Gjyldanja dhe Gylenaj, vajza të tezës, ishin rrahur mes vete, pas thashethemeve për marrëdhënie intime jashtëmartesore… Në zënkë e sipër, Gylenaj merr tenxheren me ujë të valë dhe ia derdh në trup Gjyldanes. Superekspertiza ka treguar se djegiet janë të karakterit të rëndë dhe shëmtimet do të jenë të përhershme. Për këtë arsye, lënda gjyqësore nga Gjykata Komunale do t’i dërgohet asaj të Qarkut.

Në Gjykaten Komunale në Prizren, të premten u mbajt seanca gjyqësore kundër të akuzuarave Gjyldane Qylangji 44-vjeç dhe Gylenaj Misini 29-vjeç, të dyja pjesëtare të  komunitetit rom, nofton “Jeta në Kosovë”. Gjyldanja, pasi kishte ndëgjuar fjalë nga tani e akuzuara Gylenaj, që kishte thënë për të se “po shkonte me shqiptarë” [për të bërë marrëdhënie seksuale], ishte mllefosur dhe kishte shkuar drejt e në shtëpinë e saj, pasi ato janë vajza të tezës.

Pikërisht në shtëpinë e Gylenajt filloi zënka. Ajo rrihet nga 44-vjeçarja, duke përfunduar me mavijosje të syrit të majtë, gërvishtje të qafës dhe nxjerrje flokësh.

Pasi merr këto lëndime, Gylenaj merr tenxheren në të cilën po ziheshin kofshë pule dhe ia derdhë në trup Gjyldanes, me ç’rast i shkakton djegie në të dy këmbët.

Prokuroria Komunale në Prizren i akuzoi dy të pandehurat për vepra penale të lëndimit të lehtë trupor, dënim i cili sipas Kodit Penal të Kosovës dënohet nga tre muaj deri në tre vjet burg.

Ky kualifikim i veprës penale ishte bërë në bazë të ekspertizës së dhënë nga eksperti mjeko-ligjor, dr.Mujdat Kovaç,  i cili këto lëndime i konsideroi si lëndime të lehta trupore.

Më pas u kërkua edhe një ekspertizë, të cilën e dha eksperti mjeko-ligjor Dr.Cenë Morina, në të cilën thuhet se lëndimet janë “lëndime të rënda trupore”.

Duke qenë në këtë situatë kundërthënëse, Gjykata Komunale përmes një urdhërese kërkoi që të bëhet superekspertiza, në mënyrë që të konstatohet natyra dhe karakteri i lëndimeve të cilat i ka pësuar e dëmtuara Gjyldane.

Superekspertiza rezultoi se e dëmtuara Gjyldane, kishte marrë lëndime të rënda trupore, kjo nga fakti se djegiet janë të karakterit të rëndë dhe janë të shoqëruara me shëmtime të përhershme.

Duke marrë parasysh këtë gjendje, gjykatësi Çoçaj e ndërpreu shqyrtimin kryesor dhe nuk lejoi që të merren në pyetje të akuzuarat.

Seanca tjetër nuk do të caktohet, derisa për këtë çështje të vendosë prokurori i prokurorisë së shkallës më të lartë, që në këtë rast është Prokuroria e Qarkut në Prizren.

Sepse me rikualifikimin e veprës, do të mund të ndryshojë edhe kompetenca lëndore nga Gjykata Komunale në atë të Qarkut, për shkak se me  lëndim të rëndë është paraparë dënim mbi pesë vjet burg.

Vajzat e tezes, tashmë nuk flasin me njëra-tjetrën dhe raportet mes tyre vazhdojnë të jenë të acaruara.

SHPËRNDAJE