Lezha përkujton sot 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës me një serë aktivitetesh, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.  Ceremonia festive ka nisur në Obelisk, ku në shenjë simbolike është ngrituar edhe flamuri kombëtar si dhe është ndezur edhe Flakadan-i i Jubileut.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se sot është një nga ditët më të veçanta pasi Skëndërbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën në këtë qytet të krijonin shtetin e tyre.  “Ne sot nderojmë Kuvendin e Lezhës të cilët shqiptarët do ta titullonin më pas si “Besëlidhja e Lezhës”, akt në të cilin burrat e këtij vendi vendosën të përballen me superfuqinë e kohës dhe të qëndrojnë të pamposhtur duke u bërë burim frymëzimi për popujt e tjerë të Europës dhe të botës. Sot ne nderojmë shpirtin e bashkimit kombëtar, 568 vjet më parë në këtë qytet lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, i bashkimit të tyre “Një komb një qëndrim” theksoi Berisha.

Duke u bashkuar në Lidhjen e Lezhës, Berisha tha se shqiptarët shkruajtën kapitullin më të ndritur të historisë së tyre. “Shqiptarët në këtë parim u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit, dhe ia dolën. Shqiptarët u bashkuan në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar, “Një komb një qëndrim”, për çlirimin e Kosovës, dhe Kosova është sot e lirë. Eshtë ky parim i shenjtë që bën të mundur që ne sot të bashkohemi nga të gjitha trevat, si njerëz të lirë, si qytetarë të lirë.” tha kryeministri, njofton Oralive.

Kryeministri Berisha nderoi edhe figurën e princit legjendar Skënderbeut duke theksuar se shqiptarët kanë tek ai burimin e përjetshëm të frymëzimit. “Shqiptarët kanë tek Skënderbeu burimin e përjetshëm të frymëzimit të tyre, trimërisë dhe guximit të tyre. Ai ishte burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë së madhe të kohës. Nuk është e rastit që u zgjodh Lezha, ajo u zgjodh se zemra juaj, shpirti jua, ishte më i arriri. Në këtë kontekst, po të mos ishte Lezha, nuk do të ishte Kruja, Prizreni, Vlora dhe Prishtina.” shtoi më tej kryeministri.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë, Vikto Tusha tha se kjo datë jeton e gjallë në të gjithe mendjet e shqiptarëve. “Lezha hyri në historinë e  kombit pasi në këtë vend u shkrua historia e lavdishme e kombit tonë” theksoi Tushe ndërsa shtoi se Lezha është qyteti i kuvendeve më të rëndësishme në historinë e vendit.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha si dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti dhe Zv.kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe kreu I PDSH-së në Maqedoni Menduh Thaçi.

Gjithashtu kryeministri Berisha dhe personalitete e lartë të vendit tonë dhe Kosovës kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në memorialin dhe në varrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

Më 2-Mars të vitit 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu zgjodhi këtë qytet për të bërë të mundur bashkimin e gjithë princave shqiptar, si një vend i garantuar dhe i besës.

SHPËRNDAJE