Rriten tensionet brenda PDK-së

Ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të brendshme në PDK, por teksa ato afrohen, rivaliteti mes drejtuesve kryesorë të kësaj partie, rritet. Derisa zyrtarë të PDK-së thonë se përplasjet që u demonstruan edhe në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të bëjnë me çështje të brendshme, por me çështje parimore, të tjerët thonë se janë reflektim i zgjedhjeve të pritshme brenda partiake. Kurse analistët e shohin këtë si proces normal dhe të shëndetshëm për demokracinë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili njëherit bart edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, deklaroi se qëndrimet e tij të shprehura në Kuvend në dy seancat e fundit, nuk kanë të bëjnë me probleme brenda PDK-së, apo me probleme personale.

Sidoqoftë, përplasja e fundit me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci në seancën e Kuvendit, ka ngritur edhe më shumë tensionin në këtë subjekt politik.

Krasniqi tha se qëndrimet e tij janë parimore, ndërsa theksoi se edhe partitë tjera së pari do duhej t’i shihnin problemet brenda vetes.

“Është shumë lehtë ta shohësh gabimin dhe të keqen tek të tjerët. Është kogja burrëri t’i shohësh defektet brenda vetes. Është mirë çdo parti politike në Kosovë t’i shoh problemet brenda vetes, sesa është demokratike dhe sesa i respekton procedurat e demokracisë”, tha Krasniqi.

Në Qeveri nuk kanë dashur të komentojnë për zhvillimet në Kuvend dhe për largimin e pozitës dhe të kabinetit qeveritar nga seanca e Kuvendit. Ministri i Financave, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se ato janë çështje të Kuvendi.

“Për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit, më me kompetencë iu përgjigjet Kuvendi”, tha shkurt Hamza.

Sidoqoftë, burime të Radio Kosovës brenda PDK-së, bëjnë të ditur se afrimi i Kuvendit të përgjithshëm zgjedhor të partisë, po shton çdo ditë e më shumë rivalitetin në PDK-në.

Megjithëse deri tani askush nuk ka shprehur ambiciet për të qenë kundërkandidat i kreut aktual, Hashim Thaçi, burimet kanë bërë të ditur se drejtuesit kryesorë, ka kohë që kanë filluar takime të ndryshme me anëtarësinë e gjerë, duke nisur nga baza prej nga vijnë.

Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa thotë se edhe zhvillimet e fundit janë reflektim i këtyre zgjedhjeve.

“Janë reflektim për zgjedhje. Unë besoj që të gjitha këto çështje duhet të diskutohet brenda partisë besoj që temat të cilat janë hapur”, tha ai për Radio Kosovën.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, LDK, Isa Mustafa nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet në PDK, por thotë se më në fund po dëshmohet ajo që e ka thënë opozita vazhdimisht.

“Është mirë që po hapen proceset, është mirë që po vërtetohet ajo që ne si parti e kemi thënë se ky parlament, këto institucione kanë derivuar nga votat e vjedhura dhe është mirë që të marrim mend që në të ardhmen të mos ndodhë”, tha Mustafa.

Ndërsa analisti politik, Driton Lajçi, të gjitha zhvillimet e fundit brenda PDK-së i sheh si normale dhe të shëndetshme për demokracinë në përgjithësi.

“Unë mendoj se këto janë të shëndetshme për demokracitë e brendshme, për demokracitë e partive politike dhe të shëndetshme për opinionin publik në Kosovë, në mënyrë që njerëzit të fillojnë të mendojnë ndryshe dhe të fillojnë të mendojnë me kritikë”, tha Lajçi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni