Roberto Karlos beson në ecuri të suksesshme të Realit

Futbollisti i njohur brazilian, Roberto Karlos mendon se ish-skuadra e tij, Real Madrid ka forcë dhe cilësi për të shkuar deri në finale të garës elite të futbollit evropian. “Klubi mbretëror” në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve do të ballafaqohet me skuadrën ruse, CSKA nga Moska, kurse mbrojtësi aktual i Anzhit nuk dyshon aspak në kualifikimin e klubit madrilen në çerekfinale.
“Reali po luan shumë mirë në këtë edicion. Ka krijuar një epërsi të madhe në kampionatin spanjoll, por ka edhe një mundësi të mirë për të shkuar shumë larg në Ligën e Kampionëve. Besoj se madrilenët do të arrijnë ta kalojnë me sukses sfidën kundër CSKA dhe do të shkojnë deri në fund të kësaj gare”, ka theksuar Roberto Karlos. Ndërkaq, në pyetjen nëse Reali do ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve, braziliani është shprehur: “Le të presim deri në fund dhe do të shohim cili do të jetë bilanci i Realit”. Roberto Karlos (38-vjeç) gjatë karrierës së tij ka veshur 350 herë fanellën e Realit, për të cilin klub ka luajtur prej vitit 1996 deri në vitin 2007.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni