Sali BERISHA: KOSOVË KRENARIA JONË, URIME DITËLINDJEN E PAVARËSISË

Kryeministri Berisha u shpreh: “Sot është një ditë e krenarisë sonë kombëtare, është një nga ditët më të mëdha, më të rëndësishme në shumë shekuj dhe kjo është Dita e Pavarësisë së Kosovës. Dita që u riktheu shqiptarëve, kudo që ndodhen, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare. Dita, e cila i bëri ata qytetarë të lirë. Dita që bëri të mundur që shqiptarët, kudo që jetojnë, të mund të këndojnë këngën lirisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e hapi sot, mbledhjen e Këshillit të Ministrave me një urim të përzemërt drejtuar qytetarëve të Kosovës, qeverisë dhe të gjithë faktorit politik, për këtë ditë të shënuar për Kosovën, trevjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Pavarësia e Kosovës përbën padyshim faqen më të ndritur të historisë sonë kombëtare, nga luftërat e Skënderbeut gjer më sot. E them këtë i bindur se pa pavarësinë e Shqipërisë nuk do të kish pasur as Shqipëri, as Kosovë, por pavarësia e Shqipërisë, përveç përpjekjeve titanike, kryengritjeve të mëdha që tronditën Evropën e botën në Kosovë, ishte edhe konjukturore, pasi ky akt u shoqërua nga copëtimi i trojeve shqiptar në pesë shtete. Ajo që ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi erdhi si kurorë e një qëndrese mbinjerëzore e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Natyrisht, në luftën e parë botërore dhe para saj shqiptarët ishin kombi më i ndëshkuar, më i copëtuar, në një përpjekje të shumëfishtë për asgjësimin e tyre. Ata u copëtuan, u ndanë në pesë shtete, ndonëse kudo ishin vazhdimësi gjeografike dhe shumicë etnike në territoret e tyre. Por duhet të pranojmë se luftërat nuk kanë lëshuar padrejtësi vetëm mbi shqiptarët. Padrejtësi janë bërë edhe në kombe të tjera. Shqiptarët qëndruan në të drejtën e tyre.

Shqiptarët në Kosovë ia dolën me qëndresën e tyre mbinjerëzore, me rezistencën e tyre totale paqësore e të armatosur të fitojnë e pushtojnë mendjet e zemrat, së pari, të qytetarëve, ligjvënësve dhe qeveritarëve të vendit të lirisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më pas të vendeve të tjera të lira në Evropë e në botë. Ata ia dolën që çështjen e tyre, të drejtë e të ndershme, çështjen e lirisë së tyre ta shndërrojnë në një çështje të ndërgjegjes së kombeve të lira, të lidhura në Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila në emër të të drejtave të shqiptarëve vendosi për herë të parë në historinë e saj, të ndërmarrë sulmet më të fuqishme ajrore kundër një regjimi barbar, që kishte vendosur praktikat e shfarosjes, gjenocidit, aparteidit në 2 milion shqiptarë të Kosovës.

Në tre vjet ekzistencë, shteti i ri dhe i pavarur i Kosovës është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore. Ajo ia doli të vendosë marrëdhëniet e të njihet në tërësi nga bota e lirë, por dhe nga shumë vende të tjera në të gjitha kontinentet. Kosova vjen në këtë trevjetor e sigurt në të ardhmen e saj të shkëlqyer evropiane. Ndaj t’i përcjellim me këtë rast, qytetarëve të Kosovës, qeverisë së Kosovës e institucioneve të saj, forcave politik të këtij vendi, urimet më vëllazërore e më të përzemërta, në këtë ditë që bëri të lirë, që i riktheu dinjitetin, krenarinë kombëtare jo vetëm qytetarëve të Kosovës, por shqiptarëve kudo që jetojnë, t’ju urojmë gëzuar pavarësinë e vendit”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni