RITA ORA: Prindërit i shpëtuan gjenocidit në Kosovë

Në një intervistë për The Sun, Rita Ora ka folur se si prindërit e saj i shpëtuan gjenocidit në Kosovë. Ajo është krenare për familjen e saj dhe popullin shqiptar, madje shpreson ta inkorporojë muzikën e Kosovës në tingujt e saj.

Intervistat e para janë gjithmonë të sikletshme, sidomos kur mega-ylli i muzikës hip-hop, Jay Z, i shtron pyetjet. Por, këngëtarja britanike Rita Ora padyshim se mbeti e impresionuar për takimin me reperin amerikan: ajo nënshkroi kontratë me labelin e tij. Tashti, singli debutues i 21-vjeçares është në rrugën për të arritur në vendin e parë në këtë vikend.

Londinezja me këmbët për toke – e cila ishte vetëm 17 vjeçe kur iu bashkua labelit të Jay-Z, “Roc Nation – thotë: “Këndoja në bare të Londrës dhe në fund dikush më vuri në kontakt me Jay Brownin, dorën e djathtë të Jay-Z”.

“Ia dërgova ca muzika dhe ai kërkoi të fluturoja për në New York. Ishin dy javë deri te ditëlindja ime e 18-të, por fluturova e vetme deri atje”, thotë Rita Ora për The Sun.

“Kam qenë shumë nervoze. Por, gjëja e mirë ishte se unë nuk e dija se do ta takoja atë natë Jay-Z. Po ta dija këtë, do të kisha sulm në zemër gjatë rrugës për në aeroport. Ishte befasi. Më thanë se do ta takoja ekipin e tij. Eca në dhomën e tij e ai ishte aty. Kisha të veshur një fanelle të Run-D.M.C., dhe flokët e këmbët i kisha të lagura, sepse binte shi. Isha e lodhur. Nuk ishte momenti ideal. U futa brenda, e pashë dhe thashë: ‘Oh, më duhet ta bëj’. Thash ‘hey’ dhe ia ofrova dorën”.

Rita thotë: “Jay-Z është bos i mahnitshëm. Ai dëshiron që çdo gjë të funksionojë dhe që kompania e tij – “Roc Nation” – të jetë e suksesshme”.

“Ai është përfshirë sa ka mundur. Edhe pse gjithmonë është në turne, ai është në e-mail dhe në telefon. Ndjehem shumë e privilegjuar që ai punon me mua”.

Por, jeta e Ritës ka mundur të jetë ndryshe nëse familja e saj nuk do të vendoste të largohet nga vendlindja e tyre, Kosova, atëherë kur ajo ishte foshnjë. Diktatori brutal serb, Slobodan Milloshevic persekutonte shqiptarët, si familjen e Ritës. Kështu që ata ia mësynë Londrës.

Ajo thotë se prindërit e saj i kanë shpëtuar gjenocidit: “E lashë Kosovën kur isha një vjeçe. Isha e lumtur që nëna dhe babai im ikën herët”.

Prindërit e saj ishin në mesin e dhjetëra mijërave që ikën në vitet ’90 për të shpëtuar nga konflikti që eskalonte tmerrshëm.

Rita shton: “Kur kemi ardhur në Londër, babai im nisi të punonte në restorante. Nëna ime ishte mjeke në Kosovë, por nuk dinte anglisht. Kështu, është dashur të studiojë sërish gjithçka, ta mësojë anglishten dhe të më rrisë mua, vëllanë dhe motrën. Vërtet e admiroj për këtë. Tani ajo është psikiatre dhe e ka pavijonin e saj në Londër”.

Rita është e krenare për rrënjët e saj – aq shumë sa që ajo shpreson ta inkorporojë një ditë muzikën e Kosovës në tingujt e saj.

Këngëtarja shpjegon: “Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”.

“Jam kthyer shpeshherë në Kosovë. Kur dikush bën diçka jashtë vendit tonë, është punë e madhe, sepse fatkeqësisht nuk ka shumë mundësi atje. Kam dëshirë të përkthehet muzika kosovare në albumin tim. Kam mundur, por nuk ka funksionuar ende. Do ta bëj. Dhe definitivisht dua të bëj koncerte atje në të ardhmen dhe të grumbulloj fonde”.

Singli i saj i parë R.I.P. është një pop urban. Është shkruar nga reperi kanadez, Drake, përfshin yllin britanik, Tinie Tempah, ndërsa producentë ishin dueti i muzikës dance, Chase And Status.

Duke qenë e “mbrojtur” nga Jay-Z, kjo ia hapi dyert për bashkëpunime me emra të mëdhenj. Dhe, kjo e ka vënë Ritën në situatën të cilën shumë artistë nuk e përjetojnë derisa nuk i fitojnë me vite “gradat” në muzikën pop.

Ajo shpesh përmend emrat kryesorë, duke përfshirë gruan e Jay-Z – Beyonce.

Rita thotë: “Unë pashë Beyonce ditën tjetër dhe ajo kishte vajzën në duar. Ishte e mahnitshme”.

Reperi Kanye West është një tjetër mik i saj.

Ajo thotë: “Kanye është një qen i punës… Kanye i ka hapur sytë e mi drejt shumë gjërave të reja në muzikë”.

Këtë verë ajo do të mbështesë yjet globale, rok rupin “Coldplay”, në turnetë e tyre evropiane.

Ajo thotë: “E kam takuar Chris Martinin dhe gruan e tij, Gwyneth Paltrhow disa herë përmes Jay-Z. Çiftet janë miq të mirë. Chris gjithmonë flet për muzikë dhe pyet se çfarë bëj. Ai kujdeset”. (Me shkurtime nga The Sun)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni