Ylli portugez, Kristiano Ronaldo ka pranuar se e ka mbështetur vendimin e përzgjedhësit, Paulo Bento që të godasë i fundit në serinë e penalltive në gjysmëfinale të Evropianit kundër Spanjës.
Kampionët në fuqi të Evropës iu gëzuan fitores me shifrat 4:2 në penallti, kurse Ronaldo mbeti pa gjuajtur në penallti, ngase dy bashkëlojtarët e tij, Zhao Mutinjo dhe Bruno Alvesh nuk ishin të saktë, derisa te spanjollët dështoi vetëm Alonso. “Duhej ta gjuaja penalltinë e pestë për skuadrën time, por më herët bashkëlojtarët e mi dështuan në dy tentime dhe kësisoj nuk mu dha rasti ta godasë topin nga 11-metërshi. Kjo ishte një çështje e marrëveshjes me përzgjedhësin. Më pyeti a dua ta godasë penalltinë e pestë dhe iu përgjigja se dëshiroj. Nganjëherë godas i pari, i dyti apo i treti. Kësaj radhe vendosëm të gjuaj i pesti”, ka theksuar Ronaldo, i cili kësisoj nuk pati mundësi për të mposhtur portierin e skuadrës së tij, Real Madrid, Iker Kasilas. “Për mua ishte krejtësisht normale të luaja kundër bashkëlojtarëve të mi nga Reali. Në fushën e lojës nuk jemi miq, por jashtë saj po. Shpresoj që Spanja do ta fitoj titullin e kampionit edhe pse do të ketë punë shumë të vështirë në finale”, ka nënvizuar Ronaldo, i cili më pas ka komentuar për paraqitjen e tërësishme të Portugalisë në këtë Evropian. “Jam i pikëlluar. Gjithmonë është e dhimbshme kur humb me penallti, por kjo është një lotari, ku fiton skuadra që ka më shumë fat. Mendoj se në përgjithësi kemi bërë paraqitje të mira. Jemi në mesin e katër skuadrave më të mira në Evropë, kurse arsyeja e vetme që nuk jemi në finale qëndron në faktin se nuk kishim fat. Sidoqoftë, duhet të jemi krenar me atë që kemi arritur”.

SHPËRNDAJE