Një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62, dy pushkë gjahu të kalibrit 9 mm, si dhe një thikë, janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, ndërsa dy persona janë shoqëruar në stacionin policor për inicim të rastit.

I tërë rasti është iniciuar me ankesën e një personi të moshës 53 vjeçar, banor i Kragujevcit, Republika e Serbisë, i cili rreth orës 01.30 minuta, ka njoftuar autoritetet policore në Leposaviq, për humbjen e djalit të tij, Dimitrijeviq B., 22 vjeçar.

Sipas ankuesit, djali i tij së bashku me një shok tjetër, kishin ardhur në fshatin Borcan, të Leposaviqit, për një vizitë ndërsa kishte humbur kontaktin me të për së paku 24 orë të plota.

Sipas Besim Hotit, zëdhënës rajonal në Mitrovicë, Policia e Kosovës në Leposaviq, në ndërkohë ka pranuar edhe një informatë tjetër nga një ankues 40 vjeçar, banor i fshatit Brzhance të Leposaviqit, i cili ka njoftuar policinë se nga shtëpia e tij mungonin tri armë, për të cilat dyshonte se i kishte marrë personi, i cili konsiderohej si i humbur deri në atë moment.

“Dy të dyshuar në këtë rast janë shoqëruar në stacionin policor për inicim të paraqitjes penale, ndërsa prokurori publik ka urdhëruar hapjen e hetimeve për vepër penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve’”, ka thënë Hoti, duke shtuar se pas deklaratave të dhëna në polici, dy të dyshuarit janë liruar.

SHPËRNDAJE