Së shpejti aplikohet dënimi me burgim të përjetshëm

Dënimi kapital në Kosovë deri tani ka qenë 40 vjet burg, ndërsa shumë shpejt dënimi më i rëndë do të jetë burgu i përjetshëm. Kjo është bërë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues. Një sanksionim i tillë është paraparë me Kodin e ri Penal, i cili është miratuar të hënën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, për t’u shqyrtuar më tej në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se ky projektkod është një prej ligjeve bazike të Republikës së Kosovës, i cili ka të bëjë kryekëput me funksionimin bazik të sistemit të gjyqësisë dhe prokurorisë në Republikën e Kosovës, por njëkohësisht edhe me respektimin e lirive dhe të drejtave të secilit qytetar në Kosovë.
“Në këtë Kod Penal janë përfshirë institute të reja të së drejtës penale, janë inkorporuar dhe sanksionuar vepra të reja penale dhe janë bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme, sipas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që ka pësuar Republika e Kosovës viteve të fundit. Të gjitha ndryshimet e bëra me këtë Kod Penal, po ashtu janë bërë sipas konventave përkatëse të së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe sundimit të shtetit ligjor dhe garantimit të të drejtave të secilit qytetar në Kosovë”, ka thënë Kuçi.
Veprat e reja penale të cilat janë paraparë në kapitujt e këtij kodi penal janë: veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, veprat penale kundër jetës dhe trupit, veprat penale kundër të drejtave të njeriut dhe kundër të drejtave të votimit, veprat penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, veprat penale kundër integritetit seksual, veprat penale të narkotikëve, ato të ekonomisë, veprat penale kundër shërbimeve komunale, kundër pasurisë, veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
“Në këtë projektkod penal përveç fuqizimit dhe qëllimit të dënimit dhe socializimit të të dënuarve, është ndryshuar dukshëm lloji i dënimeve. Me dispozitat e këtij kodi penal parashihet burgimi i përjetshëm, për dallim prej asaj që deri më tani ishte burgimi me 40 vjet. Kjo paraqet një kujdes më të lartë për rrezikshmërinë që mund të ndodhë kundër qytetarëve dhe rendit kushtetues në vendin tonë, por njëkohësisht paraqet një përkujdesje më të lartë për parandalimin e krimeve të rënda në vendin tonë”, është shprehur zëvendëskryeministri Kuçi.
Kodi i ri Penal përmban gjithsej 35 kapituj dhe 442 nene, ndërkaq, sipas Kuçit, do të jetë në një pako me ligjet tjera që ndërlidhen me këtë fushë që përfshinë në të ardhmen e afërt, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale me ndryshimet e pësuara sipas këtij Kodi Penal.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni