Së shpejti do të publikohen emrat e profesorëve të Universitetit të Prishtinës (UP), të cilët shkelin ligjin. Nga monitorimi i procesit mësimor në Universitet, i cili po kryhet nga Parlamenti i Studentëve, del se një numër i madh i profesorëve nuk janë të rregullt në ligjërata dhe provime.

Monitorimi i procesit mësimor në Universitetin e Prishtinës, i cili është duke u kryer nga Parlamenti i Studentëve, ka nisur të dokumentojë gjendjen në Universitet.

Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Mentor Hasani, tha se të gjitha parregullsitë do të drejtohen tek organet kompetente. Ai tha se janë të vendosur të publikojnë emrat e profesorëve që shkelin ligjin.

Hasani tha se gjatë procesit të monitorimit, ka pasur raste kur studentët kanë hezituar të flasin, nga frika se mos hakmerren profesorët ndaj tyre.

Kryetari i Parlamentit të Studentëve, tha se profesorët mbajnë disa vende pune dhe për këtë arsye studentët detyrohen që të kthehen shumë herë në shtëpitë e tyre.

Udhëheqësit e Parlamentit të Studentëve, thonë se për monitorimin kanë kërkuar përkrahje nga Rektorati dhe Ministria e Arsimit.

Zyrtarë të Rektoratit, thonë se për parregullsitë që dëshmohen se janë të vërteta, do të ketë masa ndëshkimi nga drejtuesit e Universitetit të Prishtinës (UP).

Sipas të dhënave nga monitorimi, më shumë parregullsi janë vërejtur në Fakultetin Filologjik dhe atë Ekonomik. Të dhënat e raportit pritet të finalizohen pas përfundimit të semestrit dhe të orarit të provimeve, që do t’i dërgohen Rektoratit për marrjen e masave ndaj profesorëve, punonjësve të administratës, që shkelin rregullat e Universitetit.

SHPËRNDAJE