Këngët përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të fushës së muzikës, por jo vetëm. Juria e këtij viti përbëhet nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari.

Edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) startoi mbrëmë me natën e parë të tij. Janë 28 këngë që do të konkurrojnë për çmimin e parë të festivalit e më pas për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian.

Gjatë natës së parë u ngjitën në skenë 14 këngët e para, prej të cilave 10 do të shkojnë në finalen e 29 dhjetorit. Ata janë Gerta Mahmutaj, Bashkim Alibali, Samanta Karavello, Endri dhe Stefi Prifti, Rona Nishliu, Rudina Delia, Marjeta Billo, Hercina Matmuja, Altin Goci, Elton Deda.

Këngët përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të fushës së muzikës, por jo vetëm. Juria e këtij viti përbëhet nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari.

Në natën finale votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre.

Këtë vit drejtimin e festivalit e ka marrë në dorë Martin Leka, regjinë Osman Mula, skenarin Pandi Laço e Edlira Birko, ndërsa prezantimin Hygerta Sako, Kreshnik Xhelilaj dhe Enkelejda Zeko.

Gjatë netëve nuk do të mungojnë edhe të ftuarit e huaj, me të cilët do të ndahet gëzimi i një jubileu. Përveç që ky edicion përkon me 50-vjetorin e Festivalit të RTSH-së, çka do të thotë një udhëtim i gjatë në rrugën e këngës, ai do të mbahet mend edhe për kthimin në traditën e dikurshme, atë të interpretimit live, por kuptohet me një teknologji shumë më të avancuar se dikur.

Orkestrës së RTSH-së, e cila ka qenë gjithnjë live, i është shtuar edhe një bandë muzikore, nën drejtimin e Shpëtim Saraçit, që këtë vit është edhe drejtori artistik i festivalit.

Që nga këngëtari, tek baza orkestrale, tek harqet gjithçka do të zhvillohet drejtpërdrejt nga skena e Pallatit të Kongreseve dhe në ekranin e RTSH-së.

Si një edicion jubilar, Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) do të mbahet këtë vit në 4 net, 26, 27, 28 dhe 29 Dhjetor. Nata e parë dhe e dytë janë net konkurrimi të 28 këngëve pretendente, ndërkohë që nata e tretë do të jetë një retrospektive me këngët më të mira të 50 edicioneve që do të rivijnë në skenën e tij.

Data 29 dhjetor do të shënojë finalen e madhe ku më të mirët e këtij edicioni do të sfidojnë njeri- tjetrin për çmimin e madh, i cili automatikisht ju jep të drejtën e pjesëmarrjes ne Festivalin e Eurosong, që do të zhvillohet në Azerbajxhan.

SHPËRNDAJE