Shkencëtarët në Kaliforni shpresojnë të revolucionarizojnë mjekësinë, duke përdorur e-kolin, një bakteria që njihet kryesisht për helmimin e ushqimeve. Ata po e modifikojnë bakteren që të sillet në një mënyrë që do t’u krijonte mundësi qelizave të gjalla të programoheshin për të vepruar në mënyrë logjike, pikërisht si kompjuteri.

Duhet një imagjinatë e madhe për të përfytyruar se si shkencëtarët mund të programojnë qelizat e gjalla që të bëjnë atë që duan ata. Pikërisht për këtë po punon një ekip studjuesish të Universitetit të Kalifornisë.

Biologët e lëndës sintetike po mësojnë të programojnë qelizat që të sillen në një mënyrë që mund të çonte në zbulime për prodhimin e biokarbureve më të mira deri mjekësia, që qelizat të aktivizohen kur diktojnë sëmundjen.

Këtu shkencëtarët po punojnë për t’i bërë qelizat të veprojnë në mënyrë të parashikueshme. Në krye të këtij ekipi është Kristofor Voit, i cili ka demonstruar tashmë se bakteria mund të programohet në forma të ndryshme për të arritur rezultate të besueshme. Madje, puna e tij krijon kushtet për programimin e shumë qelizave dhe jo vetëm të një prej tyre.

Voit thotë se kërkimet e tij mund të aplikohen në të gjitha nivelet e inxhinierisë gjenetike. Për shembull, kura mund të programohet për të vepruar vetëm kur qelizat e kancerit janë të pranishme, ndërsa biokarburet mund të prodhohen më me efikasitet. Sipas parimeve të teorisë së tij, mund të krijohen gjithashtu të ashtuquajturat bimë “të zgjuara” të gjeneve të ndryshme në varësi të fluksit të dritës së diellit dhe temperaturave.

“Ekipi është përqendruar në dy drejtime tani për tani. Së pari, ta bëjë gjuhën e programimit të qelizave të gjalla si gjuha e programimit kompjuterik; dhe së dyti, të krijojë mundësi që një inxhinier gjenetik të shkruajë kodin në të njëjtën mënyrë si një inxhinier i kompanisë Google kodifikon një program. Ne do të jemi në gjendje të programojnë një qelizë të gjallë”.

Ky programim gjenetik mund të aplikohet edhe në prodhimin e drurit apo të qumështit, thotë Voit.

Edhe shkencëtarët në Fakultetin e Inxhinierisë Biomjeksore në Universitetin e Bostonit po punojnë në aspekte të ndryshme të biologjisë sintetike. Profesor Xhejms Kollins shpjegon kuptimin e programimit të qelizës, bazuar në përvojën e tij të dekadës së fundit në programimin e qelizave individuale.

“Studimi i Voitit dhe ekipit të tij është shumë i rëndësishëm, pasi tani ata kanë demonstruar mundësinë e programimit të një bashkësie të tërë, duke shfrytëzuar diversitetin e bashkësisë, ndryshe nga programimi i një qelize të vetme. Arritjet e biologjisë sintetike në dekadën e fundit lidhen me riprogramimin e një qelize të vetme dhe sjelljen e saj. Ekipi i Voitit ka treguar se mund të programohen shumë qeliza dhe ato mund të ndërveprojnë në një bashkësi për funksione diverse dhe shumë më të komplikuara”.

Interesimi në disiplinën e biologjisë dhe të shkencave kompjuterike e çoi studentin Alvin Tamsir në projektin e tij në laboratorin e Voitit. Tamsir është autori kryesor i artikulli shkencor të botuar kohët e fundit në revistën “Nature”.

Shkencëtarët duan t’i bëjnë sistemet biologjike po aq të parashikueshëm sa edhe sistemet elektronike. Ky mund të jetë një prej hapave drejt atij qëllimi.

SHPËRNDAJE