Saimir Pirgu, tenori shqiptar që “sfidoi’ skenat botërore

Intervistë me tenorin e shquar, Saimir Pirgu

Saimir Pirgu është një nga tenorët më të njohur shqiptar në skenat botërore, ai tregon për lidhjet e tij me Kosovën, pasionin dhe dashurinë e tij të madhe për operën.

Së pari, mund të na tregoni lidhjet tuaja me Kosovën, kur kanë qenë kontaktet tuaja të para?

S.Pirgu: Fatkeqësisht unë nuk kam qenë asnjëherë në Kosovë, dhe të them të vërtetën nuk më është bërë ndonjëherë ndonjë ftesë e vërtetë për të ardhur. Ka patur shumë dëshira të njërit apo tjetrit po jo aq prezentë. Por dhe unë vetë kam dashur ta vizitoj Kosovën, por mendoj se së shpejti do te gjej mundësinë për ta vizituar.

Cilat janë ato sfida apo pengesa që qëndronin pas skenës kur filluat karrierën në skenat botërore?

S. Pirgu: Karriera ime është vetëm një arritje personale dhe unë jam akoma në fillim, në karrierën e një këngëtari operistik kjo është A-ja. Fakti që unë jam i ri dhe kam arritur në gjithë këto teatro të botës do të thotë që kjo është dhe pak fat, shumë punë, por është më shumë dedikim i këtij arti që unë kam personalisht. Zërin ma ka falur zoti, prindërit e mi, por është detyra ime që ta mbroj dhe të jap maksimumin çdo ditë për këtë art. Kam “blerë” nga njerëzit që kam punuar deri tani, nga maestro Abbado, Muti, Pappano nga Domingo, nga i madhi Luciano Pavarotti, me të cilin kam qenë edhe mik. Në moshë shumë të re kam “vjedhur eksperiencën ” nga të gjithë këta njerëz më të mirën, për të bërë një hap më shumë sesa një tenor normal që këndon nëpër botë. Sfidat janë të ndryshme, më e keqja është ajo e identifikimit tim si shqiptar. Shpesh herë vënë në dyshim se ne shqiptarët kemi opera apo art, na konsiderojnë si myslimanë të vendeve të treta dhe harrojnë që jemi në Evropë me një kulturë tonën po aq të lashtë sa të tyren. Kjo më lëndon pak, por sidoqoftë është një paragjykim që do të ndryshojë me kohën. Koha është e shqiptarëve, është momenti ynë.

Ndërsa sa i përket repertorit tuaj, që prezantoheni para publikut, kë do të veçonit ndonjë autor pa të cilin ngjitja juaj në skenë nuk ka kuptim?

S.Pirgu: Një artist e ka shumë të vështirë të veçoj rolet e tij, por veprimtaria ime nuk do të kishte kuptim pa “Cosi fan tutten” e Mozartit, “Rigoletton” e Verdit , e “Bohemen” e Puccinit. Janë tre role që në vite të ndryshme më kanë hapur dyert e teatrove botëror e më kanë thënë shumë. Jam me fat që mund të lexoj gjuhën e muzikës jo shumë njerëz e kanë këtë mundësi.

Jeni cilësuar si “Ambasador i kulturës shqiptare në botë”, çfarë do të thotë për ju ky titull?

S.Pirgu: Është një titull që sigurisht të gëzon. Ne artistët lëvizim kudo e askush më mire se ne nuk mund të flasë për vendin e tij, nëpërmjet artit. Është një lloj kënaqësie që nuk shpjegohet të lexosh afishet apo kritikat nëpër botë me emrin “The Albanien Tenor Saimir Pirgu”. E të them të drejtën mua më ka ndihmuar shumë për identifikimin tim. Shpesh herë e kanë të vështirë të shprehin emrin tim dhe më thërrasin “tenori Shqiptar”. Është një kënaqësi shumë e madhe.

Aktualisht cilat janë projektet tuaja muzikore?

Saimir Pirgu: Tashmë ndodhem në operën “National de Paris”, mbas kësaj për një recital në Berlin dhe do ta mbyll vitin në operën shtetërore të Vjenës me një produksion të ri të operës “Don Xhovani”. Viti tjetër më pas do të filloj shumë shpejt me një gjë shumë të madhe, pasi në muajin janar unë jam në Uashington dhe më pas do të vij në “La Scala” në operën e parë me debutimin tim të parë në premierën e operës “Flauti Magjik”. Ndihem shumë mirë, pasi unë kam pasur disa herë ftesa nga “La Scala”, por për disa arsye nuk janë realizuar, dhe kjo është një opera shumë mirë për të hyrë në “La Scala”. Gjithashtu një projekt për tu nënvizuar do teë jetë “Requiemi” i Verdit në Festivalin e Salisburgut i dirigjuar nga i madhi Riccardo Muti.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni