Pasi që skuadra e tij arriti ta tejkalojë të ashtuquajturin “Grupi i vdekjes”, Kristiano Ronaldo mendon se tashmë të gjitha mundësitë për Portugalinë janë të hapura.
Të përzgjedhurit e Paulo Bentos arritën të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale të Evropianit, që po mbahet në Poloni e Ukrainë, duke mbijetuar në grupin më të vështirë të këtij turneu. Portugezët kalimin në mesin e tetë skuadrave më të mira e arritën falë fitores kundër Holandës, të dielën në mbrëmje, me rezultat 2:1. Mirëpo, festa e kualifikimit tashmë ka përfunduar dhe Kristiano Ronaldo me shokë po përgatiten për sfidën e radhës kundër Çekisë në çerekfinale. “Synimi ynë primar ishte ta kalojmë fazën e grupeve dhe këtë e arritëm. Tash gjithçka është e mundshme”, ka thënë Ronaldo, i cili shënoi të dy golat në fitoren kundër ‘Tulipanëve’, duke i heshtur kritikët, të cilët i kishin vënë presion të madh pas dy ndeshjeve të para, në të cilat nuk arriti të shkëlqejë. “Na pret një ndeshje e vështirë me Çekinë, skuadër të cilën e respektojmë maksimalisht. Në ecurinë e mëtutjeshme gjithçka është e hapur. Gjasat tona për të kaluar në gjysmëfinale janë 50 përqind”, ka shtuar Ronaldo.

SHPËRNDAJE