Rossi: Shpresoj të bjerë shi gjithmonë

Valentino Rossi zuri vendin e dytë në provat e lira të Cmimit të Madh të Spanjës në Moto GP duke i habitur të gjithë. Piloti italian i Ducati u tregua më i ngadaltë vetëm nga Dani Pedrosa i Hondës dhe “faji” për këtë rezultat të mirë ishte i shiut që pushtoi pistën e Jerez.

“Shpresoj që të bjerë shi deri në garën e Valencias”, theksoi Rossi duke iu referuar provës së fundit sezonale në Moto GP që do të zhvillohet në cirkuitin e Cheste në muajin nëntor.

Nëntë herë kampioni i botës nuk e kupton këtë transformim: “Nuk e kuptojmë se pse jemi më mirë në shi se sa në pistë të thatë. Në shi motori hyn më mirë në kthesë dhe frenoj më mirë. Është e çuditshme sepse të gjithë ne pilotët preferojmë pistë të thatë.”

“Nëse të dielën do të ketë sërish shi strategjitë do të bëhen të vështira”, shtoi Rossi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni