Sahin drejt Bayern, Pisczek tek Reali?

Mesfushori i Realit të Madridit, Nuri Sahin, mund të rikthehet në Bundesligën gjermane, ndonëse këtë herë me fanelën e Bajernit të Mynihut.

Ish-kampioni i Gjermanisë me Borussia Dortmund dhe kampion i Spanjës në këtë sezon me Realin, turku ka gjetur shumë pak hapësira në “Santiago Bernabeu” dhe mendon largimin drejt një skuadre që të jetë në gjendje t’i ofrojë një vend titullari në formacion.

Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, Bajerni është pranë formulimit të një oferte prej dhjetë milion eurosh, për të bërë për vete shërbimet e fantazistit, me anë të të cilit synon të thyejë hegjemoninë dy-vjeçare të Dortmundit në kampionat.

Megjithatë, përpara se të transferohet në “Allianz Arena”, Bajerni duhet të mposhtë konkurrencën e Interit dhe Galatasarait.

Duke qëndruar në aksin e merkatos Spanjë-Gjermani, Reali është duke tentuar të realizojë një tjetër marrëveshje me Borussian, këtë herë për mbrojtësin e djathtë, polakun Lukas Pisczek.

Në një deklaratë për “Przeglad Sportoëy”, 23-vjeçari refuzoi të komentonte zërat e transferimit, duke evidentuar se sapo ka zgjatur kontratën me kampionët e Gjermanisë dhe se është i përqendruar në finalen e Kupës. Sidoqoftë, Pisczek shtoi se “është i gatshëm të bisedojë, nëse ka një ofertë konkrete dhe jo vetëm zëra”.

Sipas të përditshmes polake, shenja interesimi për mbrojtësin e talentuar kanë shfaqur edhe klube të tjera të mëdha, si Manchester City, Chelsea, Inter dhe Roma.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni