Shkruan : Xhemaledin SALIHU

 

Presheva në kohën antike, i takonte Dardanisë. Në kohëra të ndryshme, kjo qytezë u sundua nga romakët, bizantët, sllavët, turqit e jugosllavët, mirëpo asnjëherë nuk u dorëzua dhe me dinjitet e xhelozi të madhe ruajti dhe mbrojti traditën e kulturës popullore. 


Gjatë shekujve, popullata shqiptare e Preshevës me rrethinë, me mund të madh ruajti e kultivoi traditën e saj të kulturës popullore, e sidomos ritet e dasmës shqiptare dhe vallet e burrave, të cilat luheshin në dasmat shqiptare të Preshevës me rrethinë.

 

 

Hyrje

Këto rite të dasmës shqiptare u ruajtën gjeneratë pas gjenerate dhe u kultivuan brez pas brezi, kështu që shpesh edhe sot janë të pranishme në dasmën shqiptare.

Nga ritet e dasmës shqiptare më së shumti u ruajtën dhe u kultivuan vallet e burrave. Kështu, edhe sot luhen po të njëjtat valle të burrave, të kultivuara edhe dikur. Pra, vallja preshevare e burrave nuk ndryshoi aspak gjatë shekujve të kaluar, dhe ajo sot përmban po ato elemente koreografike, stilistike, si dhe po ato karakteristika dhe po atë simbolikë të valleve të vjetra të burrave.

Presheva, nëpërmjet valleve të burrave protestoi, kundërshtoi, por edhe luftoi pozitën e saj të prapambetur shekullore, si edhe diti që nëpërmjet valles dhe këngës popullore të gëzohet në dasma, gazmende e festa familjare e kombëtare. Madje, mund të thuhet që preshevarët ishin të njohur për trimëri, bujari, solidaritet, humanitet, por edhe për kultivimin e dasmës tradicionale, e sidomos për vallet dhe këngët e mirëfillta popullore shqiptare.

Popullata në Preshevë e rrethinë me xhelozi ruajti dhe mbrojti ritet dhe traditën e dasmës shqiptare, vallen dhe këngën popullore dhe nuk lejoi  përzierje me melosin  e popujve fqinjë. Kështu hapin e rëndë të valleve të burrave nuk e gjejmë në vallet popullore të fqinjëve tanë. Vallet e burrave kanë veçoritë, karakteristikat dhe simbolikat e saja, si asnjë valle tjetër e burrave në rajon.

1. Ritet e Dasmës  preshevare, dikur

 

Ritet e Dasmës preshevare janë një traditë e kahershme e kultivuar me shekuj dhe ndër mote të shumta. Ato, po ashtu u bartën brez pas brezi duke futur elemente të reja apo edhe duke hequr elemente të riteve në dasmën popullore, por gjithmonë duke e ruajtur origjinalitetin dhe traditën shqiptare, dhe kjo traditë mbeti në mendjen e çdo shqiptari në Preshevë me rrethinë. Bile, këto mbeten trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar në këto treva.

 

1.1. Fejesa e djalit

 

Dasmës preshevare i paraprinin fejesat e djemve dhe të vajzave të kësaj ane. Ato ndodhnin me pëlqimin e djalit dhe të vajzës, si dhe me pajtimin e familjeve të djalit dhe të vajzës. Gjithmonë fejesat kishin parasysh që të ndodhin në mes familjeve të pasura, të njohura, të afërta, por ajo që dominonte në fejesa ishte ndershmëria e të dy familjeve, si të djalit, ashtu edhe të vajzës, që të jenë familje të oxhakut, familje të ndershme dhe të fisit.

Pas arritjes së pajtimit, marrëveshjes së familjeve që nuk ndodhte gjithmonë, kishte edhe mospajtime, sepse mësitit, shkuesit i duhej të shkonte disa herë te familja e vajzës, derisa ajo bindej. Për të ndodhë pajtimi i të dy familjeve, mësiti, shkuesi e kishte për obligim moral të lavdëronte djalin dhe familjen e tij, por edhe te familja e djalit lavdëronte familjen e vajzës dhe vetë vajzën. Ndonjëherë ndodhte që mësiti edhe t‘i shtonte, t’i lavdëronte familjet pa i merituar ato epitete, vetëm e vetëm për ta kryer punën e mësitnisë dhe për të bërë punën e mësitnisë apo pajtimin e familjeve për t’u miqësuar. Shpesh ndodhte që mësitit nga familja e djalit i premtonte edhe çmime të majme parash e peshqesh, vetëm e vetëm për ta mësitnuar fejesën e djalit me vajzën. Ndodhte që mësiti të dilte edhe qesharak nga lëvdatat e familjes së djalit dhe vet djalit apo anasjelltas, familjen e vajzës apo vajzën.

 

1.2. Fejesa e vajzës

 

Posa arrihej pëlqimi dhe pajtimi i familjeve, mësiti, i vetëm apo me ndonjë person të afërm të familjes së djalit,  shkonin te familja e vajzës për ta marrë “dorën” e vajzës, ose siç thuhet në këto anë, dorë nuse (dorë e nuses do të thotë fjala e dhënë, ose pëlqimi për fejesë) pëlqimin e familjes së vajzës. Në shumë raste, para pëlqimit të familjes së vajzës, mësiti mbetej pa “bohçen” e vajzës.

Me rastin e shkuarjes së mësitit, familja e vajzës, po që se ishte e kënaqur dhe ishte e pasur, (edhe familjet varfra me kaçikun e tyre familjar) përgatitnin një drekë për mësitin me bashkëpunëtorë. Në këtë ceremoni të dhënies së “dorës” së vajzës prindi i vajzës, kryefamiljari mblidhte të afërmit e familjes dhe dajallarët  e vajzës, sepse kërkohej që edhe ata të pajtoheshin për fejesën e vajzës.

Akti i dhënies së dorës, bohçes së vajzës të përgatitur me peshqesh “teslimit”, dorëzimit  kryhej nga më i moshuari, më i nderuari i familjes. Mësiti me atë rast tri herë thoshte që ka ardhur ta kërkojë vajzën e filanit për djalin e filanit. Ndërsa i moshuari i familjes përsëriste po ashtu tri herë që pajtohet për dhënien e dorës së vajzës. Pasi i thoshin këto fjali nga tri herë, bëhej përqafimi i të moshuarit me mësitin, e pastaj uronin me radhë.

Kryesisht pas kësaj ceremonie shtrohej dreka me kryelanë, (një lloj gatimi nga brumi në familjet më pak të pasura), ndërsa tek ato të pasurat shtrohej drekë e bollshme.

 

1.3. Pritja e dorës së nuses në shtëpinë e djalit (fejesa e djalit)

 

Në shtëpinë e djalit bëheshin përgatitjet për ardhjen e mësitit dhe dorëzimit të bohçes me peshqesh nga familja e vajzës. Në ndërkohë grupi i vajzave këndonte këngë thumbuese për mësitin.

Me arritjen e mësitit në shtëpinë e djalit dhe marrjes së bohçes nga mësiti, zbrazeshin koburet nga familja e djalit. Për mysafirët e ftuar e familjarët, si dhe për mësitin përgatiteshin petulla, ndërsa familjet më të pasura pos petullave shtronin djathë e ushqime të tjera, diku-diku edhe drekë.

 

1.4. Përgatitjet për dasmë

 

Pas kryerjes së aktit të fejesës, hapet konaku në familjen e djalit 2-3 ditë, gjatë të cilëve vinin për urime të afërmit dhe miqtë e familjes së djalit.

Pas disa ditësh, familja e djalit shkonte për urime te familja e vajzës dhe anasjelltas.

Me marrëveshjen e familjes së djalit dhe të vajzës për ditën e vadës së dasmës, nisnin përgatitjet për dasmë në të dy familjet, por familja e djalit duhej të përgatitej më tepër, sepse në dasmë duhej ftuar mysafirë të shumtë nga miqësia, farefisi, fqinjët, shokët e djalit,  shokët e të zotit të dasmës, bijat e familjes së gjerë, e kështu me radhë.

Përpara, gjatë përgatitjeve, shitej ndonjë arë, vresht, a kafshë për të ardhur deri të mjetet që duhej shpenzuar për dasmë të zotit të familjes së djalit.

I zoti i dasmës dërgonte në mulli grurin e mbledhur enkas për dasmë dhe pas bluarjes, një pjesë të miellit e ndante për kulaçin e nuses.

Bile, gjatë sezonit të vjeshtës, e sidomos të dimrit, druvarët shkonin për dru, për t’i ngrohur dhomat e dasmorëve.

 

1.5. Vadja, dërgimi i rrobave për nusen dhe niqahu

 

Pasi bëhen përgatitjet për dasmë, familja e djalit dhe e vajzës merren vesh për”vadën” ditën e fillimit të dasmës. Caktohet dita e dorëzimit të rrobave apo siç i thonë preshevarët: teshave (fustanet, dimitë, jeleku, etj) që familja e djalit i përgatit për nusen për t’i dërguar në familjen e vajzës. Rregullisht teshat e nuses dërgohen në mbrëmje, sigurisht ikja nga mësyshi i teshave. Teshat i dërgojnë grupi i burrave të moshuar, ndërsa edhe nga ana e familjes së vajzës në pritje ftohen të afërmit dhe dajallarët e vajzës, si dhe hoxha i katundit apo i mëhallës.

Gjatë niqahut fetar, musliman arrihet marrëveshja martesore e të dy palëve. Hoxha komunikon çmimin e vajzës, në rast të ndarjes së vajzës nga djali, për sigurinë e vajzës në rast të mosmarrëveshjeve djalë-vajzë, por edhe të familjeve: vjehërr, vjehrra, e të tjerë. Hoxha komunikon çmimin e sigurisë së vajzës, me të cilin çmim pajtohen të dy familjet. Marrëveshja martesore e arritur nga të dy familjet bëhet nëpërmjet të zgjedhjes nga një përfaqësues dhe të dy dëshmitarëve nga secila familje. Të gjitha këto dhe  ky rit fetar udhëhiqet nga hoxha, i cili shënon dhe mban shënimet e duhura. Në Fjalorin e fjalëve të huaja, të Bratolub Klaiqit, të botuar në Zagreb, më 1985, f. 944, për niqahun thuhet nën 1: fjalë turke, marrëveshje martesore, kurorëzim, martesë dhe nën 2: shumë të hollash, garanci në të holla tek muslimanët kur duhet të paguajë dhëndrri nuses gjatë kurorëzimit /në rast të ndarjes/.

 

1.6. Ndodhja e dasmës në Preshevë

 

Dasmat preshevare ndodhnin nga e hëna deri të enjten apo nga e mërkura deri të dielën. Pra dasma ndodhte dhe shtrihej për disa ditë si në familjen e djalit, ashtu edhe në familjen e vajzës.

Nata e parë e dasmës së djalit niste me detyrat që u ngarkoheshin anëtarëve të familjes. Ndodhte kjo të enjten në mbrëmje, kur ftoheshin familjarët dhe konsultoheshin rreth mbarëvajtjes së dasmës. Atë natë pihej çaj dhe kryesisht bisedohej dhe urdhëroheshin për punët që do të kryenin njerëz të caktuar. Aty caktohej kush do të priste mysafirët, kush do t’i bënte muhabet, kush do të priste drurët, kush do të shërbente, etj.

Nata e dytë e dasmës së djalit ishte nata e kallamoçave, (të premten në mbrëmje) kur në familjen e djalit ziheshin kallamoça/misër/ në kazanë të mëdhenj dhe në këtë natë shkonin kryesisht familjarët, të afërmit e familjes, por edhe shokët e djalit.

Në Natën e tretë të dasmës ftoheshin mysafirë të familjes për darkë, por në këtë natë shkonin edhe mëhalla, shokët e djalit dhe persona të tjerë që kishin qejfin për të bërë gazmend. Këtë natë ziheshin orkestrat  muzikore dhe daullet, me të cilat këndohej dhe luhej në dasmë. Po e përdorim luhej, sepse në Preshevë dhe rrethinë përdoret luhet, ndërsa e ka kuptimin e vallëzimit dhe kërcimit të vallëtarëve.

Në këtë natë mysafirët ndaheshin kryesisht në dy dhoma; në njërën dhomë vendoseshin më të moshuarit, ndërsa në dhomën tjetër të rinjtë. Në dhomën e të moshuarve shtrohej dhe pihej çaj, ndërsa në atë të të rinjve shtrohej meze dhe raki.

Në dasmë kryesisht ishin prezent orkestrina popullore, e cila këndonte por edhe përcillte vallet e burrave. Ndonjë familje më e pasur merrte edhe grupin e daulleve dhe të zurleve, për të luajtur valle në dasmë.

Me orkestrinën popullore, e cila kryesisht përbëhej prej klarinetës, harmonikës, darabukë, defit, ndonjëherë edhe nga ndonjë instrument tjetër, të cilat quheshin çallgia. Në Preshevë, daullet dhe zurlet kishin  për detyrë të presin dhe përcjellin mysafirët e dasmës këtë natë, por edhe përcillnin krushqit e dasmës, që shkonin për të marrë nusen.

Orkestrina popullore apo daullet dhe zurla fillonin nga njëra dhomë, së pari orkestrina popullore bënte xhumbush /gazmend/, ku këndoheshin këngë dasme dhe të tjera. Pra këndoheshin këngë shqip, por edhe turqisht, bile ndonjëherë edhe serbisht. Kjo tregon tolerancën e popullit shqiptar që nuk e bënë asnjë popull tjetër që në dasmat e tyre të këndohet edhe kënga shqipe. Pasi mysafirët ngopeshin me këngë fillonte vallja e burrave. Luhej dhe vallëzohej me orkestrinë popullore me darabuk apo def të mirë ose ftoheshin daullet dhe zurla dhe fillonte vallja e burrave. Në dhomë ngriheshin 4-5 valltarë të mirë, të cilët i luanin vallet e burrave me radhë. Vallja e burrave fillonte me vallen e Marhamës, e herë-herë me Vallen e Redifes, një valle e lehtë lirike që luhet edhe në treva të tjera shqiptare, ose me “Pembe, Pembe” Pastaj vazhdonte me Vallen e Miratocës, me Vallen e Deli Agushit, me Vallen “Ani Jom e ligë, ani jom tue dekë”, me Vallen “Dimke, Dimke Popova”, me Vallen e Presheves, ndërsa më vonë vazhdohej edhe me valle të popujve fqinjë. Kjo tregonte se valltari shqiptar, por i gjithë populli shqiptar nuk vuante nga kompleksi, por ishte shumë tolerant në këtë drejtim dhe themi se bashkëjetesa edhe në folklor ka qenë e gjallë. Pos kësaj, valltari shqiptar  shprehte dashurinë jo vetëm ndaj valles së vet tradicionale shqiptare, por edhe dashurinë ndaj valles së popujve fqinjë.

Nata e dytë (të shtunën në mbrëmje, pas darkës, kryesisht pasi përcilleshin mysafirët) veçohej edhe për diçka tjetër. Ishte nata e pulave, natë kur të rinjtë e të rejat piqnin pula. Të rinjtë e mëhallës së djalit dhe shokët e tij shkonin shtëpi më shtëpi nëpër mëhallë dhe vidhnin pula për në dasmën e djalit. Askush nga familjarët e djalit, por edhe fqinjët nuk hidhëroheshin, edhe pse të rinjtë u vidhnin mbase edhe pulat më të mira. Gjatë zierjes së pulave, zakonisht të rinjtë e të rejat e familjes së ngushtë këndonin dhe vallëzonin, e më pas pasi ziheshin ato, uleshin dhe i hanin. Pasi kryenin edhe këtë rit, shpërndaheshin nëpër shtëpi.

1.7. Dita e marrjes së nuses-shkuarja e krushqëve

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare bëhen me daulle e zurle, ndërsa te gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve.

Gazmendet organizoheshin në vende të caktuara, kështu në Preshevë, ato organizoheshin te vendi i quajtur Allajtë. Në pritje të vrapuesve dhe kuajve vrapues, luhet edhe vallja shqiptare e burrave. Më e njohura, Vallja e Marhamës, me një ritëm, së pari të ngadalshëm, deri sa priteshin vrapuesit, me afrimin e tyre për në cak përshpejtohej edhe ritmi i valles. Gjatë kësaj kohe krushqit nuk këndojnë.

Në këtë pjesë të dasmës ndodhë vetëm vallja e burrave, vrapimi i vrapuesve dhe kuajve për vendin e parë dhe peshqeshet që i ka përgatitur nusja dhe i zoti i dasmës, babai i djalit. Këtu bëhet një gazmend gjithëpopullor, sepse marrin pjesë krushqit, mëhalla, vendbanimi, por në shumë raste edhe më gjerë.

Vrapuesi më i njohur preshevar që nga Shkupi deri në Vranjë ishte Qamil Jusufi-i quajturi “Tampërri” i Preshevës, i cili shumë herë në Preshevë, Llojan e gjetiu zuri vendin e parë në vrapime. Në Llojan, për Vitin e Ri më 1953/54 zuri vendin e parë dhe u shpërblye me një dash.

Ndërsa prej kuajve ishte më i njohuri kali “Dori” i Nijazi Hasanit të Mëhallës së Kishajve të Rahovicës, e që ishte kalë shale dhe vrapues, i njohur për elegancë dhe hijeshi, sa që ia kishin shumë lakmi. Në dasma dhe gazmende popullore ishte gjithmonë i pari, kështu në fshatin Hodonoc të Dardanisë /Kamenicë e sotme/ kishte marrë vendin e parë dhe për shpërblim kishte fituar një pelë. Po ashtu gjatë festës të Vitit të Ri, më 1958, në Vaksincë të Kumanovës kishte marrë vendin e parë dhe për shpërblim kishte fituar një buallicë. Kalërues /binxhi/ kishte qenë Shaban Rasha i Preshevës.

Vlen të theksohet që në Karadakun e Preshevës nusja dorëzohej herë-herë diku në gjysmë rruge, ku krushqit takoheshin dhe me atë rast kryhej akti i teslimit të nuses, dorëzim-pranimi i nuses.

 

1.7.1.Takimi i dy palë krushqëve

 

Në Raincë rrëfehet nga shumë pleq të fshatit për ekzistimin e një legjende/gojëdhëne/, te vendi i quajtur “GURI I GATË. Këtu kemi të bëjmë me një gojëdhënë tragjike shqiptare, për të cilën kallëzohet nga pleqtë si e vërtetë. Ngjarja do të duhej të ketë ndodhur shumë herët. Emrin “Guri i Gatë” e ka marrë, për shkak të formës së shumë gurëve, të cilët për nga lartësia, me të vërtetë arrinin gjatësinë deri në dy metra. Në fshat pleqtë tregojnë se duhet të jenë afër 70 gurë, mirëpo gjatë vizitës time në vendin “Guri i Gatë” me 2  bashkudhëtarë numëruam vetëm 53 gurë të gjatë, në formë të rrasave.

“Gurët e Gatë” kanë ekzistuar para se të themelohej fshati Raincë, këtë e vërtetojnë edhe pleqtë e fshatit.

Vendi i quajtur “Guri i Gatë” gjendet në perëndim të fshatit  dhe aty u ndeshën dy palë dasmorësh, krushqi, dy qerre dasme, të cilat nuk i lëshuan rrugë njëra-tjetrës dhe aty ndodhi një konflikt i përgjakshëm. Këtë ngjarje e këndoi dhe e mallkoi qyqja për të keq, kështu që krushqit u shndërruan në gurë, të cilët ekzistojnë edhe sot. Bile edhe sot ekzistojnë gjurmët, të cilat vërtetojnë ekzistimin e kësaj udhe pikërisht aty.

Prejardhja e krushqive nuk dihet, flitet që ishin të Malësisë së Preshevës apo të Bujanocit. Në këtë përleshje u përfshin të dy palët e krushqve, bile edhe nuset u përleshën.

Pleqtë e fshatit Raincë rrëfejnë se osteni, shtaga /shkopi/, me të cilin graheshin qetë u ngul në tokë, mbiu e u rrit dhe sot ekziston lisi qindvjeçar, në mesin e Gurëve të gjatë dhe i vetëm në Kodrën e pishave, përmbi Raincë, për të cilin thonë se as nuk rritet më, e as nuk plaket. Ndërsa disa pleq të tjerë të fshatit rrëfejnë se flamuri i krushqve, i ngulitur në tokë, mbiu dhe sot atë e simbolizon lisi i përmendur.

Po ashtu rrëfehet se lisin, në krye të dy palë krushqive, e kishin mbjellë familjarët, si shenjë kujtimi. Çdokush që u përpoq ta shkulë apo ta pres atë, dështoi. Përveç kësaj, familjarët varrosën të gjithë pasurinë që posedonin krushqitë me vete, siç e kërkonte tradita e asaj kohe.

Po ashtu, Pleqtë e fshatit tregojnë se daullja u shndërrua në gur të rrumbullakët, këtë e vërtetojnë edhe Haxhi Jakupi i Mëhallës së Ukajve të Raincës dhe Mulla Xhemajl Musliu i Raincës.

Disa pleq të tjerë të fshatit  rrëfejnë se guri i rrumbullakët që gjendet edhe sot në vendin e ngjarjes simbolizon qerren e nuses.

“Pas luftës së fundit në Preshevë, disa arkeologë serbë apo hobistë prej Serbisë qendrore, i nxjerrin gurët nga vendet e tyre për të gjetur thesarin e varrosur. A kanë gjetur nga pasuria legjendare apo jo, nuk dihet, por shihet qartazi, që këta bën katrahurë, i shkulën gurët dhe i lanë jashtë dheut. Gjer më sot nuk e ka ngritur askush zërin për këtë”, thotë Muhamet Iljazi i Raincës.

 

1.8. Nata e fundit (nata e hoxhës), duaja, dhëndri hyn në gjerdek

 

Kjo natë është kryesisht të dielën në mbrëmje. Atë natë ftohen vetëm më të moshuarit të familjes  dhe të miqësisë së mëhershme dhe fjalën kryesore e ka hoxha. Pasi hahet darka, ftohet dhëndri në dhomë. Shërbehet nga një gotë sherbet, hoxha i bën dhëndrit duanë e kurorëzimit dhe dhëndri /djali përcillet në dhomën e fjetjes (në gjerdek) tek nusja. Para se të hyjë në dhomën ku e pret nusja e shoqëruar nga motrat e djalit apo edhe dy gratë të afërme të familjes, dhëndri duhet të thyej një filxhan në pragun e derës. Moshatarët e godasin në shpinë dhe ai turr e vrap duke i ikur goditjeve të tyre futet në dhomë. Pasi njihet me nusen, motrat a gratë që gjenden brenda dalin duke i lënë të vetëm të dy të rinjtë. Të tubuarit që përcjellin dhëndrin në gjerdek, vazhdojnë këngën e vallen në korridor edhe për nja një orë, e më pas shpërndahen. Nëna e djalit qëndron te dera e dhomës dhe dëgjon çfarë bëhet brenda. Pasi të mos dëgjojë më zëra, shkon në dhomën e vet të fjetjes.

 

1.9 Kulaçi i Nuses-rit i dasmës preshevare

 

Pas kalimit të natës së dhëndërisë, djali del nga dhoma dhe pasi të jetë dëshmuar morali dhe virgjëria e nuses, atëherë ftohen familjarët e dhëndrit, xhaxhallarët, dajallarët dhe dashamirët e miqtë e familjes për të ngrënë “Kulaçin e nuses” dhe petullat.

Gratë e shtëpisë, posa marrin vesh virgjërinë e nuses, herët në mëngjes fillojnë përgatitjet për pjekjen e petullave dhe drekës, e cila shtrohet para dite.

Të gjithë të ftuarit në dhomë i pret nusja e palosur, e cila pastaj një nga një do t’ia merr dorën të pranishmëve në dhomë.

Pas ngrënies së “Kulaçit të nuses” dhe të petullave, të gjithë të pranishmit do t’i dhurojnë nuses bakshishe të ndryshme, para, stoli ari, unaza, byzylykë. Vlera e peshqesheve varet nga afërsia e të pranishmëve me të zotin e shtëpisë dhe djalin. Pastaj, të pranishmit pasi të kryhet ky rit do të dalin nga dhoma për t’u liruar vendin grave për përgatitjet e mëtutjeshme.

 

1.10. Vizita e parë e dhëndrit në shtëpinë e nuses

 

Tri katër ditë pas përfundimit të dasmës, zakonisht të mërkurën, djali që është martuar (dhëndri) viziton për të parën herë miqtë. Ai mbledh 7 deri në 9 të rinj të farefisit të vet dhe shkon në shtëpinë e familjes së nuses. Për dhëndrin përgatitet drekë dhe ajo drekë emërtohet dreka e dhëndrit. Pasi të hanë drekën në dhomën e veçantë ku janë vetëm burrat, dhëndri me një vëlla të vetin dalin në dhomën e grave, do të thotë në dhomën ku qëndron vjehrra (gjyshja) me gratë e të afërmve. Njihet me të dhe me të tjerat gra që janë aty, pinë çaj, apo shërbehet me diçka tjetër dhe pas nja gjysmë ore qëndrimi kthehet ne dhomën e burrave. Rrinë edhe pak dhe me kaq përfundon edhe ky rit. Në të dalë të dhëndrit, dikush nga të afërmit e tij i rrotullon këpucët e dhëndrit, sepse shpesh ndodhte që t’i fusin ndonjë vezë në këpucë (në shenjë hajgare me të), pasi të vërtetohet që këpucët nuk kanë gjë, ai i mbath dhe nisen për në shtëpi.

 

1.11. Shkuarja babagjysh-vizita e babait të nuses në shtëpinë e dhëndrit

 

Një javë pas përfundimit të dasmës, zakonisht të shtunën në mbrëmje ose të dielën, babai i nuses i shoqëruar nga njerëz të familjes së vet, dajat e nuses, dhëndurët, etj, shkon për t’i kthyer vizitën dhëndrit. Zakonisht për babagjyshin përgatitet darkë. Po ashtu edhe babagjyshi i merr me vete 9-11 veta, duhet të jenë me numër më të madhe se që dhëndri i ka dërguar në shtëpinë e familjes së nuses. Pasi hanë darkë dhe rrinë nja dy tri orë, kthehen në shtëpi. Në të dalë, në oborr të shtëpisë së dhëndrit del vajza (nusja) me të vjehrrën dhe përshëndetet me babanë dhe të tjerët që e shoqërojnë atë. Duke u përshëndetur, të gjithë mysafirët i dhurojnë të holla vajzës (nuses).

Me kaq përfundon riti i dasmës, si te djali po ashtu edhe te vajza.

 

 

 

2. Vallet e burrave-pjesë e veçantë e riteve në dasmën preshevare

 

Vallet shqiptare të burrave janë valle që në motivet e tyre kanë mesazhe të ndryshme. Zakonisht këto valle përmbajnë temat e nderit, besnikërisë dhe të guximit, duke mos përjashtuar edhe ato valle që i përkushtohen dashurisë dhe gëzimeve familjare, siç janë dasmat. Këto valle përmbajnë emocione të shumta, të cilat arrijnë të interpretohen nga lëvizjet e valltarëve.

Vallen në Preshevë me rrethinë e quajnë “horë’ dhe shpesh përdoret, e çon mirë horën, e kanë me lot horën / kuptim që vallëtari luan bukur sikur kur del loti i pastër në të qarë/, luan mirë horën, thuhet për ata valltarë që luajnë bukur dhe me virtuozitet. Po kështu, shpesh rastis që  vallen ta  quajnë “oro” edhe bullgarët, maqedonasit.

 

2.1. Vallet e burrave

 

Vallet e Preshevës janë:

1. Vallja e Preshevës “Preshevka”

2. Vallja e Miratocit “Miratocka”

3. Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”

4. Vallja e Marhamës

5. Vallja e Deli Agushit

6. Vallja me këndim : “Pembe, Pembe”

7. Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova

8. Vallja e Moravës

9. Vallja: “Tarazejbek”

 

Vallja e Preshevës “Preshevka” ka hap të rëndë, me figura të pasura dhe në këtë valle, valltarët lëvizin para dhe pas tre hapa, sipas ritmit të muzikës. Vallen e kanë luajtur grupi i burrave dhe grupi i femrave, por ndaras. Vallja sipas hapit është  epike dhe shënon elemente dhe motive të epikes.

Vallja më e njohur preshevare, Vallja e Miratocit “Miratocka” është valle me motive epike, e cila lindi në kohën e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vallja ka hap të rëndë gjatë vallëzimit. Ka dy etapa ritmike. Në fillim të valles ka një ritëm të ngadalshëm muzikor e të hapit, ndërsa pjesa e dytë apo e fundit e valles ka ritmin më të shpejtë. Mirëpo, në të dy etapat nuk humbet hapi i rëndë burrëror dhe krenar i valles shqiptare. Ritmi i valles më i ngadalshëm paraqet përcjelljen e delegatëve preshevarë për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në pjesën e dytë të valles, ritmi përshpejtohet, atëherë kur paraqitet kureshtja për lajmet, haberet dhe pritjen e rezultateve nga Kuvendi i Prizrenit.

Vallja e Miratocit, po ashtu karakterizohet edhe me një veçori tjetër, ku vallëtarët i mbulojnë veshët dhe lidhin kryet me çevre /shami/. Sipas motiveve, vallja lidhet me pjesëmarrjen e delegatëve preshevarë: Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Maksut Shehu, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi, në Kuvendin Shqiptar të Lidhjes së Prizrenit

Në shumicën e rasteve, vallja luhet në dasma shqiptare, gazmende familjare dhe festa kombëtare. Ajo,  kohëve të fundit luhet edhe nga grupet dhe ansamblet amatore e profesioniste në koncerte, me koreografi dhe me grupin e femrave

Vallja preshevare “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë” është valle e vjetër, me motive lirike, e cila luhet dhe gjatë valles këndohet. Ka hap të rëndë dhe e luajnë grupi i burrave.

 

Kënga e Valles : Ani jom e ligë, ani jom tue dekë.

 

Jam e ligë

Oh more

Jam tue dekë

Lidhma kryet

Me borsilek

 

Borsilokut

Ah more

Po i vjen era

Dil pak jashtë

Djal se erdhe pranvera

 

Kjo pranvera

Ah more

Ka shumë mall

Zemrën teme

Gjithmon’ po e kall

 

Jam e ligë

Oh more

Jam tue dekë

Lidhma kryet me borsilek…

 

/E shënoi: Jonuz Fetahaj/

 

Në trevat e tjera shqiptare luhet pak ose asfare. Asnjëherë nuk është luajtur me koreografi nga ansamblet amatore apo profesioniste. Vallja e përmendur shpesh quhet apo emërtohet edhe “Vallja e Ibrahim Hoxhës” dhe këndohet kështu:

Ngrihu, ngrihu Ibrahim Hoxha,

Duhesh me u rru, me mue me u martu,

Ibrahim Hoxha hiku në Bilaç…,

………………………………………………….

Vallja e Marhamës /shami/ është valle me hap të rëndë, e cila luhet nga grupi i burrave, luhet në dasma, gjatë pritjes së nuses dhe gjatë vrapimit të kuajve dhe vrapuesve, ku këta bëjnë gara për shaminë e nuses dhe peshqeshet që i siguron i zoti i dasmës së djalit. Edhe pse ka hap të rëndë gjatë vallëzimit, ajo i takon valleve lirike.Në fillim vallja ka ritëm të ngadalshëm, ndërsa përshpejtohet ritmi i valles me ardhjen, arritjen e vrapuesve dhe kuajve në cak, te qerrja e nuses.

Vallja e Deli Agushit, e cila luhet në Preshevë, e lindur në Bilaç, luhet dhe këndohet me tekst mbi legjendën e Deli Agushit në rajon të Luginës së Preshevës, në Karadakun e Preshevës, Gjilanit dhe të Shkupit.

Vallja e Deli Agushit përcillet me daulle dhe zurle, por luhet edhe me orkestrina me vegla të tjera popullore. Vallja luhet nga ana e burrave në dasma, gazmende familjare e ahengje të ndryshme.

Vallja ka elemente dhe motive epike.

Vallja ka hap të rëndë dhe gjatë vallëzimit, valltari i mirë ka mundësi të shprehjeve emocionale dhe patriotike. Luhet në grup, por ajo i mundëson valltarëve që gjatë vallëzimit të shkëputet vallëtari nga grupi dhe sipas aftësive vallëzuese të tij krijon mundësi të lirimit dhe shprehjeve vallëzuese individuale, duke krijuar secili prej tyre figura dhe stilizime koreografike.

Këtu po i shënojmë dy këngë të Deli Agushit, të marra nga libri: Nazmi Beqiri, Këngët e Kaçakëve në Malësinë e Karadakut, Kumanovë, 2006, f.124, 125.

1.

Mjegula e zezë(këngë për Deli Agushin)

Seç na doli mjegulla e zezë

Nuk na qenka mjegulla e zezë

Por na vjen ushtri me hov

O-drejt n’Bilaç ja paska msy

Përskaj xhamisë napër çarshi.

O-çou n’kam o Agush Delia

Çou more Agë se t’u rrethu shpia

Çou se nana do t’metet e shkretë

Çou se gruaja e ve ka me t’metë

Do të qajpër jetë familja e shkretë!

 

More, çou Agush Agë delia

Merr martinën e dil nga shpia!

 

Ju fishekt me m’i afrue

Unë drejtë tyne kam me xhue

More unë do të xhuaj e kam me luftue

Se kam menen xhall me u dorëzue.

(Kënga për Deli Agushin_Aga u këndua nga Sahit Ismeti).

 

2.Kënga për Deli Agushin

 

Hej Deli Agushi kaçak o-mish kanë

O-dora turkut xhall s’kish mujt me nxanë

Mor Pasha i Vrajës nav çu në kamë

O-shumë zapti o-aj poj shtrëngon

More për Bilaç o-aj poj fillon

O-Deli Agushin ata po rrethojnë

 

 

More gruaja e tij o-poj heton

O-çou bre Delë ajo o-po ja ban

More jem rrethue në katër anë!

O-Deli Agushi çka m’i ka thanë

O-ti m’u ngatma ni jatagan

More po nxerr pushkën krej lara lara

Ikshin zaptitë o-krejt napër ara

O-drejt n’Vrajë o-ata kur po shkojnë

_-zunën Pashës po i tegojnë:

More Deli Agushin xhall s’mujmë ta n’xajmë

Hej ki Pasha koka çu n’kam

More Deli Agushin tha kush mun me nxanë

Ore ja jap çinat o-kapedan!

……………………………………………………………

More Isen Pera Pashës ju drejtue

-More Deli Agushin ktu ta kam prue

More Deli Agushi çeki asht

O-ki Pasha çka po ban

-O Isen Pero, ati po ja ban

O-ti dhashë gradat o-more kapedan-e.

 

Vallen e ka vënë me koreografi Ansambli “Kollo” nga Beogradi, “Taneci” i Shkupit e të tjerë.

Vallja me këndim :Dimke, Dimke Popova, ka poashtu hap të rëndë, me motive shqiptare lirike, sipas profesorit të nderuar Dr. Nebi Islami nga Presheva. Teksti i këndimit është në gjuhën serbe. Në biseda me preshevarë të vjetër erdha në përfundim se këtë valle e luajtën preshevarët, ndër ta edhe Zejdi Ahmeti i shkuar në Turqi.

Preshevari valltar dhe këngëtar anonim, dashurisë ndaj një vajze bukuroshe serbe në Preshevë i këndoi në gjuhë serbe, për ta kuptuar e dashura, por ruajti elementet e hapit të rëndë të valles shqipe dhe ndërtoi mbi atë tekst dhe me dashuri vallen që edhe sot luhet në Preshevë.

Kënga: Dimke, Dimke Popova

 

U çua Dimka, mindilin n’dorë

Kush po e shef, bonë mashalla

Çou more djalë, me kcye me Dimkën,

Mu knaç, sefa me bo,

Hajde djalë me mue,

Me marrë nusen e palueme.

 

Vallja “Pembe, pembe…” me motive lirike, është krijuar nga valltari dhe këngëtari anonim, i cili dashurinë ndaj një vajze e shprehu duke kënduar: Pembe, Pembe, ti na i more zemrat… Vallja ka hap të rëndë dhe luhet pos në Luginë të Preshevës edhe në rajone të tjera shqiptare. Në të parë duket sikur  ka elemente të këndimit dhe të valles turke, por vallen dhe këndimin e përvetësuan shqiptarët dhe e bënë valle tradicionale shqiptare.

Vallja e Moravës ka hap të rëndë dhe është valle me motive epike. Kjo valle është shumë e afërt me hap me Vallen e Marhamës, por valltarët e vjetër thonë se dallon në disa kërcime që dallojnë nga ajo e Marhamës.

Vallja “Tarazejbek” është valle e lehtë, qytetare, e cila luhet nga një çift burrash edhe atë karshi-karshi, ballë për ballë. E kanë luajtur valltarët e mëhallës së Doganëve.

Vallja e Shpatave  është luajtur edhe në Preshevë e në Karadak. Për virtuozitetin e tij në vallen e shpatave ka qenë i njohur preshevari Xhemajl Dogani. Nëpër dasma, i shoqëruar nga tupani e surlet e luante shumë bukur me një lojtar tjetër. Deri në vdekje ky ruajti shpatën dhe kavallet. I përkiste fisit Kelmend dhe ka vdekur para disa vjetësh.

2.2. Histori e valleve të burrave

Presheva, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, sociale e arsimore, gjatë sundimit pesë shekullor të Perandorisë turke dhe shtypjes së borgjezisë serbomadhe pati jetë kulturore, Ajo, në periudha të caktuara kohore i vallëzoi dhe i këndoi jetës, trimërisë, robërisë e dashurisë.

Presheva është e njohur për talentet e saj, këngëtarë, valltarë, etj. Vallja dhe kënga shqiptare e kësaj ane është dëshmia më e mirë e ekzistimit e Shqiptarëve në trojet e veta etnike shekullore. Vallja dhe kënga ishte motiv i jetës dhe i ekzistencës, por edhe shpesh protestë e luftë kundër regjimeve dhe sunduesve të ndryshëm.

Sipas kujtimeve të Mulla Tefik Osmanit nga Presheva, në qershor të vitit 1930, Grupi i Valltarëve dhe i Këngëtarëve nga Presheva, ndër të tjerët ishin edhe Selim Osmani dhe Zejdi Ahmeti, valltarë dhe këngëtarë, shkojnë në Beograd dhe marrin pjesë në manifestimin kulturor dhe gjimnastikor të organizatës “Soko” të Jugosllavisë Mbretërore të Jugosllavisë. Grupi i valltarëve ishte i veshur me veshje kombëtare, tirq e xhamadanë. Bile tirqit e zezë valltarit Selim Osmanit ia siguroi  Emin Kurbaliu i Preshevës. Pjesëmarrjen e Grupit të valltarëve dhe këngëtarëve e shënoi edhe shtypi i atëhershëm jugosllav: pjesëmarrjen e grupit e vërteton edhe fjala përshëndetëse e kryetarit të Shkupit, kur thotë, se në këtë manifestim të forcës dhe të disiplinës nacionale, bashkimit dhe përpjekjeve për një të ardhme më të mirë marrin pjesë të gjitha viset e Banovinës së Vardarit me veshjet e tyre kombëtare.

Vallen burimore popullore shqiptare e kultivoi prej kohësh, së pari SHKA “Presheva” pastaj SHKA “Abdullah Krashnica” dhe kohëve të fundit SHKA “Rexho Mulliqi”.

Shoqëria kulturore artistike “Presheva” dhe Shoqëria kulturore artistike “Abdullah Krashnica” e kultivuan dhe e luajtën vallen popullore preshevare kudo që jepnin koncerte: në Preshevë, në Maqedoni, në Kosovë, në Bosnje, në Belgjikë.

Pra, këto dy Shoqëri këndonin dhe luanin ashtu si këndohet dhe luhet në Preshevë.

Pas ndërprerjes së aktivitetit të këtyre Shoqërive të përmendura, aty kah vitet e 80-ta të shekullit XX, morën hov të madh me shfaqjet e tyre koncertale këngë e valle popullore të Karadakut, shumë SHKA të Shkupit, të Kumanovës, të Vitisë, të Gjilanit e të Bujanocit.

Këto filluan që në vallet popullore preshevare të fusin elemente koreografike dhe stilizime. Bile, disa nga vallet preshevare filluan të marrin edhe emërtime të tjera.

Mund të thuhet që vetëm SHKA”Bajram Curri” i Shurdhanëve ruan burimoren e valles preshevare

 

 

 

2.3. Vallet e burrave sipas ndarjes gjeografiko-rajonale

 

Emërtimet e valleve preshevare janë më të ndryshmet. Kështu ka emërtime sipas origjinës dhe vendit ku luhet vallja: Vallja e Preshevës “Preshevka”, Vallja e Miratocit:”Miratocka”.

Vallja prej Moravës, sipas lumit Moravë.

Shpesh vallet emërtohen me vargun e parë të këngës: vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë…”, vallja preshevare: “Dimke, Dimke Popova…”, vallja preshevare: “Pembe, Pembe…”

Në Preshevë nuk mungojnë emërtimet e valleve edhe sipas veshjes, gjegjësisht sipas mjetit që përdoret për ta udhëhequr vallen: vallja preshevare: “Vallja e Mahramës”/shamisë/.

Po ashtu në Preshevë dhe në rrethinë të saj kemi valle popullore  që mbajnë vulën e kohës, të trimave, të kaçakëve në kohën e Turqisë apo ndonjë kohe tjetër, si: Vallja e Deli Agushit.

 

2.4. Karakteristikat dhe simbolika e valleve të burrave

 

Në komunën e Preshevës me rrethinë, kënga është shumë pak e zhvilluar, ndërsa vallet popullore janë më shumë të zhvilluara. Në këtë trevë nuk përdoren instrumentet popullore që janë punuar nga dora e shqiptarëve autokton, por janë përdorur  kryesisht orkestrinat e romëve.

Vallja popullore është pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua sëbashku me këngën popullore shqiptare si dhe dasmën e traditën e saj shqiptare.

Vallet popullore shqiptare, sidomos vallet e burrave në Preshevë me rrethinë janë të vjetra, të larmishme dhe shumë të pasura , përkah figurat dhe stilizimet koreografike.

Edhepse vallet në përgjithësi ndahen në ato me motive fshatare dhe qytetare, vallet e burrave të Preshevës nuk kanë aq karakteristika ndasie  në ato qytetare apo fshatare, pos ndonjë valle e burrave që dallon përkah motivet që i përket valles. Vallet e burrave nuk kanë ndonjë prerje të thellë përkah motivet që të ndahen në ato fshatare dhe qytetare.

Por, prapseprap dallojmë vallet e burrave me motive qytetare: vallja e Presheves, vallja “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”, vallja “Pembe, Pembe”, vallja “Dimke, Dimke Popova”, vallja “Tarazajbek”, valle që ka për motiv dashurinë, jetën idilike dhe hallin e banorëve të qytetit, ndërsa ato me motive fshatare janë : vallja e Miratockës, vallja e Deli Agushit, me motive të së kaluarës, historisë tonë, ku i këndohet trimërisë, burrnisë që në Preshevë dhe rrethinë nuk janë vetëm motive ekskluzive të fshatrave, sepse gjate historisë fshati dhe qyteti e patën një histori të përbashkët kombëtare.

Vallet e burrave u përcollën edhe në qytet edhe në fshat prej grupeve muzikore, ku bënin pjesë klarineti, defi, tarabuku, harmonika, violina /qemanja/. Këto grupe populli i quante edhe çallgija.Grupi i daulleve dhe zurlave merrnin pjesë sidomos në dasmat e familjeve të mëdha. Andaj sipas instrumenteve nuk kishte ndonjë ndasi e dasmave në fshat apo qytet, por vetëm pasuria e familjes /statusi familjar/ ishte ajo që bënte ndasi në dasma.

Veçanti paraqitnin dasmat në Malësi, ku  dasmat bëheshin me instrumenta popullorë: kavallë, çifteli, fyejë, e tjerë, ndërsa ato në qytet përcilleshin me qemane, violinë dhe def.

Si gjithkund në trevat shqiptare edhe në Preshevë me rrethinë ekzistojnë tri llojet kryesore të valleve:

1. Valle të Burrave

2. Valle të Grave dhe

3. Valle të Përziera ose të Përbashkëta.

Vallet e burrave në Preshevë dhe rrethinë luhen në grup 4-5 valltarë dhe ndonjë valle e burrave që luhet edhe në dysh, sikur vallja Tarazejbek. Vallet e burrave luhen vetëm me përcjelljen e instrumenteve dhe Presheva me rrethinë nuk ka valle të burrave që luhen pa instrumente.

Vallet e burrave janë valle që luhen në rreth, pos valles lirike: Tarazejbek, e cila luhet më dysh dhe karshi -karshi.

Vallëzimi i valleve të burrave në rreth simbolizon një rreth familjar, të përbashkët, për të gjithë valltarët, por edhe për një bashkësi shqiptare. Kështu, ata duke vallëzuar vallet, pas çdo mbarimi të valles, shpesh ndodhë që prijatari i valles i lëshon të dytit udhëheqjen e valles e kështu me radhë radhitën deri në mbarim të valleve. Nderimi edhe i valltarëve të tjerë bëhet me kusht që vallëtari në vazhdim të jetë i aftë dhe të luaj mirë dhe të mund të jetë edhe prijatar i valles së burrave. Ndryshe nuk pranohet nga vallëtari i radhës apo nuk i jepet shamia e prijatarit të valles.

Në traditën e valleve tona popullore, gjithmonë praktikohet që prijatari, ta mbajë në dorën e djathtë një maramë, shami, me të cilën i prinë valles duke e dredhur e valëvitur pa ndalur atë.

Burrat vallëtarë në vallet e burrave kapen krah për krah dhe kështu luhen të gjitha vallet e burrave, pos valles “Tarazejbek”. Kjo simbolizon dhe ka kuptimin e afërsisë dhe të dashurisë vëllazërore, të unitetit, besës dhe të besnikërisë së fortë. Vallet krah për krah i luajnë më tepër burrat.

Pastaj në dasma. valltarët burra kapen dorë për dorë dhe vallëzojnë vallet e burrave, që simbolizon dhe dëshmon dashurinë, besnikërinë, bashkimin dhe unitetin ndër vëllazëror.

Në vallet e burrave që janë me motive luftarake dhe epike, siç janë: Vallja e Deli Agushit, Vallja e Miratocës, ku vallëtarët kapen  brez për brezi, për të mbajtur fortë lojtarin afër tij dhe për të simbolizuar si në rreth, krah për krahu, dëshminë për forcën, përbashkësinë dhe unitetin e valltarëve dhe të bashkësisë shqiptare.

Shpesh në dasmë, prijatarit të valles së burrave që ka aftësi vallëzuese të jashtëzakonshme i lejohet të krijojë figura dhe stilizime koreografike që janë  traditë, aftësi krijuese dhe artistike e tij. Kështu prijatari në disa valle të burrave shfrytëzon talentin e tij vallëzues dhe mundësinë e valles së burrave, e cila i lejon komoditetin për të krijuar figura më të ndryshme koreografike vetanake, siç është vallëzimi “zhagas”. Edhe vallet e ashtuquajtura “zhagas”, apo “zvarrë”, kanë karakter luftarak dhe luhen kryesisht nga burrat.

Vallja e Deli Agushit i lejon valltarit të talentuar krijimin dhe formimin e figurave më të ndryshme, siç është: vallëzimi “zhagaz” , vallëzimi në tavolinë, vallëzimi në mure apo ecja e valltarit nëpër mure, por në këto raste gjithmonë prijatari duhet ta kishte mbështetjen e fortë dhe të sigurt të valltarit të dytë në vallen e burrave.

Edhe vallja e Miratocit lejon valltarin të krijojë figura dhe stilizime vallëzuese individuale.

 

 

2.5. Vallet  e burrave dhe përcjellja muzikore

 

Në Preshevë, gjatë historisë së valles shqiptare kemi përcjellje muzikore nga më të ndryshmet.

Kështu më 1937 formohet Shoqëria Shqiptare “Hamijet”, orkestrinën e së cilës e përbënin: Haki Liça-harmonikë, Zenun e Ibrahim Meçaj-mandolinë, Sadri Qazimi i Mulla Qazës-Def. Në kuadër të orkestrinës kishte edhe dajre, darabuk dhe klarinetë.

Me këtë orkestrinë këndohej dhe luheshin vallet popullore preshevare.

Në Preshevë, më 1951 kemi grupin e daulles dhe të surles që e përbënin Emin Abazi dhe baba i tij Abazi, romë nga Presheva. Grupi vepronte në kuadër të SHKA “Abdullah Krashnica” dhe bënte përcjelljen e valleve popullore shqiptare në koncerte, në dasma, gazmende familjare, festa familjare, festa shtetërore, e tjerë.

Më vonë kemi grupin prapë të surleve dhe të daulles me Zijadin dhe Emin Abazi, po ashtu romë nga Presheva. Për trashëgiminë folklorike, gjegjësisht të daulleve dhe të surleve të familjes Abazi, e vazhdon edhe Taip Abazi me klarinetë e surle, djali i Eminit.

Po ashtu, në Preshevë, një kohë të gjatë në përcjellje të këngëve dhe të valleve luan rol me rëndësi edhe grupi i Sadri Maxhupit me klarinetë dhe Zejnë Maxhupit me def.

Më vonë lajmërohet grupi i Rafet Maxhupit me klarinetë, i cili i përcillte këngët, vallet popullore shqiptare, por ky grup edhe këndonte.

Pas viteve 1995 lajmërohen një mori grupesh muzikore: Dasmorët, Grupi muzikor “Presheva” e të tjerë, të cilët bëjnë muzikë në dasma dhe gazmende të ndryshme.

Kohëve të fundit, në Preshevë lajmërohen edhe grupet e daulleve dhe të surleve shqiptare. Ndër ta është edhe grupi i Dilaver Limanit nga Strezoci, i cili bënë përcjelljen e valles popullore shqiptare në dasma dhe gazmende të ndryshme familjare.

Vlen të përmendet edhe grupi i Zijush Kamberit nga Garja e Preshevës, me daulle dhe zurle.

 

2.6. Veshja në vallet e burrave
Në vallet e burrave, elementi më tipik i kësaj veshjeje janë tirqit, të cilat kanë formën e pantollave të ngushta prej shajaku, në të shumtën e rasteve ngjyrë të zezë ose të murme, më rrallë me ngjyrë të bardha. Atëherë ngjyra e gajtanëve, shiritave të tirqve ishte e kundërta e ngjyrës së tirqve.
Përgjithësisht ato lidhen poshtë belit, shtrënguar dhe shoqëruar edhe me një brez të leshit me vija disangjyrëshe, e cila në Preshevë quhet shokë. Gjatësia e saj mund të jetë e ndryshme.

Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë të gjata, me ngjyrë të bardhë, jelek pa mëngë, me ngjyrë të zezë apo të murme prej shajaku.
Tirqit zakonisht janë bartur në vallet e burrave, më rrallë si veshje e përditshme, pos në Karadakun e Preshevës.
Në Preshevë ishte traditë popullore që të vishen tirqit e zi, nga persona të njohur dhe të dalluar në veshje, duke filluar nga Emin Kurbaliu, Isa Bina, Ali Rrustemi, e të tjerë. Bile, këta huazonin tirqit valltarëve të Preshevës.

Po ashtu, në vallet e burrave përdoret plisi i bardhë, i cili përdoret më rrallë në jetën e përditshme të popullatës shqiptare në Preshevë me rrethinë. Në vend të plisit të bardhë, preshevarët shpesh e bartin një kapuç të zi apo edhe me ndonjë ngjyrë tjetër, të qepur prej pëlhurës së pambukut.

Opingat janë pjese përbërëse e veshjes popullore me traditë të vjetër dhe kanë shtrirje mbarë shqiptare.
Në Preshevë me rrethinë në vallet e burrave përdoren opingat, por popullata më rrallë i përdorë në jetën e përditshme.
Siç e theksova më lart në vallen e Miratocit, vallëtarët i mbulojnë veshët dhe lidhin kryet me çevre /shami/. Çevreja mbahet në të gjitha vendbanimet e Preshevës, por është veçanti dhe dukuri specifike dhe e shpeshtë e popullatës së Miratocit

Çevreja mbahet në kokë, lidhet-pështjellohet pjesa e pasme e kokës, mbështillen anët e kokës dhe mbulohen veshët, ndërsa lidhet në ballë të kokës.

Sipas gojëdhënave të banorëve të fshatit Miratoc ekzistojnë disa supozime lidhur me Çevrenë: e para çevreja mbahet për shkak të ftohtit, lidhet dhe mbrohet koka, sidomos çevrenë e mbanin çobanët e fshatit, baritorit e deleve, por edhe të vendbanimeve të tjera; e dyta me mbajtjen e Çevresë në punë, fshatarët formonin hije gjatë punës së vështirë në pikë të verës; e treta: Çevreja mbahet edhe në valle, për t’i fshirë djersët gjatë vallëzimit popullor, dhe e katërta: Çevreja mbahet në Miratoc dhe lidhet koka me të, për t’i mbuluar qelet, edhe pse  profesori i nderuar, Sami Agushi thotë se njeh 4 raste të qytetarëve të Miratocit që nuk mbajnë e as lidhin çevre në kokë, ndërsa i kanë qelet.

Autori bullgar Gj. Petrov, në librin: Materiali za izucavaneto na makedonia/Materiale për studim në Maqedoni/ , Sofia, 1896, vërteton mbajtjen e Çevresë në Miratoc dhe në faqën 543 shkruan këngën e përhapur në popull:

Dum, dum tupani,

Hora Llojani,

Qel Miratoci,

Zhugava Tërrnava,

Norça qorça,

Zorraxhi Presheva,

Rahovica kalanica,

……………………………

Dum, dum Tupani

Budalla Llojani

Qel Miratoca

Zhugava Tërrnava

Sallata Presheva

Nasgjargji Rahovica

Harrnë Corrotica

 

E tregoi : Hamit Ilinca/ version i shkurtër/

 

 

2.7. Valltarë të vjetër në Preshevë me rrethinë

 

 

Presheva, gjithmonë kultivoi këngën dhe vallen popullore tradicionale, që nuk do të thotë se vallet e vjetra nuk i stilizoi, nuk i dha figura koreografike. Në Preshevë me rrethinë pati shumë vallëtarë të talentuar, por asnjëherë nuk pati koreograf të talentuar, i cili do t’i vente në skenë të Preshevës e gjetiu vallet e burrave të Preshevës, për ta dëshmuar vallen autoktone të Preshevës me rrethinë. Andaj vallja e burrave të Preshevës me rrethinë mbeti e mbyllur, burimore dhe pa ndërhyrje koreografike. Edhepse kohëve të fundit, disa nga këto valle të burrave vehen, shtrohen me koreografi në ansamble amatore e profesioniste, duke ia humbur hapin e rëndë të saj dhe me këtë ia humbin edhe karakterin, simbolikën dhe përmbajtjen historike të saj.

Shumë valltarë të Preshevës me rrethinë ishin anëtarë të ansambleve amatore dhe profesioniste : si në “Shota”, “Tanec” e tjerë.

Në Preshevë valltarë më të njohur ishin : Osman Fazliu/Hyseni/ i Mëhallës së Hallaçëve, Zejdi Ahmeti, Lutfi Ahmedi.Më vonë grupi i valltarëve : Demir Demiri – Dema i Alimetëve, Ali Derri, Durak Kasapi i Hamzallarëve, Hysi i Nijazi Agës së Shehëlerëve, Hysen Hyseni-Hysi i Hallaçëve, Qani Ramadani-berberi dhe Raif Selimi i Llullecëve.

Grupi i Valltarëve i Shoqërisë kulturo-artistike “Abdullah Krashnica” në Preshevë : :Sylejman Ahmeti, valltar me një hap të rëndë të valles shqipe, i njohur valltar dhe asistent i koreografit të Ansamblit “Shota” në Prishtinë; Ymer Shabani; Myfid e Belik Aliu; Orhan Shabani, valltar i Ansamblit “Tanec” nga Shkupi; Durgut Krashnica; Veli Veliu; Vebi Aliu-Dasa; Vahid Mustafa; Ramiz Kamberi; Muhadin Hyseni; dhe Musa Hyseni, i cili ishte i njohur si valltar i Ansamblit Akademik “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Gjithashtu në Preshevë duhet përmendur edhe Ismail Bakllavën, i ardhur muhaxhir në Preshevë, pastaj shkon për Turqi.

Në Rahovicë ishte i njohur Grupi i valltarëve të vjetër që e përbënin: Hysen Pajaziti/Cen Paja/ valltar i talentuar, humorist dhe këngëtar, Selver Sadiku, Fejzi Hajrullahu, Hasip Kadriu-Bulla dhe Mustafë Kamberi.

Në Corroticë: Mehmet Kamberi, Qerim Ademi, Zijadin Zymberi, Sherifali Ismaili, Hetem Hetemi dhe Mehmet Bajrami

Në Shoshajë: Fejza i Shoshajës.

Në Raincë: Ibrahim Ramadani-Ibra i njohur, bohem dhe virtuoz në valle, sidomos virtuoziteti i tij shihej dhe vinte në shprehje në vallen e Deli Agushit, që rrallëkush mund ta luante këtë valle sikur ai. Pastaj Nijazi Bakani, Çali i Ukajve dhe Haxhi Zejna Abdulli, të Raincës.

Në Zhunicë: Jakup Musa, Muhamedi dhe Fadili i Mullaramëve, Selim Sahiti.

Në Bushtran: Shaban Bushtrani, valltar me trup të gjatë dhe virtuoz në valle, Abdurrahman Sahiti-Dushi, Kadri Mësuesi dhe Jahi Bushtrani.

Në Karadak: Xhelil Seferi i Seferëve, valltar i njohur.

Në Miratoc: Destan Miratoci, për të cilin Sylejman Ahmeti thotë se ishte vallëtar i shkëlqyeshëm, i rrallë në rajon. Në atë kohë ishte kmet katundi. Pastaj Ramadan Qerimi-Dani i Zi, i cili luante në daulle në dasma dhe gazmende dhe Mefail-Meta mësuesin.

Pastaj të përmendim edhe Rrustë Latifin dhe Sefer “Capin”.

 

 

3. Dasma shqiptare në Preshevë me rrethinë, sot

Në kohën kur gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e ka pllakosur shumicën e popullatës shqiptare, sidomos atë të Luginës së Preshevës, në kohën kur shumica e  kësaj popullate janë të papunë dhe një përqindje marramendëse e tyre jetojnë në një gjendje skajshmërish të varfër, organizohen dasma të familjeve shqiptare në restorante dhe salla të mëdha, ku harxhohen shumë para dhe i tërë buxheti familjar.

Për shkak se popullata shqiptare është mjaftë e punësuar në botën e jashtme, muajt më të preferuar për organizimin e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare, pa dyshim që janë muajt: qershor, korrik dhe gusht .

Pra, dasma e familjes shqiptare në Preshevë sot është shumë e shtrenjtë dhe u kushton Familjeve me mijëra euro, si për rezervimin e restoranteve sa më luksoze, rezervimin e ushqimit sa më të mirë për krushqit ashtu edhe për qepjen e fustaneve sa më shtrenjtë për nusen dhe gratë. Pas një ekspozimi revial, brenda një nate të dasmës, të  gjitha këto marrin fund brenda natës, brenda një defilimi të shtrenjtë të fustaneve të nuses dhe grave, të ushqimit dhe restoranteve. Pastaj disa familje shqiptare për dasmat harxhojnë dhe bëjnë shpenzime të mëdha në kontraktimin e orkestrave popullore me këngëtarë të njohur të estradës. Këtu nuk përfillen kriteret e vlerave, por vetëm të jenë emra të njohur të orkestrave dhe këngëtarëve. Bile disa familje, për ta ngritë rejtingun dhe për ta treguar pasurinë familjare angazhojnë edhe orkestra folklorike dhe grupe të daulleve dhe të surleve. Në këto dasma luhen edhe vallet e burrave, por si është më së keqi, pa ndonjë vlerë vallëzuese dhe bastarduese, pos  në ndonjë dasmë apo gazmend familjar ku qëllojnë valltarë të mirë dhe luajnë valle të vërteta burrash të Preshevës.

Angazhimi i veturave të shtrenjta, i pajtoneve edhe më tepër rritë koston e harxhimeve të dasmave të familjes edhe ashtu të varfër shqiptare. Por karshilluku para farefisnisë, para mëhallës, para shokëve edhe më i varfëron familjet shqiptare.

Në dasmat shqiptare dikur daullja përdorej për të ftuar krushqit në dasmë, ndërsa sot bëhen harxhime të mëdha në shtypjen e ftesave për krushqit e dasmave.

Kostoja e një dasme të sotme shqiptare është shumë e lartë dhe marramendëse dhe i kushton shumë familjes sa që rrezikohet edhe mirëqenia e ardhme e saj.

 

 

Përfundim

 

Duke pasur për bazë ato që i ceka më lart, mund të them lirisht që riti i dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë ndryshon dukshëm nga koha e kaluar e deri më sot. Derisa përpara respektohej tradita e vjetër, prej viteve të tetëdhjeta të shekullit XX e këndej, dasma dhe ritet e saj kanë ndryshuar dukshëm. Vallja popullore që ishte pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe e riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua së bashku me këngën popullore shqiptare si dhe në dasmën e traditën e saj shqiptare, thuaja që është zhdukur fare. Ato, që gjatë historisë dhe zhvillimit të popullit shqiptar u rritën dhe u zhvilluan krahas zhvillimit dhe rritës shqiptare, rrezikohen të zhduken tërësisht. Ritet e dasmës shqiptare, kënga popullore e sidomos vallja e burrave, që ishin përcjellëse besnike e jetesës së popullit shqiptar, e vuajtjeve, hidhërimeve dhe e gëzimeve jetësore të popullit gjatë shekujve, e që duhet punë dhe betejë shekullore për t’i mbrojtur, evidentuar dhe regjistruar ose dalëngadalë do të treten e të harrohen.

SHPËRNDAJE