Përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovision, Rona Nishliu, është kualifikuar në finalen e këtij evenimenti që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.

Rona, e cila ishte e pesta në renditje, gjatë performancës së saj në natën e parë gjysmëfinale, mbizotëroi skenën dhe transmetoi ndjenja te publiku me një interpretim mjaft emocional, ndërsa mori ovacione për vokalin e jashtëzakonshëm. Ajo e meritoi kualifikimin, ishte e mrekullueshme, ndërsa zëri i saj bëri që salla të shpërthente me ovacione.

Sa i përket prezantimit skenik – ajo kishte veshur një fustan me një jakë të lartë, dhe një pelerinë të kaltër mbi pantallona të zeza. Skena ishte e errët, ku ngjyra dominuese ishte e kuqja.

Kënga “Suus” është një vepër e Florent Boshnjakut, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë këngëtarja nga Kosova. Triumfi në Festivalin e Këngës në RTSH i ka mundësuar Ronës rrugëtimin drejt Bakusë, ku në garën e madhe të këngës evropiane përfaqëson Shqipërinë.

SHPËRNDAJE