sikur të thërrasim një investitorë sikur të vijë të marrë 2 milionë konsumatorë, sikur t’i themi eja se do t’i marrësh 10 milionë konsumatorë.

Zëri: Sa është duke u eksportuar drejt vendeve tjera prej Kosovës?

Shahini: Kosova, eksporti dhe ekonomia e saj është orientuar në disa vende por vlen të theksohet se eksporti më i madh është me Shqipërinë, ku zë vendin e parë për sa i përket marrëveshjes së CEFTA-s, dhe kjo e bën falë bashkëpunimit që ka Kosova me Shqipërinë, por edhe falë promovimit që ne si AKB e bëjmë me atë vend dhe me vendet ku flitet shqip.

Zëri: Cilat mallra janë duke u eksportuar më shumë?

Shahini: Produktet që më së shumti eksportohen janë ato që dalin nga xehet e ndryshme, metalet ndryshme, ato ushqimore por edhe shërbime të tjera, dhe këto kanë treg jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende tjera, si Bosnjë, Kroaci por edhe në vende më të largëta, si në Kinë.

Zëri: Çfarë marrëveshje është duke bërë AKB-ja me vende të ndryshme?

Shahini: Shpesh kur nënshkruajmë marrëveshje për dikë lënë përshtypje që këto janë vetëm marketing.

Por, e vërteta është se ne nuk mund t’i qasemi asnjë tregu pa pasur marrëveshje.

Ne kemi bërë një marrëveshje në vitin 2010, me Agjencinë shtetërore të Zvicrës, dhe menjëherë pas kësaj marrëveshjeje ne kemi dërguar shumë biznese kosovare, që kanë produktet e veta dhe kanë marrë treg atje.

Natyrisht që tregu rajonal është më i lehtë për të marrë punë atje dhe ne kemi marrëveshje me të gjitha vendet që ne mund të eksportojmë më lehtë dhe kostoja që është më e lirë.

Zëri: Me sa vende keni arritur marrëveshje?

Shahini: Që nga themelimi i AKB-së e këndej, ne kemi arritur mbi 35 marrëveshje të nënshkruara me vende të ndryshme të rajonit dhe të Evropës.

Për më shumë kemi dy përfaqësi të AKB-së jashtë vendit, në Slloveni dhe në Itali, ndërsa tash po synojmë që ta kemi edhe një përfaqësie edhe në Zvicër, në Gjenevë.

Të gjitha këto kanë bërë që ne përmes këtyre marrëveshje të krijojmë rrugë dhe ura të ndryshme të komunikimit dhe të veprimit në emër të bizneseve dhe institucioneve të saj.

Zëri: Keni pasur një udhëtim në Luginë të Preshevës, si e vlerësoni gjendjen e bizneseve në atë pjesë?

Shahini: Vizita e AKB-së është përcjellë me shumë vështirësi dhe pas dy herave që ne tentuam të kalojmë u kthyem pa ndonjë përgjigje, ndërsa hyrja në atë pjesë na u mundësua vetëm pas një presioni të madh nga institucionet e Brukselit.

Atje ishte një gjendje jo e mirë për banorët, po ashtu një gjendje jo e mirë dhe aspak e favorshme për bizneset, dhe për këtë i ftoj të gjitha institucionet e vendit dhe ato të Shqipërisë, për t’u dalë në ndihmë atyre qytetarëve që kanë nevojë, të cilët janë të anashkaluar. Shqipëria mund të ndikojë atje shumë më shumë, në raport me atë se çfarë mund të bëjë Kosova.

Bizneset në atë vend janë shumë të rënduara, për shkak të infrastrukturës fizike. Zhvillimi në Bujanoc dhe Preshevë ishte shumë mizor dhe u shihte që atje shteti serb nuk investon, atje përkundrazi e pengon bizneset.

Atje bizneset nuk kanë mundësi të marrin treg tjetër përpos Kosovës, prandaj atje janë pak biznese të fuqishme për të eksportuar më tutje.

Zëri: Si mund të ndikojë Shqipëria në atë pjesë?

Shahini: Shqipëria i ka punët më mirë me Serbinë, pasi që është shtet që nga 1912, dhe kanë raporte më të mira për trajtimin e minoriteteve me Serbinë.

Sikurse që trajtohen minoritetet në Kosovë, duhet të trajtohen edhe minoritetet shqiptare në Serbi. Por, shqiptarët atë nuk e gëzojnë.

Prandaj, Shqipëria e ka fuqinë, për të ndikuar në këtë drejtim dhe mundësia e saj në këtë drejtim është shumë më e madhe se e Kosovës.

SHPËRNDAJE