Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka bërë “mal” keqpërdorimesh gjatë vitit 2011. Menaxhmenti i këtij televizioni sipas Auditorit Gjeneral nuk ka menaxhuar mirë më buxhet, duke tejkaluar edhe shpenzimet e parapara. Auditori ka bërë të ditur se në RTK ka shpenzime të mëdha për telefona, ka kontrata të nënshkruara pa planifikim, ka zbritje speciale pa arsyetim në çmime për marketing, shkruan hazeta LAJM

Prishtinë – Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka bërë çfarë ka dashur me buxhetin e këtij televizioni për një vit rresht. Në RTK, sipas Auditorit Gjeneral ka keqpërdorime të mëdha në shpenzimin e parave dhe në punësimin e njerëzve. Auditori ka bërë të ditur se në RTK ka shpenzime të mëdha për telefona, ka kontrata të nënshkruara pa planifikim. Sipas Auditorit, shuma e kontratave të lidhura ishte më e lartë sesa buxheti dhe si pasojë, detyrimet e RTK-së janë rritur dukshëm.

Më tuje, Auditori ka vlerësuar se  RTK-ja nuk ofron konkurrencë të drejtë për të gjithë operatorët. RTK-ja nuk përgatit raport për pranimin e mallrave si dhe udhëheqësi i prokurimit për vite me radhë mban pozitën ushtrues detyre i menaxherit të  prokurimit.

“Në periudhën Janar-Dhjetor 2011, RTK-ja ka shpenzuar gjithsej 112,342 euro për shërbime telefonike. Shuma prej 87, 075 euro është shpenzuar për shërbime fikse të PTK-së dhe 25, 267euro për shërbime të tjera të telefonisë (telefoni mobile). Të gjeturat Departamenti i Financave nuk kishte informata të sakta dhe regjistra kontabël për të mbështetur vlerën e shpenzimeve, e cila ishte prezantuar në pasqyra financiare si

shpenzime të telefonisë”, ka treguar Auditori, duke thënë se sipas informatave burimore shpenzimet e telefonisë fikse ishin  84,632 euro pa TVSh, përderisa në pasqyra financiare janë prezantuar 87, 075 euro pa TVSh.

“Për telefoninë mobile ekziston një listë në të cilën për disa pozita ishin të kufizuara limitet  e shpenzimeve për këtë kategori. Kjo listë ishte e viteve të mëhershme, mirëpo nuk është qartë e definuar. Disa nëpunës kanë krijuar shpenzime të paautorizuara dhe kanë tejkaluar limitet dhe, RTK-ja nuk ka aplikuar ndalesat për këto tejkalime.

Si rezultat i nivelit të ulët të kontrollit në menaxhimin e shpenzimeve të telefonisë mobile brenda RTK-së, në një rast kemi vërejtur se ishin paguar shpenzime mujore për një numër telefoni mobil, i cili më herët ishte në shfrytëzim nga një ish-zyrtar i RTK-së, si dhe,  në një rast tjetër është vërejtur që një nëpunësi të RTK-së i paguhen shpenzime të  telefonisë mobile për më shumë se një numër telefoni mobil”, ka vlerësuar auditori.

Menaxhmenti i RTK-së nuk kishte hezituar të shpenzonte para edhe pse gjatë vitit kishte rënie të të hyrave nga marketingu. Sipas Auditorit, këtë vit kishte rënie edhe nga të hyrat e marketingut krahasuar me vitin 2010, këtë vit ishin grumbulluar më pak se  259,742 euro.  Ndërsa, sa i përket shpenzimeve, në përgjithësi këto ishin më të larta se vitin e kaluar për  971, 726 euro. “Në vitin 2011, RTK-ja ka operuar me bilanc negativ, duke arritur deficit në vlerë prej 2, 521, 758euro. Paraja dhe ekuivalentet e saj nuk ishin të pasqyruara ashtu siç duhet, vlera prej 869, 715 euro, duhet të prezantohet si detyrim afatshkurtër për shkak të mbitërheqjes bankare”, ka thënë auditori në raportin për RTK-në. Kurse, sa i përket avanceve për udhëtime jashtë vendit, ato ishin regjistruar në një kod adekuat.

“Shpenzimet për programet e RTK-së regjistrohen në një kod të veçante me numër rendor 5710. Në këtë kod ishin regjistruar në mënyrë joadekuate avance për udhëtime zyrtare  dhe pagat në vlerë 251, 430 euro si dhe udhëtimet zyrtare jashtë vendit në vlerë 10, 822 euro”, ka vërejtur Auditori…(Me gjerësisht në gazetën Lajm)

SHPËRNDAJE