Gazetari i së përditshmes “Shekulli”, Dashamir Biçaku u dhunua gjatë ushtrimit të tij të detyrës nga truprojat e pronarit të fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, Carli Buri.

Biçaku u godit ndërsa fotografonte pronarin e fabrikës që po linte ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku ishte marrë sërish në pyetje për vrasjen e nëndrejtorit të fabrikës së çimentos, palestinezit Anuar Rizik, një muaj më parë në Tiranë.

Pas kallëzimit në polici të gazetarit, burime nga kjo e fundit bënë të ditur se Drejtoria do të nisë procedimin penal në ngarkim të truprojave.

Si raporton TCH, vrasja e Rizik vijon të jetë e mbuluar nga misteri, me policinë që dyshon se autori i saj ishte një vrasës profesionist, bazuar tek mënyra se si vendosi eksplozivin dhe se si lëvizi pas atentatit.

SHPËRNDAJE