Vihet në pikëpyetje përfundimi i vitit shkollor për rreth 170 nxënës të fshatit Cërni Vërv dhe Ellovë të Komunës së Studeniçanit si dhe për 300 nxënës të fshatit Buzallakovë të Velesit, të cilët akoma janë pa mësim.

Në linjë telefonike, Alinafiz Asani, drejtor i shkollës fillore “Alija Avdoviç” të fshatit Batincë tha se, nëse nuk plotësohet një e treta e fondit të orëve atëherë viti mundë të përsëritet. Sipas drejtorit Asani, mësimi ka filluar vetëm në fshatrat Draçevicë dhe Mallçishtë falë organizmit të vetë arsimtarëve, të cilët me shpenzimet e tyre shkojnë në shkollë, ndërsa premtimet për organizimin e transportit mbeten pa përgjigje.

“Sipas ligjit, nëse një e treta e fondit nuk plotësohet atëherë mundë të vij në pikëpyetje edhe rregullariteti I vitit shkollor. Për fshatrat Cërni Vërv dhe Ellovë ende nuk ka filluar mësimi. Sot bisedova direkt me Safet Nezirin, ai më tha se ju zotëri drejtor keni kryetar komune dhe duhet të kontaktoni me kryetarin e komunës, d.m.th. prej asaj që u premtua nuk ka asgjë hiç. Për fat të keq dhe çka është më tragjike nuk ka filluar mësimi në shkollën fillore Ellovë dhe Cërni Vërv. Topi hudhet prej një institucioni në institucion tjetër”, tha Asani.

Miftar Limani nga këshilli iniciues për bojkotin e mësimit në Buzallakovë thotë se prindërit edhe përkundër apelit të zv/ministrit Neziri, nuk do ta ndërpresin bojkotin.

Ai thotë se do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, zëvendësimin e arsimtarëve maqedonas me arsimtarë shqiptarë.

“Ne nuk e kemi ndërmend me ndërpre bojkotin derisa te realizohen kërkesat e prindërve, edhe përgjegjësia nuk është e prindërve por përgjegjësia do t’i bie institucioneve, drejtoreshës, kryetarit të komunës, dhe Ministria e Arsimit do të mbaj përgjegjësi për ato 300 nxënës që nuk e vazhdojnë mësimin tash tre javë. Ne nuk kërkojmë jashtë ligjit asgjë hiç, ne kërkojmë atë që e kemi të garantuar me ligj, ne kërkojmë arsimtari ta dijë gjuhën e nxënësve që u jep mësim”, tha Limani.

Ndërsa zv/ministri i Arsimit Safet Neziri, sot në një bisedën telefonike përsëriti edhe një herë apelin se nxënësit e Buzallakovës duhet të kthehen në mësim derisa të shpallet konkursi për pranimin e arsimtarëve të rinj. Konkursi, sipas Nezirit do të shpallet në fillim të muajit dhjetor.

SHPËRNDAJE