Në fund të shkurtit të këtij viti, në Mobile World Congress Galaxy u prezantua Note 10.1, si ‘letra më e fortë’ e Samsung-ut në tregun me rritje të shpejtë botërore të pajisjeve të ngjashme.

Versioni i zgjeruar dhe i përmirësuar i atij më të vjetër Note ka diagonale, siç edhe e tregon emri, 10,1 inç, kurse zemra e saj e quajtur “ fletore elektronike” punon me procesor quadcore 1,4 GHz dhe 2GB kujtesë pune, e gjithë kjo në sistemin operativ Android versioni 4.0.4 Ice Cream Sandwich. Sikurse edhe rivali i tij i hidhur, New iPad, vjen në versionet me 16, 32 dhe 64 GB kujtesë të brendshme, mirëpo në dallim nga ideja e Jobs-it, Note 10.1 ka edhe vendin për kartë SD për 64 GB kujtesë shtesë.

Po ashtu, ky Samsung ka edhe portin infrared (!) Kështu që prej tij mund të… hmm… me të vërtetë nuk na bie ndërmend se çfarë mund të bëni me infrared! Kush e përdor ende atë? Hera e fundit kur ishte instaluar infrared ishte diku nga fundi i shekullit të kaluar…

Si karakteristikë kryesore të këtij tableti, të paktën kështu kishin imagjinuar krijuesit e tij, do të duhej të ishin aplikacionet origjinale të Samsung-ut, të cilat punojnë me multitasking si ora zvicerane. Mirëpo… nuk duket ashtu.

Puna e njëkohëshme në shumë dritare funksionon vetëm me disa aplikacione të çuditshme të cilat, besoni, nuk do donit t’i përdornit. S-Pen, stylusin i Samsung-ut, e kanë përmirësuar dukshëm, kështu që prej tani dallon edhe forcën e shtypjes në ekran, po ashtu i njeh shumë mirë numrat dhe shkronjat të cilat më pas i kthen në fontin e dëshiruar, madhësinë e kështu me rradhë. Mirëpo kjo është pak – konfiguracioni i këtij tableti të shumëpritur nuk i justifikon shifrat e paraqitura më parë, kështu që Samsung Note 10.1 në shumë mënyra ishte dhe do të mbetet vetëm një ëndërr e bukur e cila, pikërisht falë aplikacioneve të tyre, u kthye në një makth.

Edhe pse në fillim të vitit u shpall si tableti më i mirë duke e bërë konkurrencën më të fortë se kurrë, diapazoni i mundësive nga Apple lë nën hije ofertat e deritanishme nga Samsung. Potencialin më të madh për progres, pa dyshim e ka te zhvillimi i aplikacioneve autentike, ndërkohë që as ekrani me rezolucion 1280 x 800 nuk është ndonjë risi teknologjike duke patur parasysh se iPad III e projekton fotografinë në 9,7 inç në një rezolucion gati të pabesueshëm prej 1536 x 2048 pixel. Duke patur parasysh gjithashtu se çmimet fillestare të këtyre dy pajisjeve janë gati të njëjta, zgjidhja për blerësit potencialë nuk do të duhej të ishte e vështirë (për fat të keq të Samsung-ut).

Së fundi, gjëja e vetme që tabletit Note 10.1 nuk mundemi dhe nuk guxojmë t’ia marrim për të keq është fakti se ky është ‘first generation product’ (prodhim i gjeneratës së parë), e siç të gjithë e dimë ku përfundojnë këto prodhimet e para, jemi të sigurt po ashtu se viti i ardhshëm do të na sjellë edhe përmirësime të reja në këtë, tani për tani thjesht një tablet simpatik.

SHPËRNDAJE