Kreu i Bankës Botërore, Robert Zoellick e cilësoi marrëveshjen si “hap të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës”

http://www.botasot.info/img/bild-794449-276350-1.jpegUdhëheqësit e Eurozonës mbyllën Samitin e Brukselit me një marrëveshje që parashikon rritjen në 1 trilion euro të Fondit të Stabilitetit si dhe paketën e 2-të të ndihmës për Greqinë, ku investitorët privatë kontribuojnë me 50% të investimit në bonot greke.

Kjo marrëveshje është pritur me reagime pozitive të tregjeve, që u reflektua në rritjen e indekseve dhe pozicionim të investitorëve në asete me risk. Marrëveshja u shoqërua nga deklarata optimiste të politikë-bërësve globalë.

Kreu i Bankës Botërore, Robert Zoellick e cilësoi marrëveshjen si “hap të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës”. “Sigurisht që nuk mund të presësh zgjidhje me shkop magjik të problemit. E rëndësishme është garantimi i funksionimit të tregjeve, të sistemit bankar dhe të aftësisë së vendeve anëtare për të shërbyer borxhin”, tha Zoellick.

Ndërsa Kryeministri i Kanadasë, pasi e cilësoi hap shumë pozitiv, tha se “ai pret që të publikohen më shumë detaje dhe zbatim të suksesshëm të marrëveshjes deri në takimin e udhëheqësve të G20 që do mbahet në javën e ardhshme”.

Me arritjen e marrëveshjeve në samitin e Brukselit hapet një kapitull i ri në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kryesisht të raporteve mes Europës dhe Kinës, e cila tashmë do të kontribuojë me blerjen e titujve qeveritarë të borxhit Sovran në kontinentin europian.
Mëngjesin e së enjtes, pak orë pas konsensusit të arritur , mbi Greqinë, rikapitalizimin e bankave dhe fondin e shpëtimit, presidenti francez Sarkozy, ka kontaktuar përmes telefonit, homologun e tij kinez, Hu Jintao, për t’i kërkuar personalisht, disponibilitetin e Europës, për investime kapitali nga ana e Pekinit, si një mekanizëm special I investimeve për të blerë tituj të borxhit Sovran te Europës. Ndërkohë që ka mbërritur në Pekin edhe përgjegjësi I Fondit të Europian të Shpëtimit, për të ilustruar karakteristikat e instrumentit të ri klientëve të fuqishëm aziatikë.

Optimizmi është shfaqur edhe në tregjet ndërkombëtare. Analistë të ndryshëm botërorë thonë se në parim kjo marrëveshje është shumë pozitive. Lajmet pozitive të ekonomisë janë reflektuar pothuajse në të gjithë listën e bursave ndërkombëtare, kryesisht ajo Europiane dhe ajo amerikane. Titujt kryesor të Europës janë mbyllur pasditen e së enjtes pozitivisht, ndërkohë që nga Wall Streeti, shfaqet një frymëmarrje për indekset kryesore, pas marrjes së lajmit mbi rikapitalizimin e bankave europiane.

SHPËRNDAJE