Pas botimit të librave “Një lindje e vështirë” (1970), “Një grua nga Tirana” (1990), “Bashkëshortët” (2002) dhe përkthimit në shqip të prozës së Isaak Singer, Helena Kadare rivjen para lexuesit shqiptar me tekstin me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, që një vit më parë është botuar në frëngjisht nga “Fayard” me titullin “Le temps qui manque”.

Megjithëse një vepër voluminoze dhe me shkas nga një poezi e bashkëshortit të saj, duke qenë jo thjesht first lady e një prej personaliteteve më të rëndësishëm të kohëve tona, por edhe një zonjë e parë e letrave, autorja hedh dritë në mënyrë të plotë për jetën e një çifti jo si të tjerët nën diktaturë, që qoftë edhe për këtë fakt do t’iu shërbejë studiuesve të shumtë vendas dhe të huaj në kuptimin e rrethanave të krijimit të një gjeniu të papërsëritshëm.

Por më shumë se detajet njerëzore, që nga njohja e parë me një telegram nga Moska, te lindja e vajzës së parë e të dytë, te sjelljet brenda krushqive dhe miqësive dhe armiqësive jo të pakta e deri te ditët e sotme midis Tiranës e Parisit, “Kohë e pamjaftueshme” do të ketë në fund të fundit fatin e vetë veprave të fituesit të çmimeve më të rëndësishme ndërkombëtare të letërsisë (mes të tjerave “Princi i Asturias”, “Man Booker International”, çmimi “Servantes”) pasi do të jetë një udhërrëfyes në çkodimin aq sa është e mundur të një korpusi universal.

Libri, përveç disa faqeve hyrëse, përmban nëntë kapituj: letra nga vise të ftohta, jeta në çift, ngrirje dhe shkrirje, i mundur, shkëputja, nibellë-shkaba e thyer, midis Tiranës dhe Parisit, një tjetër stil jete dhe një sfinks në dimër, të cilat sa qëndrojnë veç e veç, aq edhe krijojnë një ansambël jo thjesht biografik, por që rreken të shpjegojnë fuqinë e papërsëritshme të një shkrimtari të pazakontë që qysh në gjallje ka kapur nivele të larta në sërën e tij.

Kadare është aktualisht shkrimtari më i rëndësishëm i dy shekujve, kohë kjo që ka filluar të jepet edhe çmimi “Nobel” dhe që pikërisht me këtë çmim ai është edhe krijuesi më i kandidatuar se kushdo tjetër; autori shqiptar falë një korpusi gjigant letrar është i përkthyer në gjuhët më të rëndësishme të botës, ndërsa disa prej veprave të tij janë tekste të detyrueshme në mjaft vende europiane dhe më gjerë. “Nobeli” letrar, si një nga pesë çmimet e testamentit të shkencëtarit suedez, nuk mund të mos thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm për letërsinë dhe përfituesit e tyre, por, siç ka vërejtur kritika e huaj, ndër njëqind e ca laureatë të këtij trofeu (pra nga shkrimtari francez Sully Prudhomme në vitin 1901 e deri te shkrimtari suedez Tomas Transtromer në 2011) ka syresh që janë ku e ku vite larg me prodhimin letrar të shkrimtarit tonë. Ndërkaq duhet thënë se letërsi cilësore dhe e nivelit të papërsëritshëm botëror është bërë edhe pa qenë ky çmim prestigjioz, apo çmime të tjera më të vogël në vlerë, por të madh në prestigj dhe mjafton të sjellim si shembuj Danten, Shekspirin apo Servantesin.

I krahasuar me nobelistët e rajonit: Karduci (1906), Deledda (1926), Pirandelo (1934), Montale (1975) dhe Dario Fo (1997) në Itali, Andriçi (1961) në ish–Jugosllavi, Seferis (1963) dhe Elitis (1979) në Greqi, Canetti (1981) në Bullgari dhe Pamuk në Turqi, Kadare cilësohet si një krijues që s’ngjan me të mësipërmit; akoma më tej shkrimtari më i njohur në Francë që posedon jo pak, por katërmbëdhjetë nobelistë është gjithashtu një zbulim që koha do të flasë vazhdimisht për të.

Bashkëshortja e Ismailit, Helena, me këtë libër duket se ka marrë një përgjegjësi të madhe, teksa ka mundur të përmbledhë në mbi shtatëqind faqe, një vepër voluminoze që flet sot mbi dyzet gjuhë të huaja dhe që pa e marrë ende trofeun e lavdishëm, thirret në tryezat e mëdha të kulturës vetëm si nobelist. (SHQIP)

SHPËRNDAJE