SALIHU: LUGINA E PRESHEVËS NJË THESAR I QMUESHËM I HISTORISË DHE KULTURËS SHQIPTARE

Presheva Jonë: Fillimisht z. Salihu, meqë  jeni kryetar i SHTKK-së mund të na thoni mbi hisorikun e shoqatës së juaj, rolin dhe aktvititet në Luginën e Preshevës ?
 
XHEMALEDIN SALIHU: Duke patur parasysh proceset e demokratizimit në shumë vende të Europës Perëndimore, gjendjen e veshtirë të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, sidomos gjendjen jashtëzakonisht të vështirë të Trashëgimisë dhe krijimtarisë kulturore shqiptare, duke patur parasysh rëndësinë e madhe e të pazëvendesueshme të kulturës materiale  e shpirtërore për mireqenien  kombëtare e civilizuese të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke u thirrur në të drejtën e  patjetërsueshme të ruajtjes së identitetit kombëtar e njerëzor, duke pasur parasysh Konventat botërore mbi trashëgiminë dhe krijimtarinë kulturore, sepse edhe kultura shqiptare është pjesë e kulturës civilizuese europiane, idenë e entuziastit Hasan Emërllahu, e përkrahu një grup entuziastësh, punonjësish të kulturës, dashamirë të kulturës shqiptare në Preshevë dhe Bujanoc  dhe ia mësyam nismës për themelimin e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore, me të vetmin qëllim të identifikimit, hulumtimit, evidentimit, kultuvimit, mbrojtjes dhe ruajtjes të trashëgimise kulturore e natyrore, si dhe kultivimit e zhvillimit të krijimtarise kulturore.

Lugina e Preshevës ka një traditë të pasur kulturore qysh më herët, poashtu në Luginën e Preshevës ka një pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore e natyrore: duke u nisur nga arkeologjia e territorit të Lugines së Preshevës: vendgjetjet nga periudha parahistorike,  vendgjetjet nga periudha antike ; nga objektet e rëndësishme natyrore ; nga objektet banimore ; nga objektet fetare, historike, kulturore , arsimore e deri te ato muzikore, të folklorit, riteve të dasmës në Luginën e Preshevës.

Për fillim u formua Këshilli Nismëtar në përbërje : Xhemaledin Salihu, Xhahit Ramadani, Feti Shaipi, Ismet Bajrami, Abedin Selimi, Havce Hasani, Sadete Presheva, Sadri Qazimi, Abdurrahman Zylfiu, Agron Borici, Demush Berisha, Naser Kamberi, Zeqirja Fazliu, Hysamedin Ahmeti, Sami Agushi, Vaxhid Mehmeti, Ekrem Halimi.

Këshilli pati tri takime radhazi dhe në to bisedoi lidhur me themelimin e Shoqatës.

Për fillim pati propozime të ndryshme dhe qendronte pezull dilema  lidhur me emrin e Shoqatës. Më në fund Këshilli Nismëtar mori qëndrim që të themelohet Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me seli në Preshevë, me shtrirje në komunat  Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kështu, më 16 tetor 2010, në Kuvendin Themelues, u themelua SHOQATA PËR TRASHEGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS ME SELI NË PRESHEVË, ndërsa kryetar i saj  u zgjodh Xhemaledin Salihu.

Kuvendi Themelues i Shoqatës zgjodhi Këshillin Drejtues të Shoqatës me 21 anëtarë, Këshillin mbikqyrës me 3 anqtarë dhe me arkatar Naser Durakun.

Në mesin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Shoqatës për Trashëgimi kemi doktorë dhe magjistra shkencash, profesorë e profesione të tjerë nga lëmia e biologjisë, gjeografisë, gjuhës, historisë e lëmive të tjera.

Roli i Shoqatës për Trashëgimi është i shumëfishtë :  kulturor, historik, por edhe kombëtar, sepse kryesisht do ta identifikojë, evidentoje, hulumtojë, regjistrojë, mbrojë, ruajë trashëgiminë natyrore dhe atë kulturore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Që nga themelimi i saj deri më sot, Shoqata për Trashëgimi pati aktivitete të shumta.

Duke filluar nga organizimi i Ekspozitës “Lugina e Preshevës dhe Trashëgimia e saj” me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 nëntor 2010, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë. Ekspozita me fotografi të vjetra nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja u përgatitë nga Grupi i të Rinjëve  “PreshevArt” nga Presheva. Në pjesën e dytë të tetorit 2010, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë shpalli konkursin në temën bosht të Tribunës shkencore: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë”, me tezat e parashtruara të temës në konkurs: vallja popullore shqiptare sipas ndarjes rajonale, histori e valles, lirika dhe epika e valles, vallja dhe muzika, vallja dhe kënga, Festivali i Këngës dhe Vallës Popullore Shqiptare në Preshevë, gjurmimi, evidentim
i dhe regjistrimi i valles, vallja në mes të tradicionales dhe modernes, raporti i grupeve amatore dhe profesioniste dhe vallet e burrave, të grave dhe të përziera.

Konkursi zgjati deri më 15 Dhjetor 2010, kur u paraqitën me dhjetëra kumtesa nga ekspertë të lëmisë dhe në temën e shpallur. Pjesëmarrjen e paralajmëruan shumë kryetarë të Shoqërive kulturore artistike , koreografë, vallëtarë, bile edhe e  konfirmuan pjesëmarrjen,  mirëpo për shkaqe objektive nuk arritën të marrin pjesë në tribune. Tribuna kishte për qëllim kryesor të shqyrtohen  dhe të trajtohen aspekte më të ndryshme të valles popullore shqiptare nga rajoni i Shkupit, Kumanovës, Likovës, Vitisë, Gjilanit, Bujanocit dhe të Medvegjës.

E kishim shumë të qartë se me këtë tribunë nuk do të mundemi ta grumbullojmë tërë at thesar të valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë, sepse kjo trevë përkah gjurmimi dhe grumbullimi i folklorit popullor, sidomos të valles të vjetër burimore, e cila luhet dhe ruhet brez pas brezi në Preshevë dhe në rrethinë ishte e pa gjurmuar, e pa hulumtuar dhe materiali në fjalë i pa mbledhur. E mos të flasim për evidentimin, regjistrimin dhe mbrojtjen e ruajtjen e kësaj trashëgimie shpirtërore të çdo populli, gjegjësisht të valles popullore shqiptare në këtë trevë.

Në Preshevë dhë në rrethinë mungonte grumbullimi i pasurisë folkloriko-etnografike, pastaj mungonte literatura dhe mjetet e teknikës bashkëkohore në shërbim të këtyre punëve dhe punës shkencore.Gjithëçka që është bërë deri më tash lidhur me vallen popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë është fryt i punës pasionante e të përkushtuar të individëve, të cilët me aftësitë e tyre intelektuale, shkencore, praktike për ta hulumtuar terrenin e kësaj lëmie. Në Preshevë dhe në rrethinë munguan institucionet e specializuara që do ta gjurmonin, hulumtonin, evidentonin, regjistronin e ruanin materialin dhe pasurinë folkloriko-etnografike të kësaj treve, edhepse herë pas herë pati ekspedita nga Kosova, për ta mbledhur materialin folklorik, por jo edhe vallen popullore shqiptare. Pra, vallja burimore e Preshevës mbeti e pa prekur deri më sot.Ndërsa ekspedita hulumtuese nga Shqipëria nuk pati asnjëherë.

Presheva dhe rrethina kanë pasuri të bollshme folkloriko-etnografike, sidomos valle burimore që janë ruajtur të pa prekura me koreografi dhe stilizim, hiç ndonjë valle, e cila u luajtë nga grupe amatore apo profesioniste. Andaj mbetet detyrë e ardhshme e institucioneve përkatëse të Kosovës dhe të Shqipërisë që këtë pasuri folkloriko-etnografike ta hulumtojnë, gjurmojnë dhe ta mbledhin, për ta ruajtur si trashëgimi shpirtërore të kësaj treve. Vallja burimore preshevare u luajtë brez pas brezi ashtu si luhet në Preshevë dhe në rrethinë.  Tribuna shkencore zhvilloi seancën e vet nën drejtimin e Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Xhemaledin Salihut dhe Dilaver Kryeziut, ligjërues në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Në Tribunë shkencore me kumtesa u paraqitën : Prof.Dr. Ramazan Bogdani, etnokoreolog, “Mjeshtër i Madh” nga Shqipëria me: “Vallja e Shotës, një krijim i bukur erotik kosovar”, Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë me: “Vallet popullore të vjetra në Preshevë”, Dilaver Kryeziu, ligjërues në Fakultetin Fillologjik të Prishtinës, lënda e etnokoreologjisë dhe drejtor i Ansamblit Shtetëror të Kosovës “Shota”, Prof. Besim Zekthi, “Mjeshtri i Madh” vallëtar dhe koreograf i Ansamblit Kombëtar të Këngës dhe Valleve të Shqipërisë, Artist i Merituar i Popullit me:”Vallja e krahinës së Preshevës, një shembull i folklorit shqiptar”, Zejadin Ismaili, muzikolog nga Kumanova e Maqedonisë me:”Tradita e valleve popullore shqiptare në Karadak dhe më gjërë”, Sami Piraj, kompozitor, publicist dhe drejtor në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Kosovës me:”Raporti i grupeve amatore dhe profesioniste”, Demir Krasniqi, publicist dhe rapsod popullor nga Gjilani me:” Karakteristika e valleve tona popullore” dhe “ Simbolika e lëvizjeve në vallet tona popullore”, Xhahit Ramadani  nga Bujanoci, nënkryetar i Shoqatës me:”Vallja e Deli Agushit, trim dhe kaçak i maleve tona” dhe Sali Rrustemi, mësimdhënës i kulturës muzikore me: “Vallja popullore”.

Tribunën shkencore e sponzoruan : Buxheti i Komunës së Preshevës, Ndërmarrja “Saba-Bellça”, Ndërmarrja “Fluidi”, Këmbimorja “Osi”, Ndërmarrja “Vlora.com”, ndërsa sponsor medial ishte RTV Presheva. Me këtë rast i falemnderojë të gjithë sponsorët.

Në Tribunën shkencore: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë” u shqyrtuan dhe u trajtuan hollësisht nga ligjëruesit aspekti i valles popullore sipas ndarjes rajonale, aspekte të historisë së valles, aspekte të lirikës dhe epikës së valleve, aspekte vallja dhe muzika, aspekte vallja dhe kënga, aspekte të grupeve amatore dhe profesioniste dhe aspekte të valleve të burrave, të grave dhe të përziera, por nuk pati kumtesa në tribunë për shqyrtimin dhe trajtimin e aspektit të gjurmimit,evidentimit,regjistrimit të valleve dhe aspekte shqyrtimi dhe trajtimi i Festivalit të Këngës dhe Valles Popullore Shqiptare në Preshevë, mbajtur më 1995, 1996, edhepse Z. Dilaver Kryeziu në kumtesën e tij, gjatë ligjërimit ceku edhe Festivalin e përmendur, duke thënë se ky Festival duhet edhe më tutje të organizohet dhe mbahet në Preshevë, sepse ishte unik dhe i veçantë përkah përmbajtja folklorike-etnografike nga festivalet të tjera burimore të këngës dhe vallës në Shqipëri, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të trevave shqiptare.

Më 07.02.2011 Shoqata u regjistrua në Agjencionin për regjistrin e Shoqatave joqeveritare, jo fitimprurëse në Beograd.

Organizimin e Ekspozitës së Fotografive të Vjetra nga Presheva e Lugina e Preshevës / 100 fotografi/ e realizuam më 07 mars 2011, Ditën e Mësuesit

Ekspozitën e organizuam në bashkëpunim me FotoArt të Preshevës dhe autorin e fotografive, Dr. Jahi Murati-Staneci.

Akademi Përkujtimore me rastin e 95 vjetorit të lindjes së profesor Ibrahim Kelmendit u organizua mbrëmë më 16 prill2011,  në sallën e kuvendit në Preshevë në patronatin e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.

Në pjesë e parë të vitit 2011 doli nga shtypi libri me kumtesa, i titulluar ”Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” botim i veçantë i Shoqatës së Trashëgimisë dhe Krijimtarisë
Kulturore në Preshevë.

Më 17 shkurt të vitit 2011, Komisioni Zonal dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë shpalli Njoftimin-Konkursin në temën bosht të Tribunës Shkencore : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”, me lëndët dhe tekstet mësimore përkatëse, që do të jenë prioritare për studim: abetarja, gjuha shqipe dhe leximi letrar për shkollat fillore dhe ato të mesme, lënda e historisë, lënda e gjeografisë, trashëgimia kulturore, edukata qytetare, sociologjia, edukimi muzikor, elemente të diturisë së natyrës, që kanë lidhje me njohjen e vendlindjes, disa tekste të matematikës, të fizikës, të kimisë dhe të ndonjë lënde tjetër, për të shqyrtuar terminologjinë e përdorur dhe pastërtinë gjuhësore në shkrimet e tyre.

Konkursi u shpall në mjetet e informimit, sidomos në mjetet elektronike dhe zgjati deri më 27 maj 2011, kur u paraqitën 9 kumtesa nga ekspertë të lëmive të ndryshme dhe në temën e shpallur. Të gjitha punimet konkuruan për tribunën Shkencore. Tribuna shkencore zhvilloi punimet e veta nën drejtimin e Z.Alixhemal Salihut, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, kryetar i Komisionit Zonal dhe Z. Xhemaledin Salihut, profesor i pedagogjisë, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi në Preshevë dhe anëtar i Komisionit Zonal për Luginën e Preshevës.

Në tribunë me kumtesa u paraqitën : Z. Alixhemal Salihu, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe : “Analizë plan-programeve dhe teksteve mësimore të gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat e mesme ; Z. Bade Bajrami, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë frenge : “ Tekstet e gjuhëve të huaja te Shqiptarët e Luginës së Preshevës” ; Z Sali Salihu, profesor i historisë : “ Pengesë rreth zhvillimit të plan-programit të lëndës së historisë në shkollat fillore në komunën e Bujanocit” ; Z.Abdullah Bilalli, arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe: “Krahasimi i plan-programeve dhe teksteve mësimore të gjuhës shqipe në shkollat shqipe” ; Z. Qenan Hetemi, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe : “ Preokupime të shkollave dhe nxënësve në Luginë të Preshevës me programet dhe tekstet shkollore” ; Z. Xhemaledin Salihu, profesor i pedagogjisë dhe kryetar i Shoqatës së Trashëgimisë::” Arsimi shqip dhe disa aspekte studimi të plan-programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës” dhe Z. Shkodran Ismaili, jurist : “ Krahasimi i programeve dhe teksteve mësimore të lëndës së sociologjisë të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës-Serbi”. 

Në konkursin e Tribunës kishin arritur edhe dy kumtesa nga lënda e gjeografisë, të Z. Sami Agushit dhe Z.Hajredin Nezirit, profesor të gjeografisë, të cilat nuk u referuan në Tribunë.

Të shtunën, më 22 tetor 2011, në sallën e Kuvendit komunal të Preshevës, para dashamirëve të librit, të cilët e mbushën përplotë sallën e Kuvendit , Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë organizoi manifestimin kulturor, promovimin e librit të autorit preshevar Sami Qerimi:”Koha e ngritjes, e krenarisë dhe e dhimbjes”

 

XHEMALEDIN SALIHU: NËSE PYETET HISTORIA DHE VULLNETI I POPULLIT, LUGINA  E PRESHEVËS ËSHTË PJESË E KOSOVËS, NDËRSA POLITIKISHT KA MBETUR PJESË E SERBISË


Presheva Jonë:  SHTKK sa ja ka arritur misionit të vet. Keni halle probleme me autoritet serbe, meqe jeni shoqate me një mision historik, madje mund te themi edhe patriotik dhe padyshim mund te paramendohen  edhe telashe te natyrave ndryshme, si ato  financiare, pengesat në levizjen e  lire , në hulumtime, gjurmime,…bartja e momumenetve hisorike nga kufiri  në kufi ?


XHEMALEDIN SALIHU: Po Shoqata per Trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Preshevë për një vit të ekzistimit të saj dhe punës së saj ka arritur ta përmbushë misionin e saj fillestar kulturor, historic dhe kombëtar, në saje të aktiviteteve që I theksuam  në përgjgjen e saj. Por misioni I saj kryesor kulturor, historic e kombetar në identifikimin, hulumtimin, evidentimin, regjistrimin, po edhe ne mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë në trevat e Luginës së Preshevës nuk kemi arritut t’i përmbushim. Jo pse nuk deshtëm dhe nuk pati vullnet, por se nuk patëm mjete financiare për ta realizuar edhe këtë mision dhe detyrë parësore të Shoqatës.

Kjo detyrë është bartur në vitin 2012 dhe besojmë se me ndihmën e buxhetit komunal dhe konkurimin në disa fondacione do të sigurojmë mjete të mjaftueshme për ta kryer edhe ketë aktivitet. Pos kësaj planifikojmë ta bëjmë regjistrin e të mirave të Trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore dhe ta bëjmë hartën e vendeve dhe të mirave  të trashëgimisë kulturore e natyrore. Këto punë do të realizohen në bashkëpunim me ekspertë të historisë, gjeografisë, arkeologjisë, arkitekturës, qofshin të kualifikuar, studentë apo edhe dashamirë të Trashëgimisë. Na mungon një aktivitet i këtij lloji në Bujanoc dhe në Medvegjë, si duket nuk kemi has në mirëkuptim dhe një njerëz vullnetarë për këto punë të Shoqatës, hiç disa aktivistëve të Shoqatës nga Bujanoci.

Këtu hasëm në pengesa të natyrës financiare, por edhe në pengesa të natyrës subjektive, kështu Kuvendi komunal, Këshilli komunal nuk pati gatishmëri që për këtë vit të aktivitetit dhe veprimtarisë së begatshme të Shoqatës të na planifikojë me mjete financiare nga buxheti, pos vitin 2010, atëherë e financoi tribunën Shkencore:”Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” me 50.ooo dinarë.

Ju është e njohur puna në Korridorin 10, në Autostradën Nish-Preshevë-Shkup e tutje. Derisa autoritetet serbe, institutcionet përkatëse të shtetit serb reaguan në pjesët tjera të pjesës së Autostradës, ku gjetën lokalitete të vjetra, në Autostradën Preshevë-Kumanovë, te vendi Banjkë e Miratocit, u zbulua një lokalitet i vjetër dhe vorreza të vjetra iliro-dardane, institucionet përkatëse vetëm reaguan, por nuk ndërrmorën kurgjë në hulumtimin e këtij lokaliteti dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Reaguan disa profesorë të gjeografisë(Sami Agushi) dhe të historisë si dhe reagoi Shoqata për Trashëgimi, por ende kurgje nuk ka në drejtim të hulumtimit të lëtij lokaliteti të vjetër.
Pastaj prishja e Hamamit të qytetit te Xhamia e Poshtme, ndërtimi i shtëpive në lokalitetin e qytetit të vjetër të Preshevës, rrëzë Kalasë së Preshevës dhe në vendin e vorrezave të vjetra të qytetit të vjetër në
të djthtë të rrugës Preshevë-Gjilan, te vendi i quajtur “Te Mullinjtë”, rrënimi i 20 mullinjve të Preshevës, etjerë tregojnë moskujdesin e institucioneve të shtetit qendror, por edhe lokal, Shoqatës tonë dhe ndërgjegjës së qytetarëve.

Nga themelimi i Shoqatës për Trashëgimi kemi një valë kërkesash nga qytetarët e komunës tonë për të na dhënë eksponate të mëdha e të vogla të Trashëgimisë tonë shumëshekullore, mirëpo në mungesë të një MUZEU komunal, ato nuk mund t’i mbledhin me një vend. Në bisedë me kryetarin e komunës hasëm në mirëkuptim dhe besojmë se së shpejti do të zgjidhet edhe lokali i muzeut në Preshevë.


Presheva Jonë: Ju si përfaqesues nga SHTKK  keni përcjellur Konferencën e Parë gjithkombëtare në Tiranë  me temën:”ARSIMI SHQIP DHE ASPEKTE STUDIMI TË PLAN-PROGRAMEVE DHE TEKSTEVE MËSIMORE NË SHKOLLAT SHQIPE TË LUGINËS SË PRESHEVËS”. Cka u tha ne te konkretisht për Luginën ?

 


XHEMALEDIN SALIHU: U mbajt Konferenca e Parë Mbarëkombëtare për çështjen e njësimit të programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe

Në Tiranë, më 17 dhe 18 shtator të  vitit 2011 u mbajtën punimet e Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të organizuar nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, me temë: “Studimi i mundësive të përafërimit deri në njësim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet shqiptare dhe në Diasporë”.  Konferenca i organizoi punimet në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtare, ndërsa Konferencën e shpalli të hapur Z. Rrezart Gashi, drejtor i Institutit, kumtesën e parë e lexoi kryetari i Bordit Drejtues të I.I.K.SH., Dr. Ibrahim Gashi, i cili njëkohësisht paraqiti punën njëvjecare të Komisionit Qendrorë dhe Komisioneve Zonale për organizimin e Konferencës.

Në konferencë morën pjesë përfaqsues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, Çamëria, Diaspora. Pjesëmarrës nga Lugina e Preshevës ishin: 

1.Dr.Bade Bajrami, Tekstet e gjuhëve të huaja te Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Profesor i gjuhë frenge në Universitetin e Prishtinës.

2..Alixhemal Salihu, Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollat e mesme të Luginës së Preshevës(e shkuara-e tashmja-e ardhmja), Profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Preshevë

3..Xhemaledin Salihu, Arsimi shqip dhe aspekte studimi të plan-programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës, profesor i pedagogjisë, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës në Preshevë.

4..Sali Salihu, Çështja e Shqiptarëve të Kosovës Lindore-parakushtet e nevojshme për realizimin e plan-programeve të historisë dhe pengesat në realizimet të tyre- udhëkryqet e kohës, profesor i historisë në Bujanoc. 

5..Abdulla Bilalli, Disa aspekte rreth koncepcioneve bashkëkohore për hartimin e kurikulave dhe teksteve mësimore si dhe krahasimi i teksteve “gjuha shqipe” për shkollat fillore, Arsimtar i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Preshevë

6.Shkodran Ismaili, Krahasimi i programeve dhe teksteve mësimore të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës-Serbi, lënda e sociologjisë, hartuesi është jurist, Preshevë.

Në fund të punimeve të kësaj konferenceje u morrën disa konkluzione të rëndësishme për programet dhe tekstet mësimore në shkollën shqipe,  të cilat do t’u përcillen ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës për t’i shqyrtuar, e pse jo edhe për t’i miratuar dhe Këshillit Kombëtar Shqiptarë  të Luginës së Preshevës.

Të gjithë pjesëmarrësit e Luginës së Preshevës e vlërësojn Konferencën si të sukssesshme, e cila e aryetoi mbajtjen e saj dhe e arriti objektivin. Konkluzionin e propozuar nga përfaqsuesit e Malit të Zi , për 20% u kundërshtua nga unë dhe nga  krejt delegacioni jonë dhe të tjerët me radhë.

Në Konferencë u aprovua, pos të tjerëve ëdhe Konkluzioni i propozuar nga delegacioni i jonë: QË NË TEKSTET MËSIMORE TË HISTORISË, GJEOGRAFISË, GJUHËS SHQIPE DHE LETËRSI, KULTURËS MUZIKORE, KULTURËS SË ARTIT  DUHET TE  SHKRUHET HISTORIA KOMBËTARE, GJEOGRAFIA KOMBËTARE, GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA, KULTURA E MUZIKËS, KULTURA E ARTIT AQ SA DUHET TË MËSOHET PLOTËSISHT, PA KURRFARË PËRQINDJEJE.

Të mësohet  sikur që vepron Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë për minoritetin grek dhe maqedon, plotësisht nderohet vullneti i këtyre minoriteteve, ndërsa Ministria ua plotëson këto kërkesa dhe te merren për modele shtetet e civilizuara, moderne, demokratike skandinavike, progresive në zgjidhjen e problemeve arsimore të minoriteteve dhe pakicave kombëtare.

Presheva Jonë: C ili është vendi dhe roli i Preshevës qendër e traditave kulturore, tregtare në historinë e këter viseve në trekëndshin Kosovë-Serbi-Maqedoni…

 

XHEMALEDIN SALIHU: Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) është e banuar me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë. Ajo qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Këtë trevë shqiptare e bëjnë komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin  etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbreterinë Dardane, e cila për ketë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Mundësi  e madhe që ky etnikum të jetoje në një territor të përbashkët, me cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore,
ekonomike e politike. Mirëpo, luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan, sa që pushtuesit e ardhshëm: Bizanti, Turqia Otomane, Sllavët e copëtuan dhe e ndan këtë etnikum në disa territore. Edhepse zhgënjim i popullatës shqiptare, asnjëherë nuk u shua kërkesa, shpresa e Shqiptarëve për bashkim të këtyre territoreve  në Shqipëri Etnike.

Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin. Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar ate. Hekurudha përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente. Autostrada poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub – Moravë – Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Françezët, Anglezët.

Presheva duhet të jetë qendë kulturore, arsimore, universitare, bibliotekare, politike, informative në trekëndshin Kosovë, Maqedoni, Serbi, sepse ka kapacitete punuese, njerë të vyeshëm që mund ta bartin gjithë aktivitet, të lartëpërmendur, edhepse kohëve të fundit shumë aktivitete kulturore, politike, arsimore, bibliotekare, informative, ndoshta me ëllim po barten në Bujanoc. Presheva mbetet  “mjedisi i dynjasë”  dhe duhet ta gëzojë këtë epitet, sepse e meriton dhe gjatë histories e ka dëshmuar se mund të jetë bartëse e Lëvizjes Mbarëkombëtare, kulturore, arsimore dhe kombëtare.

 

Në programin e punës planifikojmë ndonjë Akademi Përkujtimore për ta nderuar patriotin dhe prijësin e madh të Karadakut të Preshevës, Idriz seferi

Presheva Jonë: Me rastin e 133 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Manifestimit Qendror në Prizren ( 10 qershor 2011) me moton “Lidhja është gjallë” mee sa  dime ka pasur  delegat edhe nga lugina e Preshvës.  Dnumtë na thoni ketu dicka me tepër ?

XHEMALEDIN SALIHU: Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 – 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqsuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin Shqiptar, të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës. Lidhja ishte përpjeka e  parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.

Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin turk, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk atoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës  gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu e shum patriotë të Luginës organizuan protesta  dhe ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit turk. Pastaj të përmendin kryengritjen e Dervish Carës, më 1844, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.   Pra, qysh me kohë, Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish’Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, e pjesëmarrëse në Lëvizjen Gjithëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë me në krye me Sheh Maksut Efendiun si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvëndin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Maksut Shehu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe  Haxhi Abazi.  Në këtë kohë të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe pjesëmarrjes së delegatëve të Preshevës  në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresës se do të ndodhë bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes, mbajtjes iu këndua Lidhjes së Prizrenit, Shqiptarët e Preshevës me lule dhe valle i përcollën delegatët në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Bile, thuhet se atëherë edhe lindi vallja e Miratocit

Presheva vallëzoi dhe  këndoi gjatë përcjelljes së delegatëve preshevarë  për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe përfundimit dhe pritjes së rezultateve të Kuvendit, që ishin me rëndësi edhe për fatin e Preshevës. Pra, është e njohur se Presheva që nga viti 1878 u bë qendër e Kazasë së Preshevës.

Sipas të dhënave dhe kujtimeve në këtë kohë  thuhet se lindi edhe vallja e njohur preshevare, vallja e Miratocit, e ashtuquajtura “Miratocka”.

Vallja më e njohur preshevare, Vallja e Miratocit “Miratocka” është valle me motive epike, e cila lindi në kohën e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vallja në fjalë ka dy etapa ritmike, në fillim të valles ka një ritëm të ngadalshëm muzikor e të hapit, ndërsa pjesa e dytë apo e fundit e valles ka ritmin më të shpejtë, por në të dy etapat nuk humbet hapi i rëndë burrëror dhe krenar i valles shqiptare. Vallja ka lidhshmëri me përcjelljen e delegatëve, kur ritmi i valles është më i ngadalshëm dhe pritjen e delegatëve preshevarë për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur ritmi përshpejtohet duke i pritur me kureshtje të madhe lajmet, haberet dhe rezultatet e Kuvendit.

 

Presheva  Jonë: Në puimet, hulumtimet e juaja shpesh zini n’goje edhe Indriz Seferin, Karadakun. Cili  eshte vendi i tyre në SHTKK dhe në histroinën tonë…

XHEMALEDIN SALIHU: Karadaku I Preshevës është object i studimeve edhe nga unë. Kështu gjatë vitit 2011, duke udhëtuar nëpër Kardak të Preshevës I  shkrova 2 fororeportazhe  “KARADAKU I PRESHEVËS JOSHËS PËR PUSHIME” dhe tjetri  “KA
RADAKU TËRHEQËS PËR TURIZMIN MALOR”

Po ashtu herë-herë  duke shkruar e preka edhe temën e Kryengritjeve në Karadak dhë të Idriz Seferit. Të them se Shqiptarët e Luginës së Preshevës iu bashkangjitën kërkesave të Qeverisë  Shqiptare të Shqipërisë, e cila kërkoi Autonomi Territoriale – Politike të Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Otomane. Perandoria Otomane nuk i pranoi 14 kërkesat e Shqiptarëve për Autonomi Politike, por vetëm kërkesat kulturore-arsimore.Kështu dështoi dhe zhgënjimi në Perandorinë Otomane që Shqiptarët të jëtojnë në një shtet të përbashkët shqiptar. Mirëpo erdhi zhgënjimi, mosnohja e autonomisë politike nga Perandoria Otomane. Shqiptarët e pakënaqur organizuan Kryengritje. Kësaj iu bashkangjitën edhe  Shqiptarët e Luginës  kundër Perandorisë në krye me patriotin Idriz Seferi.

 

Tribuna Shkencore : “ DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË, DIKUR DHE SOT” ka karakter kulturor, historik, por edhe kombëtar.


Presheva Jonë: Nje tubun i tillë  me karakter nderkombetar kemi njohuri se se shpejti do te organizohet ne Preshve nen patronatin e SHTKK-së. Kjo tribunë shkencore me temën:“Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot do të mbahet dikund kah dhjetori. Mund të na thoni me gjerësisht rreth kësaj tribune, organizmit, temav, mysafirëve… 

XHEMALEDIN SALIHU: Për vitin 2011 planifikojmë ORGANIZIMIN E TRIBUNËS SHKENCORE : “ DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË, DIKUR DHE SOT”, e cila duhet të mbahet më 23-24 dhjetor. Shoqata për Trashëgimi dhe  Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në  Preshevë shpalli një Njoftim për konkurim të pjesëmarrësve në Tribunë Shkencore, me  Tezat e temës :Dasma shqiptare sipas ndarjes rajonale/Shkup, Kumanovë, Gjilan, Viti, Bujanoc, Medvegjë, Preshevë dhe më gjërë ; Histori e dasmës shqiptare ; Lirika dhe epika e dasmës shqiptare ; Muzika, Kënga dhe Vallja në dasmën shqiptare, dikur dhe sot ; Organizimi i Festivalit Folklorik i Dasmës Shqiptare në Preshevë dhe rrethinë ;Gjurmimi, evidentimi dhe regjistrimi i dasmës shqiptare në Preshevë dhe rrethinë ; Dasma  shqiptare në mes të tradicionales dhe modernes ; Vallet dhe këngët e burrave, të grave dhe të përziera në dasmën shqiptare

Tribuna do t ‘i ketë 2 pjesë:

1.Pjesën teorike me kumtesa, ku do të marrin pjesë studiues të ndryshëm, kanë konfirmuar ardhjen dhe pjesëmarrjen nga Tirana: Akademik Gjovalin Shkurtaj, Prof.Dr. Leonora Shkurtaj, Halil Kamberi, regjisor, Agim Kuri, operator, Prof. Agron Xhagolli, Prof. Dr. Afërdita Onuzi, Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Riselda Sejdijaj, Ela Shala nga Durrësi, nga Tetova: Prof.Dr. Mustafa Ibrahimi, nga tetova : Prof. Dr. Nebi Dervishi, nga Shkupi, nga Prishtina: Dilaver Kryeziu, nga Gjilani: Demir Krasniqi, Hysen Kqiku, nga Zvicra: Hysen Ahmeti dhe nga Lugina e Preshevës: Jonuz Fetahaj, Ferid Selimi, Sahadete Presheva e tjerë dhe

 2.Pjesën praktike, ku dasmën e Preshevës do ta organizojmë si dikur dhe do ta filmojmë me kamerë.

 

Mirëpo, po qese nuk sigurojmë mjete financiare, do të rrezikohet mbajtja e Tribunës. Andaj, edhe apeli i jonë për ndihmë financiare, me aq mjete sa ka mundësi të na ndihmoje Diaspora dhe bashkëvendasit tonë, përkohësisht të punësuar në Perëndim. Tribuna Shkencore : “ DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË, DIKUR DHE SOT” ka karakter kulturor, historik, por edhe kombëtar.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni