Serbi: Të dënuarit për vrasje përpiqen të ikin nga burgu

 Autoritetet në Serbi thonë se dy të dënuar, vrasës profesionalë të profilit të lartë, janë përpjekur të ikin nga një burg me siguri të lartë në beograd, por janë ndalur nga forcat e sigurisë. Njëri nga të burgosurit është Sretko Kaliniq, i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e kryeministrit të dikurshëm të Serbisë, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003. I burgosuri tjetër, që provoi të ikte nga burgu, është Zhelko Millovanoviq, i dënuar në Kroaci me 40 vjet burg, për vrasjen e një gazetari të njohur në vitin 2008. Ata sot herët në mëngjes kishin ikur nga qelitë e tyre, duke e sulmuar një roje dhe duke kërcyer nga dritarja në oborrin e burgut. Autoritetet e burgut kanë thënë se ata “menjëherë ishin zënë dhe ishin kthyer në qelitë e tyre”. Në burg janë shtuar masat e sigurisë dhe po zhvillohen hetime lidhur me këtë incident.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni