Gazetari i së përditshmes “Shekulli”, Dashamir Biçaku u dhunua gjatë ushtrimit të tij të detyrës nga truprojat e pronarit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Carli Buri.

Biçaku u godit ndërsa fotografonte pronarin e fabrikës që po linte ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku ishte marrë sërish në pyetje për vrasjen e nëndrejtorit të fabrikës së çimentos, palestinezit Anuar Rizik, një muaj më parë në Tiranë. Gjithashtu nga i njëjti person dhe në të njëjta kushte janë kanosur për shkak të detyrës edhe gazetari i gazetës “Shqip”, Bledi Gila dhe ai i “Gazetës Shqiptare”, Thimi Samarxhi. Për këtë arsye gazetarët në fjalë kanë depozituar kallëzimet në polici, e cila bëri të ditur se do të nisë procedimin penal në ngarkim të truprojave.

Ndërkohë, vrasja e Rizik vijon të mbulohet nga misteri, me policinë që dyshon se autori i saj ishte një profesionist jo vetëm nga mënyra se si vendosi eksplozivin tek dera e viktimës, por edhe nga mënyra se si lëvizi pas atentatit, mesnatën e 9 majit, në rrugën “Budi” të kryeqytetit.  (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE