Rivaliteti i dy skuadrave nga Mancesteri, United dhe City vazhdon të jetë i ashpër. Derisa një javë më parë djajtë e kuq përfituan nga gabimi i Cityt, tani këta të fundit ia kthejnë në të njëjtën mënyrë “kushërinjve”, duke i qëndruar pesë pikë afër.

Kampioni dhe lideri i futbollit anglez, Manchester United është befasuar në javën e 33-të, të Premier Leagues, nga Wigan Athletic. Këta të fundit festuan pasi shënuan fitore para adhuruesve të tyre me golin e vetëm që e realizoi Maloney në minutën e 50-të të takimit. Më pas djelmoshat e Ser Alex Ferguson përkundër insistimit nuk ia dolën për 45 minuta me ato shtesë të barazojnë rezultatin por pa ia dalë mbanë. Në këtë mënyrë djajtë e kuq u mposhtën për herë të parë pas 14 ndeshjeve të zhvilluara nga Wigani. Humbjen e United e shfrytëzoi më së miri përcjellësi më i afërt, Manchester City, që e deklasoi West Bromwich Abion, me katër gola dallim, 4:0. Serinë e golave për pasanikët e sheikëve arab e filloi argjentinasi, Aguero në minutën e 6-të, me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërkaq i njëjti futbollist shtoi epërsinë në minutën e 54-të. Bashkëkombësi i tij problematik, Tevez doli në skenë kur shënoi golin e tretë për Cityn (61’), ndërkaq vetëm tre minuta më vonë Sila vulosi fatin e këtij takimi, 4:0. Fitore të rëndësishme shënoi edhe Arsenali, i cili po mëton të ruajë pozitën e tretë, që dërgon drejtpërdrejt në Ligën e Kampionëve. Londinezët mposhtën Wolverhampton në shtëpinë e këtij të fundit me rezultat si ai zyrtar, 3:0. Van Persie shënoi golin e parë të Arsenalit në minutën e 9-të nga pika e bardhë, ndërkaq Walcott vetëm dy minuta më vonë dyfishoi rezultatin, derisa Benayoun, i cili nuk ka gjetur edhe aq shumë hapësirë te skuadra shënoi golin e tretë për Arsenalin. Këta të fundit tani kanë tubuar 64 pikë në pozitën e tretë, pesë më shumë se Totenhami që mbanë pozitën e pestë. Ndërkaq Wolverhampton shkon sigurt drejt kategorisë së dytë pasi përmbyllë tabelën me vetëm 22 pikë të tubuara./bs

SHPËRNDAJE